Noli biblik, klerik – poet i angazhuar

11 dhjetor 2025 | 08:38

BUJAR MEHOLLI

Në fillimin e shekullit XX shqiptarët po përballeshin me shumë vështirësi, ku viheshin në pah shtypja, shfrytëzimi e pabarazia në një popull të varfër dhe në pjesë të madhe analfabet. Pikërisht këto probleme sociale ishin frymëzimi kryesor i disa intelektualëve shqiptarë si Andon Zako Çajupi, Noli e Migjeni që përmes artit i evidentonin dhe bënin përpjekje t’i shfaqnin idetë e tyre drejt përmirësimit të kësaj jete mjaft të vështirë. Fan S. Noli është një nga këta inte­lektualë që qoftë përmes artit, qoftë përmes aktivitetit politik, ishte pranë vegjëlisë dhe brengave të tyre.

Vitet ’20-’30 janë periudhë kur letërsia shqipe zhvillohet ndje­shëm dhe pasurohet me më shumë motive; poezia që deri atëherë shkruhej rëndom mbi motive patriotike, tashmë shkruhej në një dimension tjetër ku spikasnin meditativja dhe intimiteti. Kësisoj nisi një shkrimtari e prirë nga gjuha ekspresive (Migjeni) përmes së cilës shfaqej revolta intelektuale kundrejt realitetit. Kjo letërsi ishte novatore për shkak të temave që trajtonte dhe këndvështri­mit të veçantë poetik që piketonte.

Tashmë problematika shoqërore është në plan të parë dhe në letërsi zë vend të rëndësishëm. Poetët si Migjeni përmes artit ekspresionist bëhen zë proteste dhe zëdhënës të popullit. Siç e definon shkrimtari austriak Hermann Bahr, “ekspresionizmi lindi mbi bazë proteste dhe kritike. Ndaj ai mund të quhet pa asnjë dyshim një art opozicioni. Njeriu kërkon duke ulëritur shpirtin e vet, një britmë e vetme ankthi ngjitet pas kohës sonë. Edhe arti ulërit nëpër terrina, kërkon ndihëm, thërret shpirtin: është ekspre­sionizmi”.[1]

Kritiku i parë shqiptar Faik Konica shënoi kthesë në kulturën shqiptare kur mbajti qëndrim të theksuar kundrejt nacionalizmit shpërthyes mitoman dhe bëri thirrje për qëndrim realist e kritik ndaj vendit me gjithë të mirat dhe të metat e tij. Fan S. Noli, duke qenë nën petkun fetar si prift ortodoks, në veprimtarinë artistike zbrazi dufin duke bërë thirrje për ngritje kundër padrejtësive që po kryheshin mbi popullin shqiptar, mbi vegjëlinë siç shprehej ai.

Vargjet e poezisë “Anës lumenjve” e dëshmojnë më së miri këtë thirrje:

Ngrehuni dhe bjeruni,

korini dhe shtypini,

katundar’ e punëtorë

që nga Shkodra gjer në Vlorë![2]

Poezia e ndërtuar mbi simbole, tema e mesazhe biblike, Nolit do t’i shërbejë për ta pasqyruar tablonë shqiptare të asaj kohe kur kushtet sociopolitike i detyronin intelektualët poetë të ngriheshin dhe të bënin thirrje për ndryshimin e gjendjes.

Studiuesi Ali Xhiku, kur flet për dimensionin fetar tek inte­lektualët shqiptarë, shprehet: “Adhurimi i Zotit mbetet një nga motivet më të afërta e të vlerësuara të lirikës shqipe të dhjetëvje­çarëve të parë të shekullit XX”.[3]

Në bazë të kësaj mund të konkludojmë se disa intelektualë – poetë shqiptarë – përdorin artin dhe bindjet fetare për të qenë sa më bindës dhe depërtues te masa. Përveç Nolit, këtë e kanë bërë edhe poetë si Andon Zako Çajupi e Asdreni. Ky i fundit në një poezi vë në pah peripecitë e Krishtit dhe sakrificën drejt qëllimit të lartë për t’i sjellë mirësi dhe paqe njerëzimit:

Për ty edhe Krishti vajti në kryq,

prej zijës ta shpëtojë njerëzinë

t’i thajë lotët, t’i mbjell dashuri,

balsam t’ju sjellë shpirtrave të munduar.[4]

Duhet theksuar se këtu kemi të bëjmë me ndikimin nga iluminizmi francez që nuk e cenon besimin në Zot, por sulmon dogmën fetare. Këto vizione universale i shohim të pranishme në poezinë shqipe të kësaj kohe. Ky ndikim iluminist ndihet te këto vargje të poetëve shqiptarë që tashmë shfaqin mendimet dhe për­siatjet filozofike në artin poetik.

