Nusja që zemëroi Venedikun pasi përdori një pirun
Nga kockat dhe guaskat e kafshëve e deri te pirunët dhe shkopinjtë, historia e takëmeve ka qenë e mbushur me snobizëm dhe besëtytni …
Nga: Charles Spencer / The Telegraph
Ia kem borxhli kardinalit Rishelie, këshilltarit kryesor të Luigjit XIII të Francës, që na dha thikën e tryezës. Mysafirët që përdornin kamat e veta në tryezë, atë e neveritnin. Kështu, më 1637 shpiku tehun e lakuar të thikës, me majë të topitur. Luigji XIV e miratoi këtë përsosje.
Snobizmi prej kohësh ka qenë pjesë e ekuacionit të takëmeve, me thikat e peshkut si objekt i veçantë i përbuzjes: poema e Xhon Beçemanit, Si të sillesh në shoqëri, kritikon atë që cilësonte si sjellje të klasës së lartë. Këtë sulm ndaj “pecetave” dhe objekteve të tjera që i shihte si borgjeze, ai e hapte me:
Telefon për thikat e peshkut,
Norman,
Pasi kuzhinieri është paksa i nervozuar …
Por, rreth një shekull më parë, ishin të zakonshme takëmet e dizajnuara për një qëllim specifik. Titaniku u fundos në vitin 1912 bashkë me 1517 njerëz, por edhe 400 darë asparagusi, 100 gërshërë rrushi dhe 1000 pirunë për goca deti.
Si me tragjedinë, e njëjta edhe me fiksionin. Në një episod të Downton Abbey-it, shërbëtori Karson teston një shërbëtor praktikant me një sërë sendesh argjendi: shërbëtori identifikon lugët për çaj, vezët, pjeprin, reçelin dhe grejpfrutin, por ndalet te lugët e bujonit, të bëra për një tas më të vogël e që dallonin nga ato që përdoreshin për supën e rëndomtë.
Teksa lugët në një mënyrë janë përdorur për mijëra vjet – neandertalët përdorën kockat dhe guaskat e kafshëve si lugë, ndërsa Roma e lashtë përdorte ligulat për supa dhe ushqime të buta dhe koklerat më të forta për ushqimet e detit dhe vezët – piruni ka pasur një rrugëtim testues deri te pranimi.
Në vitin 1003, një nuse nga familja perandorake bizantine tmerroi Venedikun kur përdori një pirun pas martesës me djalin e dozhit. Shën Pjetër Damiani shkroi me neveri se ajo “shponte [ushqimin e saj] me një shtyllë të një instrument të caktuar të artë me dy degë, dhe kështu donte ta çonte në gojë”. Kur më vonë ajo vdiq nga murtaja, këtë ai e shihte si fundin e saj të dhimbshëm, si hakmarrje të Zotit ndaj zgjedhjes së saj të papërshkrueshme të takëmeve.
Pirunët përfundimisht u bënë modë nën Katerina de’ Mediqin. Gruaja e Henrit II të Francës dhe nënë e tre mbretërve të tjerë francezë, ishte njëra prej grave më të fuqishme në Evropën e shekullit XVI. Prika e saj përmbante pirunë të bërë nga Selini, nga argjendari i Rilindjes, të cilat mahnitën shikuesit. Disa breza më vonë, në 1633, Karli I i Anglisë deklaroi: “Është më mirë të përdorësh pirunin” dhe ia dha secilit prej fëmijëve të tij një thikë, një lugë dhe një pirun argjendi.
Shkopinjtë ndoshta filluan të përdoren 5000 vjet më parë, si degëza të dobishme për të hequr ushqimin nga tenxheret e avullit. Rreth vitit 400 p.e.s., mungesa lëndëve djegëse në Azi bëri që copat më të vogla të mishit të gatuheshin, pasi u duhej më pak kohë në flakë. Meqenëse një ushqim i tillë tashmë ishte prerë, nevojiteshin vetëm shkopinjtë për ta ngrënë – në Japoni, këto mund të bashkoheshin në maje duke vepruar si mashë. Besëtytnitë rrethonin shkopinjtë: palët e pabarabarta besohej se prishnin aranzhimet tuaja të udhëtimit, ndërsa mbajtja e tyre shumë lart rrezikonte të vononte martesën.
Takëmi im i preferuar në [pallatin] Olthorp është një lugë që babai im përdorte çdo Krishtlindje, për të hequr qendrën kremoze të [djathit] stiltonit të tij. Pyes veten nëse e kalon testin e Beçemanit? /Telegrafi/