Një vepër me vlera për themeltarët e Albanologjisë

10 dhjetor 13:40

(Hazir MEHMETI, ”STUDIUES AUSTRIAKË E SHQIPTARË NË AUSTRI – në gjuhë, art dhe kulturë”, Lena, Prishtinë, 2019

 Recension nga Bedri TAHIRI

 Studiuesi për studiuesit

Një vepër hulumtuese me karakter antologjik mbi studiuesit austriakë dhe shqiptarë në Austri nga fusha e gjuhësisë, artit dhe kulturës. Brumi i saj nga e kaluara në vepra personalitetesh të njohur për kombin shqiptar e më shumë. Në shekullin e kaluar Austria ishte qendër e njohur për historinë e kontinentit dhe kombeve të tij. Zhvillimi i arsimit dhe shkencës mundësoi edhe zhvillimin e lulëzimin e kulturës, tani e përjetësuar në vepra të shumta, të shkruara nga hulumtues të mëdhenj, të cilët Evropës i dhanë kuptimin dhe imazhin prijës civilizues në botë.

Fatbardhësisht, edhe shqiptarët ishin në shënjestrën e penave të këtyre personaliteteve nga fusha e historiografisë, gjuhës, artit, shkencës dhe kulturës. Vjena ishte njëra nga qendrat ku dallohet me vepra të shumta e me rëndësi, lidhur me shqiptarët nga studiues gjermano folës dhe më vonë, në dhjetëvjetëshit e tretë, dhe të katër studiues shqiptarë. Rrethanat e rënda në territoret shqiptare nuk lejuan njohjen e këtyre personaliteteve, vlerësimin e tyre. Tani, në mesin e atyre që do merret me mbledhjen dhe studimet rreth veprimtarisë së atyre që studiuan në Austri, iu shtua, publicisti, studiuesi e krijuesi i palodhur, autori i librit në shqyrtim ”STUDIUES AUSTRIAKË E SHQIPTARË NË AUSTRI- në gjuhë, art dhe kulturë”, z. Hazir Mehmeti.

Në këtë vepër kushtuar studiuesve dhe krijuesve në Austri lidhen dy kohë veprimtarësh me të gjitha kontradiktat brenda hapësirës me bazë Epokën e Lindjes së Alfabetit, duke vazhduar me pavarësinë dhe përpjekjet për themelimin e institucioneve të mirëfillta të shteti dhe në ndërtimin e tij.  

Mr. sci. Hazir Mehmeti  me shkrimtarin austriak Peter Paul Wiplinger

Një Enciklopedi e llojit të vet

  Libri ”Studiues Austriakë e Shqiptarë në Austri, në gjuhë, art dhe kulturë”, shikuar hollë e hollë, paraqet një lloj enciklopedie shumë të vlefshme, me të dhëna të nevojshme e me fotografi, që pasqyrojnë bindshëm jetën dhe veprimtarinë e personaliteteve më të shquara që folën shqip në Austri, siç reflekton edhe vetë titulli.

Si moto të librit janë vënë thëniet lapidarë të tre kolosëve tanë: Fan Noli, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta si dhe fjala përshëndetëse e ambasadorit të Shqipërisë në Austri, z. Roland Bimo, i cili shprehet: “Thuhet se çdo gjuhë është një dritare e hapur për njohjen e botës… Përmes kësaj dritareje arritën të shohin albanologët e mëdhenj austriakë të vërtetën mbas mjegullave të historisë. Ishin Gustav Majer, Johan Georg fon Han, Miklosiç, Lybke, Jireçek, Shuflai, Karl Paç dhe Baroni Nopça, fillimisht duke hulumtuar shqipen, të cilët themeluan, argumentuan dhe mbrojtën etnogjenezën ilire të shqiptarëve.

Nga ana tjetër, janë me dhjetëra filologët e gjuhëtarët shqiptarë që janë formuar në Klagenfurt, Grac e Vjenë, duke filluar nga Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Karl Gurakuqi e deri tek Lasgush Poradeci e i madhi Eqrem Çabej- të gjithë shembuj frymëzimi për mijëra studentë shqiptarë që sot shkollohen në Austrinë mike, si edhe për fëmijët shqiptarë të lindur e rritur në këtë vend, mbështetja e të cilit është sprovuar gjatë historisë sonë të trazuar.

Duke e shfletuar, lexuar e shijuar kujdesshëm librin e Hazir Mehmetit ”STUDIUES AUSTRIAKË E SHQIPTARË NË AUSTRI- në gjuhë, art dhe kulturë” bindemi plotësisht se ai, vërtet, është një enciklopedi e llojit të vet, nga i cili mund të informohesh e të mësosh për shumëçka. Autori i rryer e me përvojë, Hazir Mehmeti, me një mjeshtri të rrallë ka arritur ta mbarështrojë mirë e mbarë gjithë atë mal faktesh: biografi, dokumente, fotografi, materiale arkivore, shkrime nga shtypi etj., të grumbulluara për gjashtë vjet rresht, duke e sistemuar e konceptuar në disa kapituj, të ndërlidhur me njëri- tjetrin, si mishi me thoin.

Në kapitullin e parë, që më shumë shërben si një hyrje, jepen në mënyrë telegrafike informacionet për shqiptarët në Austri, për shkollimin e tyre atje dhe ndikimi i austriakëve në çështjen shqiptare.