Përveç këtyre ideve që lidhen me besimin fetar, poetët shqiptarë kishin si mision para vetes bindjen e lexuesve për përqafimin e të resë, modernes, paçka se nuk kërkohej të hiqej dorë nga besimi.

Fan S. Noli si intelektual me petk fetar, arriti ta pasurojë letër­sinë shqipe me vetëm një përmbledhje poetike, Albumin, ku qëndrojnë poezitë me frymëzim fetar. Ky besim i Nolit, siç e kemi parë nga Autobiografia, zë fill herët në fëmijëri dhe mbetet i patun­dur, i thellë gjatë tërë krijimtarisë letrare artistike. “Jam marrë me histori, letërsi dhe muzikë me raste, por feja ka qenë puna e jetës sime, sepse e fillova karrierën time si njeri i Kishës në 1909 dhe jam akoma njeri i Kishës mbas 50 vjetësh”, shprehej ai. Noli ishte i ndodhur në një kohë të rënduar nga gjendja sociopolitike shqiptare, andaj në poezitë e tij i shohim të pasqyruara ngjarjet e kohës në të cilat ishte pjesëmarrës. Jezu Krishti, heroi i tij i përjetshëm, është dominues në poezi. Noli donte ta krijonte mitin e vetes, të dyzohej me Krishtin dhe të depërtonte te shqiptarët. Me pak fjalë, donte të ishte Jezu Krisht që fliste dhe mendonte shqip. Në disa vargje hasim ngjashmëri të madhe me Biblën, sikurse në këtë rast te poezia “Anës lumenjve”:

Anës detit i palarë,

anës dritës i paparë,

pranë sofrës i pangrënë,

pranë dijes i panxënë.[5]

Në Bibël, te kapitulli i Lukës, hasim këto vargje mjaft të ngjashme me të Nolit.

Edhe pse shohin, ata nuk shohin asgjë, edhe pse dëgjojnë, nuk kuptojnë asgjë[6]

Poezitë me motive biblike të Fan S. Nolit, përmes muzikalitetit të theksuar, përcjellin si mesazh kryesor luftën e përhershme mes hyjnores dhe djallëzores, diturisë dhe profanes, mes të mirës dhe të keqes, dështimit dhe fitores. Noli, duke përdorur simbolet, përshkruan realitetin shqiptar dhe luftën ndaj kundër­shtarëve politikë. Noli ka dhënë kontribut mjaft të madh edhe me korpusin e shkrimeve teologjike-kishtare me anë të përkthimit të veprave biblike pasi që u shugurua prift.

Si zotërues i gjuhëve të rëndësishme dhe i shquar për shkathtë­sinë e përkthimit, ai do t’u sjellë besimtarëve ortodoksë shqiptarë një sërë veprash me interes të cilat do t’i përmendim më vonë. Fan S. Noli e shihte veten si misionar në mesin e shqiptarëve; prirej nga ideja e njeriut të dërguar në tokën shqiptare për t’i prirë popullit, por kjo natyrisht nuk ishte një rrugë e lehtë sikurse nuk qe për Jezu Krishtin. Kësaj figure dominuese në artin e tij Noli dëshiron t’i ngjante sepse ashtu mund ta përhapte të vërtetën në popullin shqiptar dhe t’ua dëshmonte atyre se ishte aty për ta. Kështu gjen pika të përbashkëta me Krishtin, duke e quajtur çlirimtar dhe kryetrim, Njeri-Perëndi, që vjen në mesin e shqip­tarëve për t’i shpëtuar. Noli e bën Krishtin hero që i mbron trojet shqiptare nga tradhtarët dhe dashakëqijtë.

