Një libër i pashmangshëm
Sadik Krasniqi
Shaip Beqiri, Hydra des Zorns – Hidra e mllefit, libër dygjuhësh shqip-gjermanisht, botuar në Cyrih nga Limmat Verlag, përkthyer nga Hans Joachim Lanksch
Nga përvoja relativisht e gjatë e të shkruarit poezi krahasuar me publicistikën, por tejet e kujdesshme dhe me përkushtim, Shaip Beqiri vjen me përzgjedhjen poetike me titull të veçantë “Hidra e mllefit”. Te ky autor titujt e librave gjithnjë kanë qenë formulime metaforike si: Fontana e etjeve, Flatrat e gjymta, Eklipsi i gjakut, Rekuiem për veten dhe Prangat e praruara. Semantika e tyre, përmes semiotikës, ka shërbyer shpesh si sugjerim drejt qasjes për një lexim dhe interpretim të referencës poetike.
Edhe në këtë libër me poezi sintagma Hidra e mllefit është një metaforë – ombrellë nën të cilën hijezon e gjithë brendësia poetike. Emri hidra, në kontekstin figurativ, është e gjithë ajo që nuk shkëputet, por vazhdohet dhe ripërtëritet si hidra mitike e figurative… Pra te Hidra e mllefit, mllefi është hidër. Mllefi te ky autor është vetëm një ngjyrë nga koloriti i shumtë i një ylberi ndijimesh me nuanca të përshfaqura dhe të përshtresuara bukur poetikisht.
Poeti Beqiri i përket një plejade poetësh të veçantë, që i shquante perceptimi i ndjeshëm ndaj gjërave dhe fenomeneve që ua ofronte jeta. Ata i dallonte nostalgjia, delikatesa, rekuiemi, muzika, brishtësia, e herë-herë ruralja e idilikja. Ishin këta poetë që hynë në letërsinë shqipe me poezi plot përmallime, me ngjyrime emocionale të ngrohta deri në nostalgji si: Jusuf Gërvalla, Beqir Musliu, Ymer Shkreli, Rexhep Elmazi, Qerim Arifi, Nexhat Halimi, Abdullah Konushevci e sivëllezërit e tyre, të cilët duke poetizuar ambientin kosovar, lexonin edhe Bodlerin e Kafkën.
Shaip Beqiri, duke pasur elemente të atij stili që ishte për kohën në “trend” ose në rrjedhë, në rrugën e tij poetike, kultivoi, thelloi, zgjeroi dhe lartësoi ato nuanca motivuese. Tashmë leksiku i tij shprehës është panteonik dhe kontemporan.
Duke lexuar poezitë e këtij libri, me disa nuanca shpesh të zymta, na imponohet të përmendim nobelistin Orhan Pamuk, i cili thotë: “Për të shkruar bukur më duhet të mërzitem, e që të mërzitem shumë më duhet të jetoj…” Te Shaip Beqiri mërzia bëhet art i poezisë së tij të bukur. Tekefundit, mërzia është e njerëzishme, veçanërisht për poetët. Qasja ime në këtë përurim e ambient solemn, e bën këtë referim më tepër prezantim para audiencës sesa analizë të thukët për të, ngaqë për një analizë të tillë duhet kohë dhe mund. Libri Hidra e mllefit është proceduar në cikle, të cilëve u paraprijnë motovargjet e shkruara në kohë dhe për kohëra të ndryshme, ndërsa në krye të librit janë vënë si moto: një varg emblematik i Bodlerit dhe vargu i mirënjohur i Lasgushit: Bukuri tmerrisht e dashur, llaftari tmerrisht e bukur.
Lënda poetike e librit është përshkallëzuar në katër cikle simbolike: Purpuri i muzgut të mbramë, Endja galaktikave të dehura, Rekuiem gjakut të kukullave dhe Pëlhura në kryq të bardhë. Ciklit të parë Purpuri i muzgut të mbramë i paraprin poezia e bukur Zhapëllima, me një diskurs sa poetik aq edhe eseistik. Autori shprehet:
Ky libër nuk është imi
As i dhembjeve të huaja
(***)
Ky libër juaji është përgjithmonë
I dhembjeve të mia të mira
(Zhapëllima)
Në këtë poezi altar poeti rrëfen për të shkruarit e këtij libri dhe për gjendjen e vet shpirtërore e emocionale në laboratorin e tij sublim. Në ciklin e parë poeti shpreh raportin e tij njerëzor ndaj të afërmve dhe të dashurve të tij si dhe gjendjen e tij shpirtërore në raport me kohën dhe hapësirën. Në poezitë e këtij cikli, ndër më të bukurit e këtij libri, poeti është një albatros bodlerian dhe një zog nositi lasgushian.
