Njeriu që i donte ashensorët

14 maj 2025 | 14:42

CHARLES BUKOWSKI

Harry qëndronte në sheshpushim duke pritur ashensorin. Bash kur u hap dera dëgjoi zërin e një femre prapa vetes: “Prit pak, të lutem!” Ajo u fut në ashensor dhe dera u mbyll. Kishte të veshur fustan ngjyrë të verdhë, flokët i kishte lidhur në majë të kresë, ndërsa vathët e trentë të margaritartë tundeshin në zin­xhirët e gjatë të argjendtë. Kishte bythë të madhe dhe të gjitha i kishte me bollëk. Sisët e saj dhe trupi dukej se luftonin që të dalin si furtunë nga ai fustan i verdhë. Sytë i kishte të gjelbër në të zbehtë dhe e shikonin bash atë. Mbante një qese me sende ushqimore në të cilin qe shtypur fjala Vons. Buzët i kishte të lyera me të kuq buzësh. Buzët e lyera pashije ishin të pahijshme, pothu­ajse të shëmtuara, fyese. Buzëkuqi i ndritshëm e i ndezur shkël­qente, ndërsa Harry zgjati dorën dhe shtypi butonin urgjencë!

Ia doli, ashensori u ndal. Harry u nis drejt saj. Me një dorë ia çoi fustanin dhe ia nguli sytë këmbëve të saj. Kishte këmbë të pabesueshme, sall muskuj dhe mish. Dukej e shokuar, e shtan­gur. Ai e kapi në çastin kur ajo e lëshoi qesen e sendeve ushqimore. Konserva perimesh, një avokado, letër higjienike, mish të paketuar dhe tri çokollatëza ranë në dyshemenë e ashensorit. Pastaj goja e tij ishte në ato buzë. Ato u çelën. Me dorë ia çoi fustanin. Gojën e mbante në gojën e saj dhe nisi t’ia heqë brekët. Pastaj, ashtu duke qëndruar në këmbë, e mori, me vrazhdësi e shkun­dullonte për muret e ashensorit. Kur ejakuloi, mbylli zinxhirin, shtypi butonin për katin e tretë dhe priste me shpinë kthyer kah ajo. Kur u çel dera, ai doli. Dera u mbyllë prapa tij, ndërsa ashen­sori u zhduk.

* * *

Harry eci deri te banesa e vet, futi çelësin dhe e çeli derën. Gruaja e tij, Rochelle, ishte në kuzhinë duke përgatitur darkën.

“Si kalove?” – pyeti ajo.

“Mutsihane e njëjtë” – tha ai.

“Darka do të jetë gatë për nja dhjetë minuta” – tha ajo.

Harry shkoi në banjë, hoqi teshat dhe bëri një dush. Puna ia këpuste shpirtin. Gjashtë vjet punë, ndërsa ai nuk e kishte asnjë dysh në bankë. Ja se si të fusin në kurth – të japin sa për ta mbaj­tur shpirtin gjallë, ama kurrë s’të japin mjaft që të mund të shpë­tosh.

U sapunis mirë, hoqi shkumën dhe ende qëndronte aty, duke lejuar që uji goxha i nxehtë t’i binte teposhtë qafës. Ia merrte lodhjen me vete. U fshi me peshqir dhe veshi penjuarin, u fut në kuzhinë dhe u ul pranë tavolinës. Rochelle hidhte ushqimin në pjata. I bënte qoftet e mira me lëng mishi.

“Dëgjo” – tha ai – “ma jep ndonjë lajm të mirë”.

“Lajm të mirë!”

“E di ti çka”.

“Menstruacionet!”

“Po”.

“Ende s’kanë ardhur”.

“O Zot!”

“Kafja ende s’është gati”.

“Ti gjithmonë harron”.

“E di. Nuk e di pse po më ndodhë kjo”.

Rochelle u ul dhe filluan të hanë pa kafe. Qoftet ishin të mira.

“Harry” – tha ajo – “mund të abortoj”.

“Në rregull” – tha ai. “Në qoftë se vjen puna deri aty”.

