Një vështrim i shkurtër për librin ‘Eskadronët e vdekjes’ të autorit Bardhyl Mahmuti

01 nëntor 2021 | 18:28

Shkruan: Musa Gashi

Ishte njëri ndër udhëtimet që po bënim bashkë me disa nga shokët e burgut, gjatë kësaj vere, dhe si zakonisht derisa po bisedonim për tema të ndryshme, njëri nga shokët përmendi librin “Eskadronët e Vdekjes”.

Dhe, derisa i dëgjoja tek flisnin me aq pasion për këtë libër, me veten time u zotova se do ta lexoj sa më parë që do të kem mundësi.

Fatkeqësisht, mund të konstatojmë se është kjo kohë e një krize leximi, sikur jemi mësuar të lexojmë vetëm shkrime të shkurtëra dhe vetëm në mënyrë elektronike, dhe sikur na ka humbur durimi të lexojmë ndonjë shkrim më të gjatë. Madje, edhe nëse nuk është shkrimi i shkurtër që do të lexohej me një frymë, sikur nuk na tërheqë për ta lexuar. Natyrisht që kjo është e dëmshme dhe kjo mënyrë e të lexuarit pashmangshëm na shtyen të funksionojmë sipërfaqësisht si qenie, dhe ashtu sikur një frymëmarrje sipërfaqësore e cila dëmton mushkëritë tona ashtu edhe kjo formë e leximit është fatale për ne si lexues.

Kisha një udhëtim të planifikuar për pushime në fund verë, dhe më duhej te fluturoja me aeroplan, kështu që mund të them se i erdhi radha edhe këtij libri. Si çdoherë kur kam ndonjë udhëtim të tillë, marr me vete ndonjë libër, për të shmangur sadopak pritjet e bezdisshme ne aeroport dhe kohën gjatë fluturimit.

Dhe, sa fillova ta lexoj, më bëri për vete, me mënyrën brilante të të shkruarit dhe me përmbajtjen e tij. Edhepse kishte shumë faqe të shkruara, keto faqe po harxhoheshin shpejtë. Nuk mundja ta hiqja nga duart, dhe asgjë përreth nuk më pengonte që të thellohesha brenda tij. Në shumë nga ato ngjarje që përshkruheshin në formë të një kronike, më dukej se isha pjesëmarrës edhe vet.

Që në fillim më ra në sy dedikimi, ku pos tjerash i dedikohej edhe Natasha Kandiq për kontributin në ngritjen e zërit të saj kundër gjenocidit në Kosovë, dhe padyshim që ky e rriste interesimin tim për këtë libër.

Personalisht, si njëri nga të burgosurit në kazamatet serbe, nga takimet që kam pasur me zonjën e nderuar Natasha Kandiq, gjatë kohës sa isha i mbajtur në kampin e përqendrimit në Burgun e Mitrovicës së Sremit bashkë me shumë shokë të tjerë të burgosur shqiptarë, apo edhe më pas, pasi jam liruar nga aty, kam përshtypje të jashtëzakoshme për këtë zonjë të nderuar, veprimtare e devotshme dhe intelektuale, e cila me veprimtarinë e saj në Fondin për të Drejtën Njerëzore (Fond za Humanitarno Pravo) kishte bërë aq shumë për ndriqimin e shume ngjarjeve të luftës dhe qeshtjen e te pagjeturve në Kosovë. Për këtë ajo gëzonte respektin tim maksimal.

Ajo qe më ra në sy menjeherë në këtë libër ishte këndvështrimi i veçante i paraqitjes se ngjarjeve. Ishte vetë gazetari serb (Mifi L.), i cili përmes paraqitjeve ne mediat vendore ne Serbi dhe ne media te njohura nderkombetare, paraqiste tmerrin e asaj qe kishte dëgjuar nga pjesëmarrës ne masakrat e zhvilluara kudo në Kosovë gjate luftës, të cilët i ishin rrëfyer atij, të tmerruar çfarë kishin parë dhe të penduar për atë që kishin bërë.

Me tutje, deri në detaje janë paraqitur torturat e përjetuara nga ai gjate marrjes ne pyetje dhe burgosjes neper qendra te ndalimit dhe burgje, tortura të cilat në një ose mënyrë tjetër i kishin perjetuar pothuajse të gjithë shqiptarët e burgosur në Serbi. Por edhe bashkëbisedimi qe kishte pasur me te burgosurit shqiptare brenda në burg, si Sadik Zeqiri etj., te cilët me rrëfimin e të vërtetës së tyre të perjetuar në kazamatet serbe e kishin lënë ate pa fjale, dhe perjetimin e tij nën hije. Nga ata, ai kishte mesuar per tmerrin që shqiptarët e burgosur kishin perjetuar në burgjet serbe, për torturat ç njerëzore, për Masakrën mbi të burgosurit në Burgun e Dubravës dhe gjithë tmerrin e përjetuar neper burgjet apo më mirë të themi kazamatet serbe.

Si i burgosur kisha pasur rastin t’i takoja në burg shumë nga të burgosurit shqiptarë, si Naitin, Dinin, Ismetin, Skendën, Izetin, Muhametin, Xhevatin, me pas me Bajrushin, Bislimin, Isakun, Xhelalin, Defin, Sadikun e plot të tjerë, nga të cilët kisha dëgjuar për perjetimet në burg, dhe kisha krijuar bindjen se burgu ishte vendi ku kishte filluar rezistenca. Serbia duke tentuar qe me burgosje te shuante rezistencen, po i ndodhte e kundërta. Pothuajse te gjithe te burgosurit politikë shqiptarë pas daljes nga burgu kishin vazhduar rezistencën edhe më me këmbëngulje, dhe liria e Kosovës pos tjerash kishte rrenjet edhe ne burgjet serbe.

Ne kete libër gjen shume detaje nga ngjarjet e ndryshme te luftës te ndodhura ne Kosove, nga masakrat e ndryshme te ndodhura gjate asaj kohe, por edhe nga zhvarrimi, transporti dhe fshehja e shqiptarëve të masakruar, në mënyrë çnjerëzore, neper varrezat masive kudo në Serbi.

Mënyra e të shkruarit të këtij libri është e thjeshtë, rrëfimi është i rrjedhshëm, dhe ky rrëfim arrin të të emocionoj shpesh gjatë leximit.

Ky libër më shtyn të hulumtoj dhe gjej edhe shkrime të tjera të autorit Bardhyl Mahmuti, për t’i lexuar.

Ky është një libër i mirë për t’ia preferuar për ta lexuar dhe dhuruar një miku.

Dhe, në fund, ky libër do të ishte nje skenar i mirë për film për luftën e Kosovës.

(Musa Gashi është ekspert mjeko-ligjor në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe ish i burgosur gjatë luftës.)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria suedeze ka zgjatur ndalimin e hyrjes në këtë shtet…