Si do të gdhijë dita jote nesër
Dita e flatrave të mia të gjymta
Shprehet ai në poezinë Natë e fundit në atdhe.
Poeti me mjeshtëri krijon situata abstrakte dhe absurde të unit lirik me anë të vargjeve mahnitëse:
Në të njëjtën gurrë
Fytyrën tonë të vetme
Me duar të gjymta lamë
(Dytëshori)
Ose:
Në jetën time të thyeshme
Përnatë kapërcej pragun e ëndrrës
Dhe dal në tjetër planet
(Balasti)
Poezitë e këtij cikli përshkohen me një ndjeshmëri dhe përmallje, andaj shpesh ato tingëllojnë si balada. Poezitë e kësaj kaptine i karakterizon narracioni i pasur, i ndërtuar përmes epiteteve metaforike, të cilat i personalizon duke synuar intimen si: guri (im) i fjalës, flatrave (të mia) të gjymta, uji (yt) i vdekur etj.
Në ciklin e dytë Endja galaktikave të dehura e gjejmë gjeografinë fizike dhe imagjinative të poetit dhe endjen e tij përmes muzgut me busullën e ndryshkur. Endja galaktikave të dehura si diçka kozmike (figura e hiperbolës) katandiset në hyllje (si litotë). Këtë përzvogëlim poeti e shpreh bukur përmes vargjeve:
Pastaj nuk duket asgjë
Nga hija e therrës në prag
(Therra në prag)
Poezia Kosova e kësaj kaptine është thurur me një invencion strukturor të një forme akrostiku, që jep mundësi leximi në dy variante: vetëm vargjet e para me kuptimin e ngushtë akrostik, që më tepër synon formën dhe me lexim të strofave vijues në kuptimin përmbajtjesor.
Varianti i parë i formës së akrostikut duket kështu:
K është skeleti i një balade
O është dielli nga i cili kam hequr
S i ngjan gjarprit tënd të zi
O një tjetër diell i fshehur
V jep profilin e një lugine
A janë gjymtyrët e thyera
(Kosova)
Të gjitha këto vargje pasohen me strofa që zgjerojnë kuptimin historik të Kosovës.
Cikli Endja galaktikave të dehura shquhet për synimin e poetit për ta kapur dhe trajtuar poetikisht infinitivin ndijor me përmasa universale. Është ky cikël i një kozmogonie imagjinative i shprehur bukur me dendësi figurash.
Poezia Prapa kulisave të territ, një ndër poezitë antologjike, e thurur me sentenca të bukura metaforike dhe metonimike, pasqyron një gjendje shpirtërore përmes një filli drite kozmike. Në këtë poezi krijohet një harmonizim i shpirtit dhe i kozmosit me një filozofi dhe magji që mund të realizohet vetëm përmes poezisë së bukur nga një poeti i madh. Dendësia emocionale me fije zymtësie në këtë poezi është realizuar nëpërmjet pamjes së jashtme dhe gjendjes së brendshme.
Kur terri puth me afsh
Fytyrën e lerosur të dheut
Dalin mija pina syskuqura
Dhe enden galaktikave të ankthit
(Prapa kulisave të territ)
Në ciklin e tretë Rekuiem gjakut të kukullave humbëtirës, të panjohurës, mospërfilljes, të papriturës dhe fenomeneve të tilla poeti iu qaset me një kundërvënie përmes ironisë. Vetë përbërja e titullit nga fjalët rekuiem si sentiment dhe gjakut të kukullave si ironi, paraqet një kontrast në mes të ndijimit dhe të shprehurit. Te këto poezi implikohet empirikja autoriale si rrëfim dhe si imazh.