Mensur Raifi thekson se në pothuajse gjithë krijimtarinë e Nolit është e pranishme ideja mbi rrugën e shenjtë të misionarit dhe dhimbja për gabimet e bëra dhe pësimet: “Krishti është i shenjtë, Krishti është i shfronësuar. Kryeprofeti bisedon me Zotin, por nuk i jepet të shkelë në Tokën e Premtuar. Ai është i shenjtë, por i kapitur, i tronditur, shpirt-këputur, atij dita i ngryset, përdhe përmbyset, ai është me zemër të ngrirë, me lot në sy, arratiset, përpliset, ai është shpresëthyer. Krishti është i shenjtë, Krishti është i braktisur. Jezui është çlironjës Mesi, Njeri-Perëndi, i fortë, i urtë, i ëmbël, dhe i shfronësuar”.[7]

Për ta çuar këtë ide përpara, Noli nuk resht asnjë­herë gjatë veprimtarisë artistike dhe politike. Edhe kur shqipëron kryeveprat e letërsisë botërore, ai ka qëllimin e njëjtë: tendencën për ta paraqitur veten si njeri të shenjtë që shfrytëzon potencën artistike-erudite në të mirë të popullit, qoftë si poet, politikan apo për­kthyes, duke sjell veprat madhore të artit botëror për ta ndryshuar mendësinë shqiptare që ishte ende larg emancipimit karshi botës perëndimore. “Noli duke riaktualizuar për shpirtin shqiptar dhe shoqërinë shqiptare vlerat e letërsisë botërore, para së gjithash, nga ato kërkon një funksion shoqëror”.[8]

Noli ka qenë i prirë nga kërkesa e brendshme që e shtynte drejt të mirës dhe sjelljes dritë te lexuesi (siç bënte para tij poeti roman­tik Naim Frashëri), përmes një poezie të fuqishme, nganjëherë me perceptime surreale, tek e cila shfaqen trazimet shpirtërore karshi realitetit. Caku që niset ta arrijë përmes artit poetik është e mira, hyjnorja, vëllazëria dhe barazia që duket sikur krijojnë utopinë majtiste noliane, në linjë me platformën ideologjike të rilindësit të madh Sami Frashëri.

Në poezitë e Nolit kemi të bëjmë me ndërthurjen e motiveve biblike, politike dhe shoqërore. Këto motive biblike ai i përdorë si simbole, por jo apriori nga aspekti teologjik. Ajo që e bën intere­sante veprimtarinë dhe personalitetin e Nolit, është se ai asnjëherë nuk kushtëzohet a privohet nga petku a dogma fetare, përkun­drazi shfrytëzon këtë përparësi duke përcjellë me tone të zjarrta dashurinë ndaj atdheut dhe gjuhës shqipe te shqiptarët.

Fan S. Noli bëhet tribun i shqiptarëve dhe i vegjëlisë, qoftë me fjalimet, qoftë me shkrimet e fuqishme, duke mbrojtur të drejtat e popullit dhe duke u përpjekur për emancipimin e tij. Për ta parë Nolin si një profet të shqiptarëve përmes fjalëve plot patos, ndër­mendim këtë shprehje të poetit romantik Jeronim de Rada, që te vepra e tij e njohur Skënderbeu i pafan (1870) thoshte se poezia është një privilegj si dhe profecia, ajo nuk bëhet (nuk prodhohet) sipas vullnetit të njeriut. Vizioni i veprimit hyjnor për ndryshimin e fateve të njerëzve është një dhunti e profetëve, përgatitja për jetën e lartësive u përket vetëm poetëve të lindur. Nisur nga kjo, Fan S. Noli mund të merret si poet bashkëpunëtor i perëndisë krijuese, kur dihet se në Dhiatën e Vjetër fjala e Zotit është akt krijimi i mirëfilltë, ndërsa poeti është ai që krijon diçka në tokë.

Filozofi antik Platoni e sheh muzën si gjë thelbë­sore për krijimin e artit poetik. E njëjta thuhet edhe në shkrimet e shenjta, aty ku profeti shihet shpesh si një poet që bëhet zëdhënës i perëndisë në popull dhe i transmeton mesazhet e tij. Ky ndër­mjetës komunikon me masën përmes gjuhës analogjike. Poeti francez Gérard de Nerval thotë se “vetëm poeti mund ta kapër­cejë pragun që ndan jetën reale nga një jetë tjetër”.[9] Poezia është konsideruar si e lidhur me të shenjtën, me hyjnoren. Nëse i shohim librat e shenjtë, qoftë Biblën, Kuranin a Talmudin, do të shohim se edhe fjalët e shenjta u janë përcjellë besimtarëve për­mes modelit estetik dhe stilistik.

