
Nuk janë individët në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Speciale, është historia jonë kombëtare
Shkruan: Hanife Salihu
Hashim Thaçi – nuk është thjesht Hashim Thaçi ai që po akuzohet. Është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së, është përfaqësuesi i përpjekjes për liri dhe është vetë pavarësia e Kosovës që po vihet në pikëpyetje. Ai ishte zëri i shtetit që ende nuk ekzistonte, por që rrezatonte shpresë dhe vendosmëri për liri.
Kadri Veseli – nuk është vetëm Kadri Veseli. Ai përfaqëson UÇK-në, Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK), dhe bashkëpunimin e pandashëm me NATO-n në kohën kur po luftohej për çlirimin e vendit. Ai ishte pjesë e strukturës që garantonte sigurinë dhe koordinimin me aleatët ndërkombëtarë, në një kohë kur Kosova përballej me shfarosje.
Jakup Krasniqi – nuk është vetëm një individ. Ai është zëri i UÇK-së, zëdhënësi i saj, ai që përçoi qëllimin e pastër të luftës sonë për liri në arenën ndërkombëtare. Me fjalën e tij të qartë dhe të vendosur, Ai përfaqësoi fytyrën morale të luftës sonë dhe i dha dinjitet përpjekjes sonë të drejtë.
Rexhep Selimi – nuk është vetëm Rexhep Selimi. Ai është imazhi i UÇK-së në opinionin publik, është njëri nga ata që doli për herë të parë publikisht me emblemë të UÇK-së. Ai përfaqëson ata që luftuan me armë në dorë për të mbrojtur popullin dhe tokën nga spastrimi etnik dhe terrori i Serbisë.
Prandaj, si popull i Kosovës, duhet të jemi të vetëdijshëm se këtu nuk po bëhet fjalë për dënimin e disa emrave të përveçëm. Po tentohet të gjykohet dhe të dënohet vetë UÇK-ja – fryma e saj, sakrifica e saj, legjitimiteti i luftës sonë për çlirim. Serbia, me mbështetjen e Rusisë, po përpiqet që përmes Gjykatës Speciale ta shpallë luftën tonë për liri si një krim. Qëllimi i tyre është i qartë: që pas 26 vitesh të rishkruajnë historinë, duke e paraqitur UÇK-në si organizatë terroriste.
Por kjo nuk ndalet këtu. Nëse dënimi ndodh, akuzohet në mënyrë të tërthortë edhe NATO – aleanca që ndërhyri për të ndaluar gjenocidin dhe mbështeti të drejtën tonë për vetëvendosje. Një dënim i tillë do të shërbente si armë politike për Serbinë në negociatat aktuale, me qëllimin përfundimtar: zhbërjen e pavarësisë së Kosovës dhe delegjitimimin e gjithë përpjekjes sonë kombëtare.
Ajo që po ndodh sot në Hagë nuk është vetëm një proces gjyqësor – është një betejë për kujtesën kolektive, për dinjitetin tonë si popull, dhe për të drejtën tonë legjitime për të jetuar të lirë. Është një përpjekje për të thyer kurrizin moral të shtetit të Kosovës, duke goditur themelin mbi të cilin ai është ndërtuar – luftën çlirimtare dhe sakrificën e UÇK-së.
Prandaj, sot më shumë se kurrë, kemi detyrimin moral, historik dhe politik që të ngrihemi në mbrojtje të së vërtetës. Të mos e lejojmë këtë padrejtësi të na kthejë mbrapa. Të mos harrojmë asnjëherë se liria nuk ishte dhuratë, por fryt i gjakut dhe përkushtimit të bijve e bijave më të mira të këtij vendi.
Historia nuk fal indiferencën. Dhe Kosova nuk mund të heshtë kur e ardhmja e saj vihet në dyshim. Sot, më shumë se kurrë, duhet të jemi bashkë – për të mbrojtur të kaluarën tonë, për të ruajtur të tashmen, dhe për të siguruar të ardhmën.
Ky është momenti ynë për të treguar maturi kombëtare. Nuk mund të heshtim kur po shkelet mbi gjakun e atyre që ranë për lirinë tonë. Duhet të flasim, të reagojmë, të qëndrojmë të bashkuar në mbrojtje të vlerave të shenjta. Kur historia vihet në gjyq, heshtja është faji më i rëndë.