Një vepër studimore që e nderon shkencën e albanologjisë

13 prill 11:03

Prof. dr. Emin Kabashi

(Vebi Bexheti, “Magjia e fjalës poetike”, Tetovë, 2018)

Përkufizimi

Metodologjia e ndërtimit të strukturës së veprës studimore të Vebi Bexhetit, “Magjia e fjalës poetike”, është kushtëzuar nga natyra e shkrimeve që ka përfshirë autori në tërësinë e saj. Sado që në shikim të parë, ato duken tema të veçuara, lidhjen organike e krijojnë duke u mbështetur, jo vetëm në çështjet që ka marrë në trajtim, por edhe mënyrën e shkrirjes së tyre në një tërësi specifike, që veprës i jep frymë të një studimi tematik, gjë që në fund, të fundit është kërkesë e të gjitha veprave studimore në fushë të albanologjisë.

Hyrje

Në të gjitha studimet e veprës së prof. Vebi Bexhetit, “Magjia e fjalës poetike”, kanë përcjellës disa të dhëna elementare, që dëshmojnë për njohuritë e metodologjisë së strukturës shkencore të një vepre studimore. Këto karakteristika, nëse mund të quhen të tilla, duke filluar nga studimi i parë që ka përfshirë në veprën e tij, me titull Kur poezia ballafaqohet me politikën, e deri të studimi i fundit, që ka marrë në shqyrtim poezinë e një poeteje shumë të veçantë, për nga gjuha e krijimit poetik, për nga ndjeshmëria, si dhe për nga përkushtimi krijues, me titull Poezi me aromën e lules “Iris illyrica” të poeteshës Lindita Ahmeti, studimet e Vebi Bexhetit e kanë në fund, vitin e krijimit dhe literaturën përcjellëse. Qofshin vetëm këto dy argumente, e bindin lexuesin për përkushtimin e studiuesit në planin e informacionit shkencor, si dhe në rrafshin e njohjes së materialit që ka marrë në shqyrtim për studimet e tij.

Temat që ka përfshirë në veprën e tij studimore janë të shumta, por janë karakteristike. Janë të tilla, për faktin se janë përzgjedhur me kujdes, se trajtojnë aspekte të caktuar të aktit krijues, të akëcilës periudhë studimore, apo të akëcilit krijues, edhe me afër se kaq, për tema, motive dhe krijues të ndryshëm shqiptarë. Secila nga këto tema, secili nga këto motive, akëcili krijues, që ka marrë në shqyrtim, shpalojnë pjesë të tërësisë së studimit të tij, “Magjia e fjalës poetike”. Më thotë mendja, këtu dhe qëndron e veçanta e kësaj vepre studimore.

Arti i poezisë, zë i kundërt i sistemeve shoqërore

Në studimin e parë të veprës së tij studimore, Kur poezia ballafaqohet me politikën, gjerësia e shqyrtimit të kësaj përballjeje është e madhe dhe përfshinë disa periudha të zhvillimit të saj në gjuhën shqipe. Fillon me poetin më të madh të romantizmit shqiptar, Jeronim de Radën, pastaj me poetin tonë kombëtar, Naim Frashërin, duke ngulmuar që, jo vetëm të shtrojë rrugën e mundimshme të këtij ballafaqimi të artit të poezisë dhe të dhunës së pushtetit, sidomos kur ai është pushtet okupues, por edhe të shqyrtojë e të zbërthejë përbërësit themelorë të kësaj përballjeje të poezisë shqipe me pushtetet e periudhave të ndryshme kohore.

