Nora Gjakova flet si trajnere
Xhudistja e njohur kosovare, Nora Gjakova, e cila prej më shumë se dy dekadash ka qenë pjesë e suksesit të madh të xhudos kosovare, po kalon në një fazë të re të karrierës së saj, atë të trajneres.
Në një intervistë për “Kosovapress”, ajo ka treguar për përgatitjet, sfidat dhe vizionin e saj në këtë rol të ri, pa fshehur mirënjohjen për mbështetjen që ka marrë përgjatë rrugës.
Gjakova: Jam certifikuar si trajnere e xhudos
“Është një fazë në të cilën tani ndodhem, në fazën e tranzicionit prej sportistes në trajnere. Po përgatitem që t’i bëjë të gjithë hapat e mundur që në momentin që kaloj njëqind përqind në rolin e trajneres, nëse vetëm e vendosi me qenë një tranzicion më i lehtë. Punët çka duhen po i kryej, kam marrë certifikatën për trajnere, i kam udhëhequr deri më tani edhe fëmijët në gara, madje edhe ekipin nacional të djemve. Gjithçka po shkon mirë dhe shpresoj që ta kem një tranzicion më të mirë dhe në momentin që vendos njëqind për qind të tërhiqem nga gara, ta kem një të ardhme më të lehtë dhe më të qartë se çfarë do të bëj”, theksoi Gjakova.
Ajo ka shpjeguar se të qenit trajnere sjell një përgjegjësi krejtësisht tjetër nga ajo e sportistes.
“Të jesh trajnere është përgjegjësi e madhe”
“Normal që është një lloj ndryshimi më i madh. Nuk është njëjtë sikur të jesh sportiste e sikur të jesh trajnere, ka përgjegjësi më të mëdha, nuk mendon vetëm për vete por duhet të mendosh për një numër më të madh. Por besoj që do të shkojë lehtë sepse e kam përkrahjen e Tonit (Driton Kuka), e kam përkrahjen e federatës dhe po vazhdoj në një vend ku jam pjesë e atij vendi për më shumë se 22 vite, e di se si punohet, çfarë fryme, cili është vizioni ynë edhe gjithçka do të jetë më e thjeshtë”, ka thënë Gjakova.
Gjakova ka folur edhe për mënyrën se si trajnerët duhet t’i qasen brezave të rinj për të cilët thuhet se rrjetet sociale po ua humbin fokusin në punë dhe stërvitje.
“Si trajnerë duhet ta ndryshojmë qasjen ndaj sportistëve të rinj”
“Normal që është por edhe ne si trajner duhet ta kuptojmë dhe duhet të punojmë me atë çfarë kemi, duhet ta kuptojmë që gjeneratat e reja nuk mund të bëjnë ndryshim të madh, ndoshta ne si trajner duhet t’iu përshtatemi atyre sepse është kohë tjetër edhe puna e trajnerit nuk është e njëjtë si para disa viteve edhe tani, kështu që si trajnere normal që do të mundohem t’i kuptoj gjeneratat e reja dhe të punoj në atë drejtim, është një qasje më moderne në sport dhe duhet të punojmë në atë mënyrë, përndryshe nuk do të mundemi të kemi bashkëpunim”, ka theksuar Gjakova.
Ajo është shprehur e privilegjuar që punon pranë emrave ikonë të xhudos kosovare si Driton Kuka e Majlinda Kelmendi.
“Jam me fat që punojë bashkë me Majlindën dhe Tonin”
“Po, normal jam në të njëjtin vend sikur ata. Mjafton vetëm të jesh në atë vend dhe t’i shohësh se si punojnë dhe ta kuptosh mënyrën e trajnerit, kështu që jam me fat që e kam këtë mundësi duke qenë afër dikujt që i ka arritur majat botërore, olimpike dhe nuk ka vend më të mirë për ta bërë punën e trajnerit se sa vendi ynë sepse si garues kemi pasur suksese por edhe si trajnerë. Pesë medalje olimpike tregon që në klubin tonë, në federatën tonë është bërë një sukses, është bërë një punë shumë e mirë që mjafton për ta ndjekur atë rrugë”, ka thënë Gjakova.
Në fund, Gjakova ka folu edhe për rëndësinë e mbështetjes për gratë dhe vajzat në sport, pasi ishte nënshkruese e deklaratës “Brighton Plus Helsinki”, një dokument ndërkombëtar i cili promovon barazinë gjinore në sport.
“Federata e Xhudos është shembull për mundësi të barabarta për gratë në sport”
“Mendoj që është shumë e rëndësishme. Unë dhe ekipi ynë kemi qenë gjithmonë me fat sepse Federata e Xhudos na ka mbështetur në çdo hap që e kemi bërë nga fillimi e deri te sporti elitar, deri në Lojërat Olimpike dhe kjo është qëllimi i kësaj deklarate që të mbështeten vajzat dhe gratë në sport nga niveli më i ulët e deri te niveli më i lartë. Kjo është ajo që e kemi bërë ne por normal që është më ndryshe nëse nënshkruhet ai dokument sepse edhe federata merr përgjegjësi dhe padyshim se do të punojë edhe më tepër rreth këtyre çështjeve dhe besoj se federata jonë është shembull në këtë drejtim për të drejta të barabarta, po punon gjatë gjithë kohës që me pas ne mundësi si femra dhe gra që të kemi mundësi të shumta, jo vetëm në sport por edhe jashtë sportit në pozicione të ndryshme”, ka thënë Gjakova.
Me një karrierë të ndërtuar mbi përkushtim dhe sukses, Nora Gjakova është një nga sportistet më të mëdha që ka prodhuar Kosova. Ajo është kampione olimpike në Tokio 2020, fituese e titullit evropian, shumëfish kampione e Grand Prix dhe Grand Slam, si dhe medaliste në Kampionatin Botëror.