Kështu depërtohet më lehtë fjala hyjnore te njerëzit, në rastin e kontaktit të poezisë me religjionin, ndikimi te publiku apo masa mund të jetë i lehtë. Poeti është parë si qenie e ndryshme nga të tjerët, zotërues i dhuntive të veçanta që i vijnë nga lart. Sipas poetit francez Francis Jammes, “poeti është pelegrin i dërguar nga Perëndia mbi tokë, me qëllim që të zbulojë gjurmët e mbetura nga Parajsa e humbur dhe nga Qielli i rigjetur”.[10]

Fan S. Noli si intelektual dhe poet ishte i angazhuar; në gjenezë të kësaj fjale, kemi kuptimin se “i angazhuar” do të thotë “të mos jesh indiferent ndaj një çështjeje të caktuar”. Si i tillë, angazhimi mund të jetë fizik ose ideologjik dhe Noli i takonte këtij të fundit, ku përfshihet politika dhe letërsia si aktivitet.

Angazhimi artistik, të themi, daton herët që nga antikiteti. Atë­herë artistët e teatrit përmes skenës shfaqin kundërshtinë e tyre ndaj sundimtarëve dhe hierarkive, mirëpo për angazhim zhanri më tipik dhe mjeti më i fuqishëm është poezia, sepse përmes saj autori mund ta pikasë lexuesin dhe të ndikojë tek ai për përçimin e ideve. Në shekullin XX shohim se termi letërsi e angazhuar nis të përdoret më shumë. Por, si lindi poezia e angazhuar gjatë këtij shekulli?

Natyrisht që kjo lidhet me kontekstin e caktuar historik atëherë kur shpërthyen luftërat botërore, fetare, konfliktet e ndryshme, diktatura hitleriane, dhuna sistematike, racizmi, pabarazitë, shkelja e të drejtave njerëzore, punëtore etj. Këto e vënë poetin para një sfide të madhe. Dhe përmes artit ai mundi të vendosë të vihet në shërbim të ndonjë kauze të caktuar, siç bëri Noli në shërbim të popullit dhe kundër tiranive e padrejtësive që ndodh­nin në kurriz të tij.

Realiteti është ai që i intereson poetit të angazhuar. Përmes poezisë ai ka për synim ta dekodojë atë dhe shndërrohet në luftëtar kundrejt pushteteve politike. Këta poetë zbrazin dufin e tyre duke u bërë thirrje brezave të ardhshëm që mos t’i harrojnë situatat e vështira dhe mos t’i përsërisin gabimet e njëjta. Pas një qëllimi të tillë rendi dhe u vendos edhe Noli që si njeri religjioz në parim, lë pas vetes gjëra si martesa apo krijimi i familjes në kuptimin konservativ, duke u koncentruar me të gjithë poten­cialin në shërbim të popullit dhe kauzës. Edhe në diskutimet parlamentare, Noli mbruste idetë fetare në sinkron të përparimit dhe unitetit – fjala vjen është karakteristike një polemikë me Mirash Ivanajn për konstatimin e Gjergj Fishtës se katolicizmi i dha hov qytetërimit. Noli i del në mbrojtje kolegut të tij të dyfishtë, siç shprehet, prift dhe deputet. “Qytetërimin evropian – thotë Noli – e kanë bërë katolikët me Renesancën e Italisë; këtë e njeh gjithë historia, librat e Ipolitit, njeriut klerikal. Kultura katolike e rriti në militarizëm kryetrimen Joana d’Arkën e kryetrimin t’onë Skënderbeun; kultura katolike asht e para qi i shtynë popullin të mprojë atëdheun e vet. Priftrijtë katolikë kanë kudo shkolla ma të mira”. Kundër qeverisë zogiste ishte edhe Ivanaj i cili gjithsesi nuk e shihte përparimin tek ajo ideologji qeverisëse reaksionare, ndaj shkruante: “Pyetjet, po, por ç’përgjigje i jep vetes? Pa dashtë, më shpëtoi edhe një pyetje! Kjo pyetje – mjerisht, për ne, që kemi qeveri dezertuese detyrash, qeveri abdikuese ndjesinash shqiptare, harruese cilësish dhe traditash shqiptare – a nuk përfshin përgjigjen? Nuk di…”[11]

Filozofi humanist holandez Erazmo Roterdami për njerëzit religjiozë shprehet se “i lënë pas dore të gjitha ato që kanë lidhje më të afërta me trupin dhe janë të kapluar fund e majë me kundrimin e gjërave të padukshme”.[12] Po sipas këtij filozofi, shpirti do të jetë i fuqishëm atje ku do të veprojë.[13] “A do të jesh i lirë? – pyet frati dominikan, predikuesi proto-protestant, Girolamo Savonarola – ahere mbi gjithçka duaje Perëndinë, të afërmin tënd, njëri-tjetrin, duaje të mirën e përbashkët – ahere do ta gjesh lirinë e vërtetë”.

