
Një sukses historik/ 1500 spektatorë në koncertin për ditëlindjen e Nënës Terezë shfaqur nga Besiana Mehmedit& Shkodran Tolaj
Në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, u mbajt një koncert solemn i cili u shndërrua në një nga ngjarjet më madhështore kulturore dhe shpirtërore të kryeqytetit. Në nder të 115-vjetorit të lindjes së Shenjtores shqiptare dhe 20-vjetorit të bekimit të gurthemelit të Katedrales, Katedralja e Prishtinës mori pamjen dhe emocionin e një kremteje të ngjashme me atë të Vatikanit në vitin 2016, ditën e shenjtërimit të Nënës Terezë.
Program solemn dhe artistë të shquar Programi i përzgjedhur përfshiu vepra të muzikës klasike botërore dhe shqiptare: nga Mozart, Händel, Stradella, César Franck, Giuseppe Verdi e deri te krijuesit shqiptarë si Imzot Mikel Koliqi, Lorenc Antoni, Gjon Simoni, Avni Mula, Gjon Gjevelekaj dhe Sami Piraj. Çdo vepër mbante brenda mesazh shpirtëror dhe artistik, duke e bërë këtë mbrëmje një udhëtim muzikor të jashtëzakonshëm. Në skenë u ngjitën: • Besiana Mehmedi – mezosoprano • Mariana Leka – soprano • Gerald Murrja – tenor • Bledar Domi – bas • Safete Rogova – aktore • Xhevat Limani – aktor • Rudina Ciko – piano • Kori “Të Mirët e Kombit”, dirigjent maestro Zhani Ciko Koncerti u realizua nën kujdesin dhe drejtimin artistik të Shkodran Tolajt, i cili bashkërendoi me përkushtim çdo detaj të programit dhe interpretimit. Kulmet e mbrëmjes Koncerti nisi me Ave verum corpus të Mozartit dhe vijoi me Ombra mai fu të Händelit dhe Pietà Signore të Stradellës, duke e përshkuar sallën me një atmosferë solemniteti të thellë.
Një moment prekës ishte interpretimi i Panis Angelicus nga Gerald Murrja dhe Mariana Leka. Publiku u emocionua veçanërisht nga homazhi për Imzot Mikel Koliqin, përmes premierës së Arias së Rozafës, interpretuar nga Besiana Mehmedi, si dhe nga vepra Lamtumirë e Lorenc Antonit, me tekst të Nënës Terezë, kënduar nga Kori “Të Mirët e Kombit”. Safete Rogova recitoi me ndjenjë Lutjet e Nënës Terezë, ndërsa Besiana Mehmedi solli Nënës së mirë të Gjon Gjevelekajt. Aktori i madh Xhevat Limani përcolli fuqishëm figurën e kryeheroit Gjergj Kastrioti! Për herë të parë në Kosovë u interpretua edhe vepra Fanar – me tekst të Shkodran Tolajt dhe muzikë të Sami Pirajt, si dhe vepra a cappella “Me gjak shqiptari” e Gjon Simonit, mbi tekst të Nënës Terezë. Kulmin shpirtëror e solli “La Vergine degli angeli e Verdit” dhe Valsi i lumturisë i Avni Mulës, ndërsa përpunimi nga Chopin për ditëlindje u interpretua mjeshtërisht nga pianistja Rudina Ciko. Mbrëmja u përmbyll me këngën popullore të përpunuar “Ti më je si një gonxhe”, ku solistët, kori dhe publiku kënduan së bashku, duke e kthyer sallën e katedrales në një altar të përbashkët dashurie e mirënjohjeje.
Dy përjetime, një kujtim i përjetshëm Në fund Besiana Mehmedi&Shkodran Tolaj dhuruan dy punime të digjizalizuara nga Valmir Aziri, me portretin e Nënës Terezë për Katedralen e Prishtinës Ky koncert mbetet një dëshmi se arti dhe besimi janë ura që lidhin popujt dhe gjeneratat, duke i dhënë zë mesazhit të pavdekshëm të Nënës Terezë: “Ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri të madhe.” Publiku i kryeqytetit u ngrit disa herë në këmbë me duartrokitje të gjata, duke e shndërruar këtë koncert në një ngjarje të përmasave historike – një kujtim i përjetshëm për Kosovën dhe kombin shqiptar.