Nuk më duhet asgjë prej këtu
Tregim nga: László Krasznahorkai
Përktheu: Artan Muhaxhiri
Këtu do t’i lija të gjitha: luginat, kodrat, shtigjet, dhe grifshat e kopshteve, do t’i lija pallonjtë dhe priftërinjtë, tokë e qiell, pranverë e vjeshtë, këtu do t’i lija rrugët dalëse, mbrëmjet në kuzhinë, vështrimin e fundit dashurues, dhe të gjitha drejtimet kah qyteti që të bëjnë të rrëqethesh: këtu do ta lija muzgun e dendur që bie mbi tokë, gravitetin, shpresën, magjepsjen, dhe paqësimin, këtu do t’i lija të dashurit dhe të afërmit, gjithçka që më ka prekur, gjithçka që më ka tronditur, gjithçka që më ka fascinuar dhe më ka lartësuar, këtu do t’i lija fisniken, dashamirësen, të këndshmen dhe djallëzisht të bukurën, këtu do ta lija filizin n’lulëzim, secilën lindje dhe ekzistencë, këtu do të lija yshtjen, enigmën, largësitë, trullosjen nga përjetësitë e pashtershme; këtu do ta lija këtë tokë dhe këta yje, sepse nuk do të merrja asgjë me vete, sepse kam parë çfarë po vjen dhe nuk më duhet asgjë prej këtu.