Noli, ashtu si Gjergj Fishta, jepet pas misionit ide­alist-hyjnor me tërë potencialin e tij human. Siç thekson në Autobiografi, është i predestinuar për ta lidhur fatin me Shqipërinë. “Fan Noli thellë në zemrën e tij ndiente se tanimë ishte i lidhur për kauzën e Shqipërisë, dhe se tërë fuqinë e vet lipsej t’ia kushtonte këtij misioni para se t’i shkonte mendja gjetkë”.[14]

Në kontekstin social poeti gjerman Bertolt Brecht, bashkë­kohës i Nolit dhe kundërshtar i zjarrtë i regjimit nazist të Hitlerit, është i ngjashëm me poetin shqiptar sa i përket luftës së paepur kundër regjimit autokratik përmes forcës artistike. Poeti revolu­cionar gjerman në një nga poezitë shprehet fuqishëm:

Do të bëhesha me gjithë qejf një i urtë,

në librat e vjetër shkruhet se ç’është e urtë:

të rrish larg grindjeve të botës dhe këtë kohë të shkurtër

pa frikë ta kalosh,

të merresh vesh pa dhunë,

të keqen me të mirë ta shpërblesh,

dëshirat e tua të mos i përmbushësh, por t’i harrosh,

kështu është i urti.

Të gjitha këto s’mund t’i bëj:

me të vërtetë, po jetoj në kohë të errëta![15]

Siç thekson edhe teoricieni francez Roland Barthes, shkrimi realist nuk mund të jetë asnjanës: “Shkrimi realist është larg së qeni asnjanës”.[16] Duke qenë në mes të një situate të tendosur sociopolitike, Noli shfrytëzoi artin, poezinë, për ta zbrazur dufin kundrejt pushtetit të Zogut, kundërshtar i të cilit ishte gjatë gjithë karrierës politike. Ashtu si poeti gjerman Brecht, Noli shprehet për gjendjen e caktuar shpirtërore, pra gjendjen e rënduar emocionale nga rrëzimi që i bëri Ahmet Zogu qeverisë së tij pasi që e mbajti pozitën e kryeministrit për gjashtë muaj. Qershori i vitit 1924 u duk sikur grisi napën e një Shqipërie të rrëgjuar, feudale e reaksionare. Megjithëse, siç thoshte Luigj Gurakuqi në Popolo d’Italia, nuk ishte tamam revolucion i vërtetë, por grusht shteti, përmes tij Fan Noli arriti në qeveri. Kjo përmbysje – pa gjak­derdhje a përdorim të forcës e dhunës revolucionare – erdhi për shkak të revoltës ushtarake ndaj regjimit të Zogut, çka bëri që të jetësohet ky si grusht shteti. Ardhja e Nolit në pushtet gjithsesi nënkuptonte një forcë të re qeverisjeje, ani pse problemet e shumta ishin evidente.

Vetëm poezia “Anës lumenjve” nëse analizohet hollë, shihet qartë dufi i madh i shfaqur, njëkohësisht shpresa se shqiptarët, megjithatë, do të ngrihen dhe do t’i dëbojnë ata që nuk punojnë për të mirën e atdheut.

Fan S. Noli pasqyron gjendjen e rëndë të popullit në pjesën e parë të poezisë derisa në pjesën e dytë shpresën dhe optimizmin për një revoltë dhe kundërvënie ndaj Mbretit dhe vartësve të tij.

