Nuancat poetike të një libri
Sadik Krasniqi
Fran Tanushi, Shkarpa, Geer, Tiranë, 2015
Shkarpa si një fjalë e stërmoçme shqipe, si e tillë – një relikt për autorin, shndërruar në arketip metaforik, bëhet shenjë grafiti e librit më të ri (i treti me radhë), i Fran Tanushit.
Me gjeografinë e shkarpës është i lidhur emocionalisht dhe shpirtërisht Fran Tanushi, ngase e fismja e tij vjen nga ky vend i lashtë mirditas. Ky toponim te ky autor është shndërruar në sublimim poetik. Përzgjedhja e kësaj fjale polisemike, si metaforë, nuk bëhet vetëm titull i librit, por artikulohet në referencë poetike.
Semantika si dhe semiotika e diskursit poetik të këtij libri nis me poezinë pararendëse Shkarpa, që në njëfarë mënyre është një pergamenë e një palimpsesti evokues. Palimpsesti i kujtesës është i pashkatërrueshëm, thotë Bodleri. Këtë e dëshmon edhe Fran Tanushi përmes kësaj poezie. Në këtë metapoezi interdiskursi realizohet bukur përmes interkomunikimit:
Shtegtar i tretur udhëve të botës
po të qiti ndonjëherë
me u kthye në Shkarp
merre ndize një shkarpë të terur,
lutet autori, dhe vazhdon:
mirëseardhje të urojnë
në atë ambient të heshtjes
zërat e ikur shekujve…
Kjo poezi si prelud shërben si portë hyrëse në leximin e mëtutjeshëm të librit.
Konceptualiteti strukturor i librit është bërë në cikle sipas temave dhe motiveve.
Andaj, sipas këtij parimi, kemi këto cikle: atë meditativ, refleksiv, përkushtimor, ciklin me temë mërgimi si dhe atë erotik.
Te ky libër ndarja nuk është bërë me mbitituj, siç është bërë rëndom te shumica e autorëve, por është ndarje përmes sentencave poetike të cilat përzgjidhen nga ndonjë kontekst semantik e semiotik të ndonjë strofë.
Këto sentenca janë njëherazi konstrukte përmbajtjesore të krejt ciklit dhe janë në njëfarë mënyre imanente me intencë dekodimi në ciklin vijues.
Fran Tanushi është poet i nuancave dhe inventiv. I gjithë libri i tij më i ri, por edhe librat e tjerë, janë shkruar në shenjë kërkimi të formës dhe përmbajtjes së re poetike. Ky element vërehet në shumë këndvështrime.
Figuracioni poetik i këtij poeti është mjaft i pasur me figura të shumta stilistike dhe trope. Te ky libër gjejmë simbole, alegori, apostrofime, shpirtëzime, krahasime, metonimi, më së shumti metafora. Këtë figurë poetike te Tanushi e gjejmë si fjalë metaforike, sintagmë metaforike si dhe sentencë metaforike. Me këto metafora autori Fran Tanushi krijon imazhe, situata, ndodhi reale dhe areale me një abstraksion poetikisht të bukur.
Poezia e këtij poeti anon nga hermetikja, por është e ndritshme dhe e interpretueshme, e kapshme dhe mjaft atraktive për interpretim nga lexuesi elitar ose lexuesi semiotik, siç e definon Umberto Eko. Tanushi dhe pse kryesisht lirik, ka një fije të hollë epizmi, andaj në poezinë e tij ka narracion dhe ngjarje.
Gjuha poetike në vëllimin e poezive Shkarpa është gjuhë shumë e pasur, është gjuhë standarde e plotësuar shpesh me gegërishte që poetikes së tij i jep nuanca dhe kolorit shumë të bukur emocional, ambiental dhe përshkrues.
Poezia e Fran Tanushit është poezi eliptike. Eliptikja te ky autor vjen në shprehje më tepër jo te fjalët, por te frazeologjia. Andaj, struktura vargore na del e shkurtër dhe me metrikë konstante, që imponon një intonacion melodik dhe shpesh solemn.
Krahas normativës moderne te ky poet shpesh gjejmë edhe premisa nga urtësia dhe mençuria popullore dukagjinase, e që poeti i inkorporon bukur në vargje.
Në fund mund të themi se esencialiteti i poezisë te ky autor është ndërtuar mbi një kredo dhe esencë të një identiteti dinjitoz si njeri dhe krijues, ndaj kjo poezi na bëhet shumë e afërt në lexim dhe përjetim. “Një shkrimtar i mirë nuk ka vetëm mendjen e vet, por edhe mendjen e miqve të vet”, thotë Niçe.
I tillë është Fran Tanushi, njeri dhe poet.