Studiuesi Vebi Bexheti, duke mos u ndalur në analizimin e strukturës dhe të ndërtimit të poezisë së akëcilit krijues, ka zgjedhur momentet kulmore të realizimeve të tyre poetike, në përballje me politikën, për të dëshmuar, jo vetëm forcën shpirtërore të artit të fjalës, pra magjinë e saj, por edhe ndikimin e saj në vetëdijesimin kombëtar të lexuesve. Andaj, jo rastësisht, në përzgjedhjen që ka bërë autori i kësaj vepre studimore, janë prekur kulmet e kësaj përballjeje, duke filluar me përfytyrimin epokal të Jeronim de Radës, se erdhi dita e Arbrit, doemos do vdesim, edhe për ardhjen e saj, duke vazhduar me figurën madhore të poezisë naimiane, se do të shndërrohej në qiri, vetëm për të ndriçuar rrugën e ardhjes, se Ditë më të mira paskëtaj vijnë, e deri të, ndoshta i fundit të romantikëve dhe modernistëve të mëdhenj të poezisë shqiptare, të vargjet e njohura të Lasgush Poradecit, kur mbreti i shqiptarëve i kërkonte të shkruante poezi për mbretërinë e tij.

“E ku mundet një poet\ me një copkë poezi/të lëvdoj ty o mbret/ që bëre një mbretëri”. As aluzionit, as ironisë, lexuesi i informuar i poezisë shqipe, nuk ka çka i shton këtij shqyrtimi të poezisë shqipe në përballjen me politikat e të gjitha sistemeve shoqërore nëpër të cilat ka kaluar zhvillimi i poezisë shqiptare, që ka marrë në shqyrtim studiuesi Vebi Bexheti.

Arbëreshët dhe njohja e studimore e krijimtarisë së tyre

Tema të caktuara në shqyrtimin dhe analizën studimore në veprën “Magjia e fjalës poetike”, të studiuesit Vebi Bexheti, megjithatë kanë ndonjë nuancë përkushtimi më të veçantë. Kësisoj, fjala vjen, në këtë vepër autori ka tri studime që merren me poezinë arbëreshe. Me poezinë moderne arbëreshe, si gjuhë poetike e identitetit kombëtare, me lirikën deradiane, që figurën e artit gojor e ka ngritur në poezi të mirëfilltë artistike të romantizmit shqiptar dhe e ka bërë moshatare të poezisë romantike evropiane, si tërësinë e ekzistimit të tyre historik, si dhe ka trajtuar praninë e arbëreshëve në poezinë e Martin Camajt.

Përkundër faktit se edhe poezia e sotme shqipe e arbëreshëve të Italisë, krijohet në rrethana krejt të tjera kohore dhe artistike, edhe të zhvillimit të poezisë shqipe në përgjithësi, ajo prapë së prapë, merret me të njëjtat tema dhe motive, siç edhe ajo e periudhave të tjera kohore, që nga romantizmi e epokat e tjera stilistike, nëpër të cilat është zhvilluar poezia shqipe e arbëreshëve.

Andaj, siç ka vërejtur edhe studiuesi më i njohur i krijimtarisë shpirtërore shqiptare të arbëreshëve të Italisë, Francisko Altimari, përkundër të dhënës se këta krijues jetojnë dhe krijojnë të rrethuar nga popullsi të ndryshme për nga kultura dhe gjuha, ata në poezinë e tyre, të cilën e ka marrë në shqyrtim studiuesi Vebi Bexheti, kanë ruajtur me xhelozi, gjuhën, zakonet, këngët, mallin për atdheun e të parë, si dhe veçori të tjera etnike, siç do të thoshte Altimari, në studimin e tij. (fq. 227-228).

Përkimet, ngjashmëritë, fryma lirike e temave epike, freskia krijuese, janë disa nga karakteristikat themelore që ka shqyrtuar studiuesi Vebi Bexheti, qoftë duke u mbështetur në mënyrë shteruese në studiues të tjerë, për të nxjerrë përfundime krejt origjinale lidhur me përkatësinë popullore të romanit dyfishtë lirik të Jeronim de Radës, “Këngë të Milosaos bir i sundimtarit të Shkodrës”.
Poeti që ende nuk njihet mirë në të gjitha mjediset shqiptare, Martin Camaj, duke u marrë aq gjatë dhe me aq përkushtim, edhe me studimet për jetën dhe të folmen e arbëreshëve, doemos që i ka pasur frymëzim edhe për poezinë e tij.

