
Një shoqëri e kidnapuar nga politika!
Shkruan: Ahmet Jashari
Një çift nga periferia, veshur me rrobat më të mira, që nuk ishin parë asnjëherë në ndonjë ngjarje kulturore as sportive, shfaqën në një tubim politik. Jo një, por shumë çifte, shumë djem e vajza, burra e gra, fëmijë e pleq, bëhen pjesë e jetës politike që duket si stil jetese dhe jo si një angazhim racional qytetar. Një trend i habitshëm për t’u dukur, për t’u shfaqur, për t’u realizuar. Një mundësi e mirë për të ekspozuar veturat e mira, rrobat e shtrenjta, aksesorët e shtrenjtë… Në fund një potencial i frytshëm për t’i mbushur rrjetet sociale me fotografi me liderin, shoferin e liderit, asistentin e liderit… Çfarë ekspozite e çoroditur e një shoqërie të rrëmbyer nga politika.
Një mërgimtar, i këputur nga puna e rëndë gjatë gjithë ditës, në vend të një pushimi të këndshëm me familje, gjen kohë pak para gjumit të përfshihet në politikën kosovare duke gdhendur në ndonjë status fejsbuku sharjet më të çmendura që mund të kesh lexuar e dëgjuar. Duket si një lloj shfryerje mllefi e ditës së rëndë që ka kaluar, para se të jetë një interesim i sinqertë për zhvillimet në atdhe. Të paktën edhe një tentim për t’u dukur ndryshe nga ai i vërteti që është gjatë ditës.
Në anën tjetër një profesor universiteti, me gradë shkencore, bën tifo për një politikan që e ka problem ta shkruaj një fjali pa gabime. Gjithë ditën mban ligjërata duke ju referuar Hegelit, Kantit, në mbrëmje zgjedh një politikan që nuk di të lexoj. Madje përkulet para tij, ashtu si nuk përkulet para prindërve të vet për shkak të egos së të “diturit”. Mirë nëse liderin nuk e ndërron me babën e vet, sikur shumë të tjerë.
Në qytet jehon zëri i hoxhës duke mbajtur ders për çështje politike. Xhemati dëgjon me interesim të madh preferencat politike të hoxhës, pa pasur guxim ta sfidoj asnjëherë të vetme. Zoti mbetet në plan të dytë. Në plan të dytë mbetet edhe shkenca në diskutimet e shkencëtarëve, në plan të dytë mbetet arti në diskutimet e artistëve, në plan të dytë mbetet sporti në diskutimet e sportistëve.
Një shoqëri që udhëheqet nga ritmi politik. Një shoqëri e kapur peng nga politika. Një shoqëri që politikën e ka si stil jetese. Një vend ku nuk prodhohet asgjë pos debateve politike, ku nuk lexohet asgjë pos komenteve politike në rrjete sociale.
Një politikë që politikën nuk e ka në shërbim të qytetarëve, por të politikanëve. Një politikë e mirë politikën e nxjerr nga jeta e përditshme e qytetarëve, duke i lënë vend punës, zhvillimit, kulturës, sportit. Politika e ka helmuar njeriun e këtij vendi, e ka zhveshur nga njerëzia, e ka egërsuar, ia ka ndotur diskursin. Politika ia ka ndotur jetën qytetarëve të këtij vendi!