“Me anë të shprehjes së tërthortë, poeti e sjell edhe atmosferën, gjendjen e masave popullore që përgatisin përmbysjen e kësaj shtypjeje dhe tiranie. Noli, revoltën e akumuluar të masës, tërbi­min e saj të brendshëm që bëhet gati të shpërthejë e shpreh edhe përmes fryrjes dhe buçitjes së lumit Vjosë dhe Bunë, ku krijon figurën impresive të paralelizmit”.[17]

Do të shohim më poshtë gjatë analizës së këtyre lirikave politike të ndërtuara mbi motive biblike, se si Noli i çmistifikon figurat biblike duke i përpunuar dhe zbritur në tokën shqiptare me qëllim të caktuar, demaskimin e figurave real-politike. Këtyre figurave poeti u jep funksione alegorike dhe simbolike, gjithnjë duke aluduar në ngjarjet konkrete politike dhe në realitetin shqiptar të kohës. I vetëdijshëm për mungesën e unitetit në mes të shqiptarëve, atij i duhej ta shtrinte autoritetin gjer aty sa të zbatohej programi duke eliminuar, po qe nevoja me forcë, çdo pengesë, derisa ndër shqiptarët konservatorë e indiferentë të vendoseshin demokracia, sundimi i ligjit, reforma agrare e konfiskimi i pasurisë së pronarëve të tokave që kishin krijuar perandoritë e tyre aristokratike. Jehonë programit të Nolit i bënte shtypi liberal shqiptar, kurse Bashkimi u bë mbështetësi kryesor, ngaqë kjo organizatë ishte apriori kundërshtuese e regjimit monarkik të Zogut. Kjo vendosmërisht u angazhua në luftën kundër feudalizmit dhe u bashkua me Nolin. Ajo që kërkohej me ngulm ishte kthesa rrënjësore, reforma urgjente. Kjo përfshinte ndryshime të mëdha në indin e politikës, arsimit, ushtrisë, shtypit; nga çarmatimi, denoncimi i plëngprishësve, te siguria dhe pava­rësia ekonomike me reformën agrare. Vizioni i Nolit ishte i pakapërdishëm për mendësinë prapanike, kolektive, shqiptare. Çarjet brenda kabinetit u bënë të dukshme. Disa, si Qafzezi, ishin kundër konfiskimit të pasurive. Nga elementë kundërshtues të Nolit, kjo pikë e programit u pa si manovër e stilit bolshevik. Qeveria e Nolit shtoi masat radikale kundrejt armiqve, pushoi nga puna prefektë dhe nënprefektë, hoqi leje për përdorim armësh dhe ndaloi mbledhjet e fshehta, gazetat kontrolloheshin dhe dënoheshin kundërshtuesit. Ky makiavelizëm i Nolit, kjo aurë me premisa diktatoriale, ndikoi në krijimin e reputacionit negativ në botën perëndimore; ai kritikohet për autokraci dhe regres. Revista The Near East e kritikon për kthim te censura dhe kontrolli shtetëror. Bashkimi vazhdonte punën e palodhur revolucio­nare aktivisht, por kërkonte përshpejtimin e revolucionit, derisa Shala-Qafzezi shpallnin me dekret se prona private do të respektohej. Kështu pika të rëndësishme të programit ngelnin veçse në letër si, fjala vjen, reforma agrare dhe arsimi, megjithëse në intervistën për gazetën beogradase “Vreme”, Noli thoshte se “reforma agrare ka për t’u zbatuar me anën e një dekret-ligji. Si t’i mbarojmë krejt reformat e nevojshme për ta bërë Shqipërinë një shtet modern ahere do të bëjmë zgjedhjet dhe do ta mbledhim parlamentin e ri, jo më parë. Pra, kjo mund të zgjatet ca”. Por nuk arrihej dot mobilizimi i fshatarësisë, as përgjithësisht iluminizmi shqiptar, aq i kërkuar. Pozicioni qeverisës i Nolit dobësohej gradualisht. Vajtja në Lidhjen e Kombeve me Luigj Gurakuqin për të kërkuar hua për trajtimin e problemeve pezull dhe për mbrojtjen e çështjes së Kosovës, sikur shënjon shprishjen përfundimtare të qeverisë së tij. Duke shfrytëzuar mungesën dymuajshe, bejlerë e reaksionarë nëpër mitingje antifeudale bënin dekrete në mbrojtje të pronës private, duke i dënuar për agjitacion kundërshtuesit dhe tentonin ta ndalonin arbitrarisht ndikimin e Bashkimit; qeveria e Nolit u përça përbrenda. U shpërbë dalëngadalë duke e privuar kështu legjislacionin përparimtar. Pa e marrë dot huan, i papranuar nga Perëndimi e nga Jugosllavia (këta të fundit e shihnin Nolin dhe turbullirat në Shqipëri si propagandë bolshevike, kurse kryemi­nistrin shqiptar si autoritar, i cili ua kishte marrë me forcë pronat të gjithë bejlerëve që nuk e kishin pranuar sundimin e tij duke i degdisur jashtë Shqipërisë; po ashtu atyre u konvenonte rroko­puja shqiptare dhe jostabilizimi politik), nën trysni të madhe, i rrezikuar nga Zogu në sfond, i pakuptuar, Noli gjendej në udhëkryq. Kërkohej edhe dorëheqja e tij. Programi sistematik nuk u vu dot në funksion. Atë pakënaqësi grusht shteti ndaj Zogut – nga një konglomerat individësh tek të cilët plekseshin karrierizmi, konservatorizmi, pasurimi i shpejtë, antagonizmat krahinorë e xhelozitë mes bejlerëve – Noli synoi ta shndërronte në revolucion shoqëror për ta arritur përparimin. Nuk ia doli. Këtu qëndron moskuptimi i madh nga bashkëkombësit e tij, amullia që u krijua gjatë kohës sa qeverisi,[18] ani pse në një intervistë për gazetën greke “Skrip”, në tetor të atij viti, Noli do të shprehej: “Qeveria e sotme shqiptare është më e forta dhe më e qëndrueshmja nga të gjitha qeveritë që ka pasur gjer më sot; ata që nuk mundën të bëjnë parla­ment në tri vjet, ne e bëmë në tri javë. E pakësuam numrin e nëpunësve në 20 %, rrogat i ulëm nga 10-40 %. Gjer në fund të vitit shpresojmë të ballancojmë buxhetin. Regjimi i ardhshëm i Shqipërisë do të jetë republika. Të gjithë ministrat e sotëm janë republikanë”.

