Nuk mund të ketë votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

27 qershor 2025 | 08:41

Shkruan: Përparim Gruda

Rendi i ditës i seancës konstituive është përcaktuar në mënyrë taksative në nenin 8, paragrafi 4 të Rregullores së Kuvendit, i cili thotë:

“Rendi i ditës së mbledhjes konstituive të legjislaturës përmban:
1. Formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve;
2. Zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit;
3. Zgjedhjen e Nënkryetarëve të Kuvendit.”

Kaq. Asnjë fjalë më shumë. Kjo është përmbajtja e vetme që mund të zhvillohet në kuadër të seancës konstituive.

Për të konstatuar nëse lejohet apo jo votimi i fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese, në paragrafin 155 të aktgjykimit të saj, ka theksuar qartë:

“(…)megjithatë, paragrafi 4 i nenit 8 të saj, ka definuar në mënyrë taksative dhe formale rendin e ditës për Seancën Konstituive, e cila përbën përmbajtjen kryesore dhe të vetme të seancës konstituive, dhe e cila duhet të udhëhiqet me përpikmëri nga Kryesuesi i Seancës Konstituive.”

Pra, Gjykata kërkon nga Kryesuesi i Seancës që neni 8 paragrafi 4 i Rregullores të respektohet me përpikëri, pa asnjë devijim apo shtesë, përfshirë edhe ndonjë ndryshim të mënyrës së votimit apo propozim për votim të fshehtë.

Gjithashtu, në të njëjtin paragraf, Gjykata e vlerëson se renditja e rendit të ditës është e “definuar në mënyrë taksative dhe formale”, që do të thotë se nuk lejohet asnjë ndryshim gjatë seancës konstituive.

Për më tepër, në paragrafin 178 të aktgjykimit, Gjykata sqaron se ndonëse Rregullorja e Kuvendit parashikon mundësinë e ndryshimit të rendit të ditës dhe mocioneve procedurale, ato i referohen vetëm seancave plenare, jo seancës konstituive. Në këtë paragraf thuhet:

“Gjykata thekson që çështja e mënyrës së votimit në Seancën Konstituive, përkatësisht nëse e njëjta duhet të jetë në mënyrë të hapur apo të fshehtë, nuk është përcaktuar as me dispozitat kushtetuese dhe as në Kreun IV të Rregullores së Kuvendit. Gjykata vëren se Kreu IV (Konstituimi i Kuvendit) i Rregullores së Kuvendit, në kontekstin e mbajtjes së seancës konstituive, nuk përmban asnjë referencë në nenin 53 (Ndryshimi i rendit të ditës), nenin 57 (Mocionet procedurale), si dhe as në nenin 122 (Interpretimi i Rregullores së Kuvendit).”

Pra, vetë neni 53 dhe neni 57 i Rregullores, të cilët rregullojnë ndryshimin e rendit të ditës dhe mocionet procedurale, nuk janë të aplikueshëm në seancën konstituive, sepse kanë të bëjnë ekskluzivisht me seanca plenare të zakonshme.

Si përfundim, thënë në mënyrë të përmbledhur:

Votimi i fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit gjatë seancës konstituive është i pamundur, për tri arsye:

1. Rendi i ditës është i përcaktuar në mënyrë taksative në Rregulloren e Kuvendit;
2. Nuk lejohet asnjë ndryshim proceduror gjatë kësaj seance konstituive;
3. Dispozitat e Rregullores që mundësojnë ndryshime procedurale zbatohen vetëm për seancat plenare, jo për seancën konstituive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çmimi i apartamente, a do të ulet apo do të…