Referenca poetike në ciklin e tretë na shfaqet si evokim i një kohe të dhembshme, andaj ajo kohë dhe brendësia e saj njerëzore na definohet nga poeti si baladë e çmurosur, grigjë e reve, kornizë e thyer, rekuiem i thinjur. Kjo kohë determinohej nga shtysat ogurzeza që shquheshin me skëterrën e tyre, andaj për Beqirin ajo përcaktohet me: lukuninë, Ballkanin përplot me këlyshë muzgu, xhelatë të ngopur që e mëtonin apokalipsin biblik. Procedeu poetik në këtë cikël është i larmishëm dhe karakteristik. Në poezinë Balada e çmurosur kemi elemente përshkruese të një ambienti të shndërruar vetëm në një kujtim. Bukuria e kësaj poezie është mbindërtimi i saj si përshkrim mbi arketipin e baladës popullore po përmes një kontemplacioni figurativ:
Një mot vumë urën
Në shpatulla të një lehone
Po lumin kurrsesi ta kalonim
(***)
Kërthiut që çirrej nën urë
Tambël të zi i jepte një valë
(Balada e çmurosur)
Subjekti i poezisë Xhelati im i ngopur është përballja në mes të unit dhe atij, përkatësisht në mes të heroit lirik dhe antipodit të tij. Dy anë krejt të kundërta si drita me errësirën, si robëria me lirinë dhe lufta e tyre për ngadhënjim:
Shpiknim kupat me verë qindvjeçe
Për luftën që do të bënim nesër
Deri në të mbramën pikë të gjakut
(Xhelati im i ngopur)
Një fshikullimë ironie vihet në pah te Këlyshët në muzg duke aluduar pafuqinë, mosguximin dhe shqetësimin demagogjik. Të gjitha këto atribute (ç)njerëzore poeti arrin t’i shprehë bukur me anë të personifikimit:
Ende pa perënduar
Lanë lojën përgjysmë
Dhe zunë të hungërijnë
(***)
Atëherë i zuri malli i parë
Për më të madhin e tyre
Malli për qenin kryeqenin
Që zhgërryhej ndër ne
(Këlyshët në muzg)
Një sintezë me imazhe biblike përmes intonimit baladik të shndërruar në ironi e hasim te poezia Apokaliptike:
Ra shiu yt i zjarrtë
(***)
Ç´bukuri e tmerrshme
Me gjak të kulluar kukullash
(Apokaliptike)
Apokalipsi në poezinë Apokalipike shprehet figurativisht duke krijuar imazh të imagjinuar:
Dhe tash
Ra në ty
Shiu i paralajmëruar me shekuj
U derdh rrëkeja e madhe
Me mish e gjak njerëzor
Dhe tash
Të mungon sall një valle
Të kapesh me retë
(Apokaliptike)
Duke u nisur nga vetë titulli i ciklit përmbyllës të librit Pëlhura në kryq të bardhë dhe vargjet pararendëse të këtij cikli Çdo natë jotja gdhiu/Mbi shtatë shtylla vdekjesh… jepet aludimi i një atmosfere e imazhi sfidues me nuanca biblike me misticitet të theksuar.
Në këtë cikël gjejmë metamorfoza që krijohen përmes një gjuhe dhe të shprehuri tejet abstrakt. Kemi situata me imazhe të të qenit në mosqenie, të imazhit në mirazh, të ekzistencës në inekzistencë, të realitetetit në arealitet, të faktikes në fiksion etj.
Poezia Fatamorgana nuk është vetëm poetizim i një dukurie optike, i një halucinacioni e vegullie, por është vizion shumë më i thellë, më kompleks drejt një abstraksioni të pafund imagjinativ. Fatamorgana në këtë poezi nuk është vetëm dukuri, por është edhe (mos)qenësi, është mister. Ky mirazh i abstraksionit meditativ arrihet përmes sentencave dhe gjetjeve të bukura figurative:
Rrotull hijeve të kafazit të zbrazur
Mbyllur në guaskën që u bë këngë imja
Në çastin kur prej urnës së padukshme
U shpërnda hiri im që s´ringjall asgjë
(Fatamorgana)
Në poezinë E padukshmja vërehet atmosfera misterioze nga kumti shqetësues, por jo e poetizuar përmes metamorfizimit simbolik të Korbit si te Edgar Allan Poe, por përmes të padukshmes.
Kumti te kjo poezi nuk vjen përmes krrokamës së ko(r)bit, po përmes tingullit të kambanës si tingëllimë morti.
Dikush tund kumbonën
Pas maskës së tejdukshme
(E padukshmja)
Nemitja është një poezi që shfaq rrudhjen e qenies nga invazioni dhe kanosja e ardhur nga stepat e djegura.
Kjo poezi ka intonim elegjiak, e ndërtuar me një rimë që tingëllon bukur emocionalisht.
Në grahmën time urdhrin e dhashë me një rrufe
Dhe midis dy gurëve të padukshëm rashë përdhe
(Nemitja)
Poezia refleksive Cenga artikulon dhembjen e poetit në mërgim. E gjithë gjeografia e shtetit, një ndër më të bukurit në botë – Zvicrës, për poetin është vetëm një cengë me konotacione të një faculete morti.
Oh, ç´vend mrekullish qenka Zvicra
Që ngre kokën si hidra ime e mllefit
(Cenga)
Poezitë e këtij cikli janë shumë të ndjeshme edhe për faktin që janë të shkruara nga poeti mërgimtar. E tillë është edhe poezia Dalbania, ndër më mirat, e shkruar te varri i Xhojsit për Xhojsin, ku vërejmë identifikimin e fatit të kësaj figure me autorin. E tërë poezia është metaforike.
Dalbania është një metapoezi metaforike me një vetëmjaftueshëri zor të zbërthyer semantikisht.
