Një libër tejet i veçantë për të drejtat pronësore në Kosovë

24 gusht 2018 | 16:37

Prof. dr. Abdullah Karjagdiu

Kohë më parë doli në dritë libri me titull “E drejta në pronë (Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut)”. Ky vëllim është një nismë e sponsorizuar nga USAID-i për t’i përkrahur të drejtat pronësore bashkëkohore në Kosovë.

Në të vërtetë, ky libër është një përmbledhje e vendimeve kryesore të Gjykatës Evropiane lidhur me të drejtat pronësore, në mënyrë që gjykatësit, avokatët dhe politikbërësit në Kosovë të mund të njoftohen me këtë përmbledhje të rëndësishme të rasteve ligjore që janë drejtpërdrejt të zbatueshme në Kosovë.

Rëndësia e veçantë e këtij vëllimi konsiston në faktin se Kosova përballet me shumë sfida për të siguruar të drejtën në pronë, ngaqë baza ligjore që rregullon të drejtat pronësore në Kosovë është e vjetruar, jokonsitente, e vagullt dhe konfuze, marrë parasysh që në Kosovë është përhapur informaliteti në sektorin pronësor, pronat e ish-pronarëve të konfiskuara, nacionalizuara dhe eksproprijuara nuk janë kthyer dhe kompensuar, ndonëse kanë kaluar 10 vjet nga pavarësia, personat e zhvendosur vazhdojnë të ballafaqohen me sfida në ushtrimin e të drejtave të tyre në pronë dhe që, për shkak të qëndrimeve mbizotëruese shoqërore në Kosovë, shumë gra heqin dorë nga trashëgimia e tyre dhe nga zotërimi i pronës.

Një çështje me interes shumë të madh për Kosovën në këtë vëllim janë edhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për kthimin dhe kompensimin e pronave të konfiskuara, nacionalizuara dhe eksproprijuara pas Luftës së Dytë Botërore në vende të ndryshme të Ballkanit dhe Evropës, meqë dihet se, gjatë periudhës 1945-1999, autoritetet serbe hegjemoniste nëpërmjet politikave shtetërore, me qëllim të kolonizimit të Kosovës dhe përmes akteve përcjellëse juridike, i kanë konfiskuar, nacionalizuar dhe eksproprijuar pronat, me ç’rast kryesisht i kanë diskriminuar dhe dëmtuar rëndë shqiptarët autoktonë, që kanë luftuar, rezistuar dhe rënë dëshmorë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e trojeve shqiptare.

Konfiskimet e pasurive të shqiptarëve në Kosovë autoritetet serbe i kanë aplikuar me qëllim të përndjekjeve të planifikuara të familjeve të aktivistëve politikë, luftëtarëve dhe dëshmorëve të kombit të rënë pas Luftës së Dytë Botërore.

Këto prona në disa raste madje janë marrë edhe pa kurrfarë gjyqi apo janë grabitur, ndërsa në mjaft raste edhe përmes proceseve gjyqësore të kurdisura, ashtu që patriotë dhe luftëtarë dhe dëshmorë të spikatur, apriori, janë stigmatizuar arbitrarisht si “armiq të shtetit jugosllav” dhe, si të tillë, edhe familjet e tyre janë njollosur dhe janë privuar nga e drejta për punë, shkollim, pronë dhe janë persekutuar penalisht dhe të njëjtëve u është konfiskuar pasuria ose janë dëbuar në Turqi.

Së këtejmi, pikërisht ky libër jep sqarime dhe udhëzime të qarta, efikase dhe tejet të dobishme se si duhet të zgjidhen çështjet pronësore nga gjykatat e Kosovës. Kështu, lidhur me këtë çështje, hartuesit e kësaj përmbledhjeje voluminoze sqarojnë se, ndonëse gjykatat e Kosovës refuzojnë kategorikisht që t’i kthejnë pronat e konfiskuara, nacionalizuara dhe eksproprijuara gjatë viteve 1945-1999 dhe megjithëse Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës, ligjvënësit në Kosovë përmes përfshirjes në Kushtetutë të disa konventave, ndër të tjera edhe Konventën Evropiane, i ka bërë këto konventa dhe protokollet shtesë të tyre obligative për gjykatat e Kosovës.

Kjo ngaqë Kushtetuta e Kosovës siguron që Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Fundamentale dhe Protokolleve të tyre kanë efekt ligjor të drejtpërdrejtë në Kosovë, me prioritet mbi ligjet e tjera në Kosovë (Neni 22) dhe së këndejmi institucionet dhe gjykatat e Kosovës mund dhe duhet ta interpretojnë këtë Konventë në pajtim me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Gjykatës Evropiane) (Neni 53).

Prandaj, është koha e fundit që gjykatat tona të marrin vendime të ndershme, të drejta, legale, ligjore dhe në pajtim të plotë me Kushtetutën e vendit dhe me të gjitha konventat bashkëkohore, që janë të integruara në Kushtetutën e vendit tonë, dhe të fillojnë kthimin dhe kompensimin e pronave të konfiskuara, nacionalizuara dhe eksproprijuara në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka bërë me…