Një hemisferë në një floknajë

21 maj 2025 | 08:39

CHARLES BAUDELAIRE

Një hemisferë në një floknajë[1]

Lërmë t’u marr erë flokëve të tu, t’u marr erë ende, të kredh atje fytyrën time si një i etur në ujin e një burimi, t’i shkund ato me dorë si një shami me erë, për të shkundur kujtimet në ajër.

Ah sikur ta dije atë që shoh, atë që ndiej, atë që dëgjoj te flokët e tu! Shpirti im udhëton në këtë parfum ashtu si shpirti i të tjerëve në muzikë.

Flokët e tu mbajnë brenda tyre një ëndërr të vërtetë, plot vela dhe direkë. Ata mbajnë brenda dete të mëdhenj, musonet e të cilëve më shtyjnë drejt vendeve me klimë të këndshme, ku hapë­sira është më blu dhe më e thellë, ku atmosfera parfumohet nga frutat, gjethet dhe lëkura njerëzore.

Tek oqeani i floknajës tënde përfytyroj një port që gumëzhin nga këngë mallëngjyese, nga burra të fuqishëm të të gjitha ven­deve, nga anije të të gjitha formave, arkitektura e rafinuar dhe e ndërlikuar e të cilave shquhet qartë nën një qiell të pafund ku prehet ngrohtësia e përjetshme.

Kur përkëdhel floknajën tënde, më kujtohet se si rrija i plogështuar me orë të tëra, mbi divanin e dhomës së një anije të bukur, midis vazove me lule dhe garguletave[2] freskuese, i nanuritur nga lëkundjet e pandjeshme të valëve.

Te vatra e zjarrtë e floknajës tënde, ndjej erën e duhanit të përzier me opium dhe sheqer.

Tek errësira e floknajës tënde, shoh si ndriçon pafundësia e kaltërsisë tropikale.

Te pushi i floknajës tënde, dehem me erërat e përziera të katranit, myshkut[3], vajit të arrës së kokosit.

Lërmë t’i kafshoj prapë gërshetat e tua të zeza dhe të rënda. Kur kafshoj lehtë flokët e tu elastikë dhe të pabindur, më duket sikur ha kujtime.

 

[1] Variant në prozë i poezisë Floknaja (La chevelure) që gjendet në vëllimin me poezi Lulet e së keqes (Les fleurs du mal).

[2] Nga frëngjishtja gargoulette. Qyp që është në përdorim në jugun e Francës. Ai prodhohet me një lloj argjile poroze dhe e mban ujin të freskët.

[3] Bëhet fjalë për substancën që sekretohet nga gjëndrat e një lloj dreri i vogël pa brirë i Azisë Qendrore dhe që përdoret si lëndë e parë në parfumeri.

Përktheu nga frëngishtja: Roland Çipa. Marrë nga numri 23 i revistës “Akademia”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
MUSA RAMADANI Qëkur isha fëmijë, në shkollë, dhe më vonë,…