OAK-u shpreh shqetësimet për gjendjen e biznesit në vend

24 janar 2018 | 13:40

Përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), gjatë një takimi me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Fatmir Limaj, kanë shpalosur sfidat e të bërit biznes në Kosovë, duke theksuar disa nga problemet kryesore me të cilat ballafaqohen bizneset.

Kryetari i OAK-ut, Skënder Krasniqi, ka përmendur sfidat e të bërit biznes, duke adresuar edhe disa kërkesa specifike, sikurse janë përmirësimi i klimës së të bërit biznes, në aspektin politik dhe ekonomik, krijimi i ofertave për të bërë biznes, në mënyrë që të tërheqim investitor të huaj, ofrimi i përkrahjes për bizneset ekzistuese të qëndrueshme.

Po ashtu ai ka përmendur edhe aktivizimin e gjykatës ekonomike, riaktivizimi i bordit të ankesave brenda ATK-së, formimin e një bordi të ankesave ndaj inspektoratit të punës, problemi i energjisë, që ka të bëjë me çmimin shumë të lartë për bizneset dhe reduktimet e saj. Ndër problemet tjera, Krasniqi ka përmendur edhe atë me pagesat, ku ka kërkuar që pagesat e TVSH-së të bëhen me rastin e inkasimit të mjeteve dhe jo me faturim, ashtu siç është rregulluar për kompanitë publike vite me parë.

Në këtë takim ai ka kërkuar që bizneset të mos vazhdojnë të detyrohen të mbledhin tatime për ATK-në dhe që të ndërmerren masa ndaj konkurrencës jolojale.

Gjithashtu Oda e Afarizmit të Kosovës, ka shfaqur edhe disa probleme që kanë disa biznese, anëtarë të OAK-së, siç është rasti i një biznesi me pronën ku është investuar mbi 10 milionë euro dhe problemi me minierën e Goleshit e cila po hynë në vitin e tretë të ndërprerjes me polici nga ana e AKP-së, disa ditë para se të startoj punën.

Pronarët e kësaj miniere kishin planifikuar hapjen e mbi 700 vendeve të punës në komunën e Lipjanit me çka do të përfitonte shumë kjo komunë dhe Kosova në përgjithësi.

Zëvendëskryeministrit Limaj u është sqaruar në detaje ky problem edhe është informuar se nëse ky rast shkon në arbitrazh, Kosova do të humbë mbi 100 milionë euro.

Ndërsa nënkryetari i OAK-ut, Arsim Selmonmusaj, ka theksuar edhe çështjen e bizneseve pasive të cilat nëse brenda 3 muajve nuk e deklarojnë mbylljen ose falimentimin, të ndëshkohen nga shteti për këto veprime dhe të obligohen me ligj që të kryejnë të gjitha obligimet që ata kanë.

Kërkesat e OAK-së, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj i ka mirëpritur, duke i cilësuar si mjaftë të nevojshme për zhvillimin ekonomik. Ai ka theksuar faktin se roli i Odës së Afarizmit të Kosovës është shumë i rëndësishëm dhe mund të kontribuojë në përmirësimin e klimës së të bërit biznes.
Ai ka treguar edhe për veprimet që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për të përmirësuar klimën e të bërit biznes, siç janë Ligji mbi investimet strategjike, vendimet për lirimin nga dogana të lëndës së parë dhe pajisjeve teknologjike dhe vendimin për ndërprerjen e shitjes së pronave bujqësore nga ana e AKP-së.

Limaj ka thënë gjithashtu se Qeveria e Kosovës është shumë e interesuar që të vazhdojë me marrjen e vendimeve në interes të biznesit, në bashkëpunim të ngushtë edhe me komunitetin e biznesit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta gjatë konferencës rajonale për ekonominë…