Të nesërmen mbrëma u fut në ashensor dhe fill i vetëm u vozit. Shkoi deri në katin e tretë dhe doli. Pastaj u kthye, u fut në ashensor dhe shtypi butonin. Zbriti deri në përdhes, doli, shkoi tek automobili, u ul dhe priste. E pa derisa vinte rrugës, kësaj radhe ishte pa sende ushqimore. Ai e hapi derën e automobilit.

Kësaj here ajo kishte të veshur fustan ngjyrë të kuqe, më të shkurtër dhe që i puthitej më shumë pas trupit sesa ai i verdhi. Flokët i kishte të lëshuara dhe i binin në rruazë të shpinës. Pothuajse në bythë. I kishte po të njëjtët vathë të trentë, ndërsa buzët i kishte lyer me buzëkuq edhe më shumë se më parë. Sapo u fut në ashensor ai hyri pas saj. Ashensori u nis përpjetë dhe ai prapë e shtypi butonin urgjencë. Pastaj iu sul, buzët e tij u kapën në atë gojë të kuqe të paturpshme. Prapë nuk kishte gete, sall çorapë të kuqe deri në gju. Harry ia hoqi brekët dhe ia rrasi. Shkundulloheshin në katër anët e mureve. Zgjati më shumë se herën e kaluar. Pastaj Harry mbylli zinxhirin, ia ktheu shpinën dhe shtypi butonin “3”.

Kur e çeli derën Rochelle ishte duke kënduar. Kishte zë të lemerishëm, kështu që Harry shpejt e shpejt u fut nën dush. Doli i veshur me penjuarin e tij, u ul pranë tavolinës.

“O Zot” – tha ai – “katër veta i pezulluan nga puna sot, bile edhe Jim Bronsonin”.

“Qe besa, boll keq” – tha Rochelle.

Në tavolinë kishte vënë biftek dhe patate të skuqura, sallatë dhe bukë të valë me hudhër. Jo dhe aq keq.

“A e di se sa gjatë ka punuar Jimi atje?”

“Jo”.

“Pesë vjet”.

Rochelle nuk u përgjigj. “Pesë vjet” – tha Harry. “Atyre bash s’ua ndien. Ata qen nuk kanë mëshirë”.

“Kësaj radhe s’e kam harruar kafenë, Harry”.

Ajo u përkul dhe e puthi derisa ia mbushte filxhannin. “A po e sheh, po përmirësohem?”

“Po”.

U kthye dhe u ul. “Sot më kanë ardhur”.

“Çka? Përnjëmend?”

“Po, Harry”.

“Sa mirë, sa mirë…”.

“Nuk dua të kem fëmijë derisa ti nuk e do, Harry”.

“Rochelle, duhet të festojmë me një shishe vere të mirë! Unë do të shkoj ta marr pas darke”.

“Veç e kam marr, Harry”.

Harry u çua dhe kaloi rreth tryezës. Qëndronte pothuajse prapa Rochelles dhe ai anoi kokën mbrapa me njërën dorë përfundi mjekrës dhe e puthi. “Të dua, shpirtkë”.

Hëngrën darkë. Ishte darkë e mirë. Bashkë me një shishe të mirë vere.

* * *

Harry doli nga automobili derisa ajo u fut në për-dhes. Ajo e priti dhe së bashku u futën në ashensor. Kishte veshur fustan ngjyrë të kaltër në të bardhë, një lule të stampuar, këpucë të bardha, çorapë të bardha deri te noçkat. Prapë flokët i kishte lidhur në majë të kresë dhe pinte cigare Benson & Hedges.

Harry shtypi butonin e urgjencës.

“Prit pakëz, zotëri!”

Ishte hera e dytë që Harry ia dëgjoi zërin. Zëri ishte pakëz i ngjirur, ama fare nuk ishte zë i keq.

“Po” – tha Harry – “ç’u bë?”

“Shkojmë në banesën time”.

“Mirë e ke”.

Ajo shtypi butonin “4”, u ngjitën, dera u hap dhe ata ecën teposhtë korridorit deri te 404. Ajo e hapi derën.

“Banesë e mirë” – tha Harry – “më pëlqen”.

“Deshe të pish gjë?”

“Sigurisht”.

U fut në kuzhinë. “Unë jam Nana” – tha ajo.

“Unë jam Harry”.

“E di që je, ama si e ke emrin?”