Zhvillimet politike shqiptare ndiqeshin me vëmendje edhe në Rusi. Ja, ç’shkruhej në dokumentet arkivore. “T’i bëhet e qartë Komitetit të Kosovës dhe elementëve të majtë në qeverinë e Fan Nolit dhe rreth saj se mjeti i efektshëm, kryesor, për dështimin e përgatitjeve që po bëhen për rrëzimin e pushtetit është zgjidhja e menjëhershme e problemit agrar, në aleancë me masat fshatare, në mënyrë që ato, duke u bashkuar përsëri, të ngrihen me vendo­smëri kundër të gjitha synimeve për rivendosjen e pushtetit të pro­narëve të mëdhenj të tokave, përfaqësuar nga Ahmet beu.”[19] “Një grup heterogjen ku përfshihen Zija Dibra (në burg), Hasan Prishtina, Mustafa Kruja dhe Gurakuqi, ish-ministër i financave në qeverinë e Fan Nolit. Grupi vepron kryesisht në Shqipërinë e Veriut dhe shpreson në ndihmën e klerik katolik; ndjek një vijë politike të paqëndueshme, mes anëtarëve ka shumë dallime. Bajram Curri dhe grupi i tij, me bashkëpunëtorin e afërt Bedri Pejanin, gëzojnë autoritet të plotë në Shqipëri dhe Vilajetin e Kosovës – Organizata rinore Bashkimi i ka vënë vetes si detyrë bashkimin e të gjitha grupimeve. Fan Noli dhe shokët e tij që dallohen për ideologjinë e tyre mikroborgjeze dhe të paqëndrue­shme nuk kanë përvojë praktike”[20].

Veprimtari politik Sejfi Vllamasi në kujtimet e tij ka qasje kritike ndaj qeverisë së Nolit e cila, siç gjykon, “kishte humbur autoritetin në popull dhe besimin se mund të bënte diçka për të mirën e vendit.”[21] Sipas tij, vendi ishte zhytur në anarki; mungesa e vullnetit qeverisës dhe vëllavrasjet e bënin rrezikun evident me Ceno Kryeziun e Muharrem Bajraktarin e Kosovës që po e merrnin Kukësin, dhe me kapitenin Hysni Peja që do t’i bindej Zogut i cili donte ta jepte përshtypjen se aksionet ushtarake të prefekturës së Kosovës nuk ishin kundrejt tij. Vllamasi tregon udhëtimin nga Vlora për në Brindisi të Italisë, në hotel Interna­tional, me Luigj Gurakuqin, Dervish Mitrovicën, Mustafa Maksutin e Mustafa Krujën – në atë mbledhje Noli, mes të tjerash, do të thoshte: “Gurakuq, ne kemi bërë shumë gabime”.