Autori i kësaj vepre studimore, Vebi Bexheti ka analizuar disa nga këto krijime të Martin Camajt, duke specifikuar sidomos moderniteti, por deri edhe hermetizmi, pra vargun e mbyllur të poezisë moderne shqiptare të arbëreshëve të Italisë, në punë të kuptimit apo të deshifrimit të saj.
Poezia Veshje arbëreshe, që jo rastësisht ka këtë titull, dëshmon për përkatësinë e identiteti kombëtar të arbëreshëve, që shënjohen edhe përmes veshjes së tyre me përkatësinë kombëtare që kanë marrë nga atdheu i të parëve.
Kurse në poezinë Pranverë në katundin arbëresh, autori konstaton se gjuha e poezisë së këtillë të Martin Camajt, është moderne, jo vetëm për temat që trajton, por edhe për thellësinë e mendimit dhe shkathtësinë e gjuhës, që e bën këtë poezi të përmasës evropiane.

Lasgushi dhe mbretërit shqiptarë

Pas këtyre temave studimore, vetëm edhe Lasgush Poradecit dhe poezisë së tij ia ka kushtuar dy studime të mirëfillta. Në njërin nga këto studime, ka hedhur poshtë me fakte të strukturës poetike të poezisë së Lasgush Poradecit, dilemën e Kristë Malokut, se a ishte poet Lasgushi ynë, si dhe ka shqyrtuar me akribi shkrimore, dy nga poezitë e tij karakteristike dhe domethënëse, poezinë “Zog i qiejve dhe poezinë “Kënga pleqërishte”.

Për poezinë e parë studiuesi mendon se është shenjë identifikuese e poezisë lasgushiane, pa lënë anash vlerat e poezive të tjera, duke paralajmëruar se në poezinë shqipe po vinte një frymë e re e këngëtimit poetik. Në analizën për poezinë Kënga pleqërishte, autori i studimit është marrë edhe me dilemën , cilën ka pëlqyer Lasgushi: këngën pleqërishte, apo këngën e lashtë të vjershërisë, duke i zbërthyer pastaj, edhe sipas mendimit të studiuesve të tjerë, edhe sipas qasjes origjinale që ka përdorur për shqyrtimin e vlerës poetike të këtyre dy poezive të Lasgush Poradecit.

Qofshin vetëm këto dy aspekte të trajtimit të poezisë së poetit tonë modern, dëshmojnë për përkushtimin e studiuesit që të përballet me vlera dhe krijime të tilla, që janë vlerat madhore të artit të poezisë shqipe.

Lumi Drin që ndan dhe bashkon tokat shqiptare

Një studim i mirëfilltë, krejt i veçantë, në veprën studimore “Magjia e fjalës poetike” të autorit Vebi Bexhetit, është edhe shqyrtimi analizues i pranisë së figurës poetike të Lumit Drin në poezinë shqipe. Nuk janë me rëndësi faktet e jashtme, pse autori e ka marrë në shqyrtim këtë figurë në poezinë e shumë krijuesve shqiptarë, por është me rëndësi, se ai ka zbërthyer vlera të mirëfillta poetike të poezisë së krijuesve të ndryshëm shqiptarë, në studimin e tij.

Duke filluar me poezinë e Lasgush Poradecit, ku përmendet edhe Drini plak e i përrallshëm, për të cilën ndonjëherë poeti është kritikuar nga analistë ideologjik të kohës, studiuesi Vebi Bexheit, ka numëruar edhe autorë të tjerë që e kanë temë të poezisë së tyre, e kanë motiv frymëzimi, Lumin Drin, siç janë Azem Shkreli – “Ti di diçka të kaltër/ e të thellë për etjet tona/”.

Kurse Martin Camaj, në poezinë e tij, përveç si hidronim, i jep veti mitologjike, që më thotë mendja, është karakteristike e poezisë së tij me këtë motiv, sepse Lumi Drin, del edhe si dëshmi poetike edhe për lashtësinë dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve, pa marrë parasysh, se gjeografia e këtij populli ishte e copëtuar. Andaj, ai e paraqet edhe dhembjen, edhe mallin, ashtu si i ka hije poetit të mirëfilltë: “Zemra më asht e ndame dyshë/dyshë mes dy dhenash/ dyshë mes dy kohash/dyshë mes dy shijeve” (408). (Vijon)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka sqaruar se Projektligji i ri…