      Kapitulli i dytë shpërfaq qartë e natyrshëm kontributin e pazëvendësueshëm të gjermanofolësve për gjuhësinë shqiptare, duke nisur që me Arnold Fon Harffin, autorin e dokumentit të dytë i gjuhës shqipe, për të vazhduar me Johannes Thunman, Jakob Philipp, Fallmerayer, Johannes Georg von Hahn, Gustav Meyer, Leo Freundlichm Franz Baron Nopcsa, Jan Urban Jarnik, Norbert Jokl, Maximilian Lambertz, Franc Xaver Ritter Miklosich, Theodor Ippen Herman M. Ölberg Wilfried Fiedler e Dr. Kurt Goschtentshnigg etj.

        Ndërkaq në kapitullin e tretë mund të mësojmë për personalitete të njohura austriake me origjinë shqiptare, siç ishin: Gjergj Basta, Karl Gega e Aleksandër Moisiun, me të cilët krenohet edhe e gjithë bota e civilizuar.

Thelbin e librit në shqyrtim, padyshim, e përben kapitulli i katërt, ku pasqyrohet jeta dhe veprimtaria e mbi njëqind personaliteteve të mëdhenj shqiptarë në Austri, në mesin e të cilëve shquhen Hasan Prishtina, Kolë Rrota, Gjergj Pekmezi, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Hilë Mosi, Lasgush Poradeci, Karl Gurakuqi, Kristë Maloku, Skënder Luarasi, Pandeli Sotiri, Xhevat Korça, Sokrat Dodbiba, Eqrem bej Vlora, Marie Kraja, Aleks Buda, Eqrem Zenelaj e shumë e shumë të tjerë, deri tek studiuesit e shkencëtarët e ditëve tona, ku u dallua edhe vajza e autorit e nxënësja ime, Dr. Vlora Mehmeti- Tërshani, tashmë e ndjerë.

I rëndësishëm dhe mjaft interesant na del edhe kapitulli i fundit “Shoqëritë shqiptare në Austri”, ku, në mënyrë përmbledhëse e të argumentuar pasqyrohet jeta kulturore e veprimtaritë e begata të shoqërive, revistave, gazetave, gramatikave, klubeve, organizatave e shoqatave prodhimtare shqiptare në Austri.

Në kuadër të këtij kapitulli është futur edhe një shtojcë plotësuese me emrin “Dromca nga shtypi i kohës, kushtuar figurave të prezantuara në libër”, të cilat janë shkëputur nga botimet e mëhershme nëpër revista e gazeta të ndryshme nga vetë autori i librit.

Autori i librit me Prof. dr. Eqrem Zenelaj, Vjenë, nëntor 2019

Dhe, e gjithë kjo punë do të dilte e zbehtë fare, po mos të shfrytëzoheshin edhe foto të ndryshme, të cilat autori Hazir Mehmeti i ka për zemër. Nëse gjithmonë është thënë: Një foto flet sa njëmijë fjalë, atëherë, del se libri “STUDIUES AUSTRIAKË E SHQIPTARË NË AUSTRI- në gjuhë, art dhe kulturë ”, paskësh vlerë të madhe dhe, po del se paskësha pasur të drejtë kur, që në fillim, e quajta një Enciklopedi e llojit të vet!

     Në përmbyllje, autorit i dëshirojmë shëndet e suksese të mëtejme në fushën e krijimtarisë e librit mirëpritje nga lexuesit dhe bibliotekat tona!

* * *

 Të dhëna për autorin

Hazir Mehmeti u lind në  Besnik (ish Beçiq) Kosovë. Është pedagog, autor dhe publicist, është anëtar i Akademisë Pedagogjike të Tiranës.  Që nga viti 1996 jeton në Austri kur i njihet nënshtetësia mbi baza të  përndjekurit politik. Është anëtar i Asociacionit Ndërkombëtar të Gazetarëve Botërorë, Lidhjes së Shkrimtarëve e Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri dhe Diasporës në Gjermani. Nga Akademia Pedagogjike e Tiranës është botuar monografi për te me titull: “Mësues e Krijues në Diasporë”.  

Përveç aktivitetit mësimor merret edhe me publicistikë. Artikujt e tij e gazetaresk e hulumtues janë botuar në dhjetëra gazeta e revista shqiptare në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni dhe vende tjera. Është bashkëpunëtor i disa gazetave dhe revistave letrare në mërgatë dhe Atdhe. Ai është nismëtar në themelimin e e faqës së internetit dhe përgjegjës i saj për gjuhën shqipe(Schule-mehrsprachig) pranë Ministrisë së Mësimit të Austrisë. Është autor i Abetares së parë shqipe në Austri, botuar nga Ministria e Mësimit e Austrisë.  Abetare e standardeve të larta bashkëkohore. Gjithashtu, Haziri, është bashkautor i 19  teksteve mësimore për fëmijët në diasporë nga projekti i Prof. Dr. Dr.Basil Schader i mbështetur nga Ministria e Arsimit Shkencës e Teknologjisë e Kosovës.  Hazir Mehmeti ishe pjesë e projektit mbi metodologjinë me tekstet e reja, filmime didaktiko metodike u shfaqen në shumë seminare në disa vende.

Nga fusha letrare ka botuar:  Shëngjergji dhe tregime tjera; Kohëthyerja, tregime. Në gjermanisht, Zertrümerung der Zeit, e botuar nga PEN. Klubi Austriak Ka fituar në tri konkurse letrare në Austri dhe Zvicër, vendet e para në prozë, në njërin fiton vendet e para në prozë dhe poezi.  Nga Klubi letrar “Rifat Kukaj”, vlerësohet për vitin 2018 me çmimin “Krijues i vitit në diasporë”.  

Doli nga shtypi libri  “STUDIUES AUSTRIAKË E SHQIPTARË NË AUSTRI ”  nga veprimtari, veterani i arsimit shqip në Austri dhe autor i shumë botimeve  Mr. sci. Hazir Mehmeti

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në takimin e së martës krerëve të tri sindikatave SBAShK-ut,…