I sapoardhuri vuri qelqin e vogël
Në tekstin e vet të pazbërthyer
(Dalbania)
Libri përmbyllet me poezinë Gjahu përrallor që tingëllon si një poezi diskursi programatik, ku vërehet dendësia aludive për krijuesin dhe krijimin, e shoqëruar me ironi përmes sentencave metaforike si:
Në ecjen tonë jermërisht
Duke shkelur padashur njëri-tjetrin
Kapim miza dheu e flutura krahëshkruara
Dhe ua nxjerrim sytë me thonjtë tanë
Duke i lëshuar ndër orbita të tjera
(Gjahu përrallor)
Tërësia e tekstit poetik te ky libër, por edhe në tërë opusin poetik të këtij autori, është figuracioni tejet i pasur i një harmonie në mes të denotativit e konotativit poetik.
Poetika e Beqirit ndërtohet sipas konceptit të purifikimit gjuhësor si dhe leksikut autorial krejt unik si: galtina, kulisa, pina, lukunia, zhargina, zhuri, rrëfana, gërrana, ashku, çurgu, çengeli, shtraku, shogur, gorre, rrëzoma, zurkaja, madje sintagmat: tambli i zi, gjarpri i zi, zemra e dheut, sfinksi i therur, asht ziu, therrë në prag e të tjera të ngjashme.
Në saje të imagjinatës dhe mjeshtërisë së përdorimit të tyre, këto fjalë relike bëhen arketipa të mirëfillta origjinale në tërë opusin letrar të këtij autori.
Lënda poetike te ky autor përgjithësisht përshfaqet përmes metaforës. Konstrukti i metaforës në Hidra e mllefit strukturohet përmes tri formave, si: Fjalë metaforike. Këtë lloj metafore poeti ka prirje ta ndërtojë kryesisht përmes disa shprehjesh të stërmoçme burimore që shpesh marrin atribute të arketipave, siç i përmendëm pak më lart në kontekstin e ndërtimit të poetikës nga ky autor me fjalë unike.
Sintagmë metaforike: mish i gjallë, pyll fshehtësie, muzikë pagjumësie, gërranë a kaltëruar, hije të purpurta, pasqyrë diellore, shesh i shkretë, uji i zi, këmishë e lëkurës, flatra të gjymta, stërkala pikëllimi, heshtje të kaltra, qielli i arnuar, uji i vdekur, flatrat e shogura, duar të gjymta, ylli i zhgërryer, pasqyrave të mbira, galaktikave të dehura, pina syskuqura, kujtim ujor, hënë e shogur, sfinks i verbuar, zemër e verbër, gjarpër i zi, trëndafil i zi, ritmi i këputur, shiu i zjarrtë, rreshk i etjes, arkivol gjelbërimi, hidër mllefi, fontanë etjesh, zhur i zi etj.
Sentencë metaforike: Për fjalën që na pret te varri, këmishë të çmendur të mbërtheva, dhe një zog të bëhesha në johapësirën e ankthit tënd, e në fytyrën e madhe të vetmisë lëmë gjurmat e dhëmbëve të rënë, fytyrën tonë të vetme me duar të gjymta lamë, dalin mija pina syskuqura dhe enden galaktikave të ankthit, tash e vë majë gjuhës shpirtin e shenjës së mirë, mes dy dhembjeve të mia çeli trëndafili yt i zi, unë ulem në gur dhe pres të shtie rrënjë, kërthiu që çirrej nënë urë tambël të zi i jepte një valë etj. Këto metafora të zgjeruara në sentencë shndërrohen në metonimi.
Ky libër, duke qenë një përzgjedhje nga opusi i poetit, mund të konsiderohet një antologji personale, i shkruar bukur me rekuizita të shumta tropesh e figurash stilistike, me një stil të lartë (eliptik), me një gjuhë të pasur e të pastër, me një simetri në strukturë që, si e tillë, mund të konsiderohet prurje në letërsinë shqipe që i jep autorit tiparet e një poeti klasik (kështu e cilëson edhe doajeni i kritikës sonë, dr. Ibrahim Rugova). Ky libër tashmë ka edhe një të mirë: lexohet edhe në gjuhën e përkryer të Gëtes, i përkthyer bukur nga miku ynë i letërsisë, Hans Joachim Lanksch, që e ka shkruar edhe pasthënien e tij.
Për në fund, pas leximit të këtij libri na imponohet thënia e të madhit Borhes se: Poezia e përsosur nuk duket e çuditshme. Ajo duket e pashmangshme, andaj ky libër duhet vënë në këndin e librave të preferuar e të merret në dorë sa herë të na marrë malli të lexojmë poezi të bukura.
                        


                                        
                                        
                                        
                                        
                                        
                                        