“Qenke zbavitëse” – tha Harry.

Ajo u kthye me dy pije dhe u ulën në kauç dhe i pinë. “Unë punoj te Zody” – tha Nana. “Jam arkëtare te Zody”.

“Bash mirë”.

“Po çfarë të mire ka aty?”

“Dua të them, është mirë që jemi bashkë këtu”.

“Vërtet?”

“Po qe besa”.

“Hajde shkojmë në dhomën e gjumit”.

Harry e ndoqi. Nana e mbaroi pijen e vet dhe gotën e zbrazët e vuri në komo. U fut në dollap. Ishte dollap i madh. Zuri të këndojë dhe t’i heqë teshat. Nana këndonte më mirë se Rochelle. Harry u ul në cep të shtratit dhe sosi pijen. Nana doli nga dollapi dhe u shtri në shtrat. Ishte cullak. Qimet në pidhin e saj ishin më të errëta sesa flokët e saj.

“Epo?” – tha ajo.

“Oh!” – tha Harry. Zbathi këpucët, hoqi çorapët, zhveshi këmishën, pantallonat, brekët, pastaj u shtri në shtrat pranë saj. Ajo ktheu kokën dhe ai e puthi. “Dëgjo” – tha ai – “a duhet të jenë të ndezura gjithë këto drita?”

“Natyrisht se jo”. Nana u çua dhe fiku dritën mbi kokë dhe dritën anës shtratit. Harry ndjeu gojën e saj në të vetën. Gjuha e saj nisi të lëvrinte në gojën e tij. Harry i ra sipër. Ishte shumë e butë, disi si dyshek me ujë. E puthte dhe ia lëpinte sisët, ia puthte gojën dhe qafën. Vazhdoi ta puthte edhe për një kohë.

“Ç’të ka gjetur ore?” – pyeti ajo.

“Nuk e di” – tha ai.

“S’po shkon, ë?”

“Jo”.

Harry u çua dhe nisi të vishet në errësirë. Nana ndezi dritën anës shtratit.

“Çka m’je ti? Maniak ashensorësh?”

“Jo, jo”.

“Mund ta bësh sall në ashensor, a?”

“Jo, jo, ti ishe e para, përnjëmend. Nuk e di se ç’më ka gjetur”.

“Ama tash ja ku më ke” – tha Nana.

“E di moj” – tha duke i veshur pantallonat, pastaj u ul dhe nisi t’i mbathë çorapët dhe këpucët.

“Dëgjo, o hajvan!”

“Po?”

“Kur të jesh gati dhe kur të më dëshirosh, eja në banesën time, a more vesh?”

“Po, mora vesh”.

Harry ishte krejtësisht i veshur dhe prapë qëndronte.

“Kurrë më në ashensor! A more vesh?”

“Mora vesh”.

“Po qe se prapë më dhunon në ashensor do të të padis, për besë”.

“Mirë, mirë”.

Harry doli nga dhoma e gjumit dhe nëpër dhomën e ndenjes doli jashtë. Eci deri tek ashensori dhe shtypi butonin. Dera u hap dhe ai u fut. Ashensori nisi të lëshohej teposhtë. Pranë tij ishte një grua orientale e imët. Kishte flokë të zeza, edhe fustan të zi, bluzë të bardhë, gete, këmbë të vogla, tabanë të vocërr, këpucë me taka të larta. Ishte zeshkane, sall një fije buzëkuqi. Ai trup i vogël kishte bythë të hatashme, karjoshëse. Sytë i kishte të kaftë dhe të thellë dhe dukeshin të lodhur. Harry zgjati dorën dhe shtypi butonin urgjencë. Derisa lëvizte drejt saj ajo piskati. Ai ia futi fytyrës një shpullë të fortë, nxori faculetën dhe ia futi me zor në gojë. Me njërën dorë e shtrëngoi për beli. Derisa ajo ia gërvishte fytyrën me dorën e lirë, ai zgjati dorën teposhtë dhe ia çoi fustanin. I pëlqente atë që shihte.

Përktheu nga anglishtja: Fadil Bajraj.

Marrë nga numri 23 i revistës “Akademia”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ali S. Gashi B.I. N.T.P “Liria Te Lulja” shpall të…