Noli, siç e portretizon Vllamasi, gjithnjë më i sinqertë se të tjerët, rrojti mustaqet dhe mjekrën e zezë madhështore, duke thënë: “Këtë borç që i pata Shqipërisë po ia laj dhe nuk e vlen barra qiranë për përpjekjet për një popull njëmilionësh malarik, por duhet të përpiqemi për popullin kinez (400) milionësh”.[22] Kështu, gjykon tutje Vllamasi, “nga kryengritja e qershorit, Noli në politikë u tregua krejt i paaftë; me gabimet trashanike që bëri qeveria e tij, të brendshme e të jashtme, ia hapi dyert e Shqipërisë invadimit të Zogut dhe për këtë gjë ai është përgjegjës, si kryetar qeverie, përpara historisë.”[23]

Për Vllamasin, Noli me politikat e tij i bëri dëm çështjes kombëtare ani pse në anën tjetër e quan vigan letrar dhe krijues të Kishës Autoqefale Shqiptare që i varrosi ëndrrat greke për grabi­tjen e Shqipërisë së Jugut – “Fan Noli në fushën e letërsisë i ka bërë shërbime të mëdha kombit. Ai meriton çdo lavdi dhe mirë­njohjen e thellë të kombit. Unë përulem me respekt përpara shërbimeve të tij” do të deklamonte ai.

[1] Hermann Bahr, cit. nga Mario De Micheli, Protesta e ekspresionizmit, revista Palimpsest, 2017. (përkthyer nga Zef Paci).

[2] Fan S. Noli, Albumi, Rilindja, Prishtinë, 1968, f. 66.

[3] Ali Xhiku, Letërsia shqipe si polifoni, Dituria, Tiranë, 2004, f. 113.

[4] Asdreni, Poezi të zgjedhura, Dituria, Tiranë, 2000, f. 89.

[5] Fan S. Noli, Albumi, Rilindja, Prishtinë, 1968, f. 65.

[6] Bibël, Luka, 8:10.

[7] Mensur Raifi, Lasgushi, Noli, Migjeni, Rilindja, Prishtinë, 1986, f. 36-37.

[8] Ibrahim Rugova e Sabri Hamiti, Kritika letrare, Rilindja, Prishtinë, 1979, f. 186.

[9] Gérard de Nerval, Les Filles du feu, cit. Jean-Louis Jobert, La poesie, Armand Colin, Paris, 2003, f. 37.

[10] Francis Jammes, Le livre de Saint-Joseph, Plon-Nourrit et Cie, Paris, 1921, f. 3-5.

[11] Mirash & Martin Ivanaj, 24 orët e fundit të mbretërisë së Zogut, ditar, Botimet Toena, Tiranë, 1997.

[12] Erazmo Roterdami, Lavdërim marrisë, Rilindja, Prishtinë, 1982, f. 149.

[13] Po aty, f. 149.

[14] Fan S. Noli, Autobiografia, Rilindja, Prishtinë, 1968, f. 72.

[15] Poezi gjermane dhe austriake, Sh. B. Naim Frashëri, Tiranë, 1987, f. 117. (përkthyer nga Petraq Kolevica).

[16] Roland Barthes, Aventura semiologjike, Dukagjini, Pejë, 2008, f. 120. (përkthyer nga Rexhep Ismajli).

[17] Ali Aliu, Teoria e letërsisë, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Prishtinë, 1986, f. 31.

[18] Nga Noli i pakuptuar, vështrim për Nolin si burrë shteti, botuar në revistën Peizazhe të Fjalës.

[19] Dok. nr. 26, 15 dhjetor 1924, Vjenë. Pjesë nga protokolli nr. 61 i mbledhjes së Presidiumit të FKB-së, Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse, Instituti shqiptar i studimeve politike, përgatitur nga Islam Lauka dhe Eshref Ymeri, Botimet Toena, 2006, f. 61-62.

[20] Dok. nr. 32, 20 janar 1925, Vjenë. Pjesë nga protokolli nr. 5 i mbledhjes së Presidiumit të FKB, po aty, f. 70

[21] Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri 1897-1942, kujtime, Sh. B. Reklama, f. 393

[22] Po aty, f. 405-406

[23] Po aty, f. 409

Marrë nga numri 25 i revistës “Akademia”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KADRI MEHMETI Në çdo kohë të ekzistencës njerëzore, miti, përralla,…