
Një mengjës ndryshe për Prishtinën – Uran Ismaili me një letër personale për qytetarët (Dokument)
Vetëm një ditë pas shpalljes së kandidaturës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili ka ndërmarrë një hap të veçantë dhe të pazakontë për politikën vendore; ai i është drejtuar qytetarëve përmes një letre të personalizuar, të shpërndarë në më shumë se 60 mijë shtëpi të kryeqytetit.
Letra e Ismailit përçon një mesazh të qartë: gjendja e Prishtinës nuk është ajo që qytetarët e duan dhe meritojnë dhe se “ky është momenti i fundit për të bashkuar forcat dhe për ta shpëtuar qytetin tonë”, shkruan kandidati i PDK-së.
Në tekstin e kësaj letre, Ismaili përmend problemet me të cilat përballen qytetarët çdo ditë – nga bërllogu, trafiku i stërngarkuar, mungesa e ndriçimit publik, qentë endacakë e deri te siguria e përgjithshme në rrugë. Ai shprehet i zhgënjyer me kaosin që sipas tij, e ka përfshirë qytetin, por njëkohësisht paraqet edhe zgjidhjet e para që do t’i ndërmarrë si kryetar i ardhshëm.
“Në javën e parë si kryetar i Prishtinës do ta hap sheshin Xhorxh Bush për qarkullim. Ky do të jetë vetëm hapi fillestar për zgjidhjet për trafikun dhe kaosin në qytet,” thuhet në letër.
Në vend të premtimeve për projekte madhore, Ismaili thekson se fushata e tij do të fokusohet në zgjidhje të prekshme dhe konkrete, që mund të bëjnë dallimin në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Dua t’i shërbej Prishtinës përnjëmend,” shkruan ai. “Qyteti ka nevojë për secilin prej nesh. Prandaj, bashkohu me mua që ta ringjallim Prishtinën duke fillu prej lagjes dhe hyrjes ku ti jeton.”
Letra përmbyllet me thirrjen: “Është Koha për Prishtinën! Nuk e kemi ndërmend me u dorëzu!”