OBELISKU I MIRËNJOHJES QË I MUNGON KOSOVËS (5)

22 nëntor 2019 | 11:06

Shkruan: Bedri Islami

Udhëheqja politike e lëvizjes çlirimtare, edhe përmes takimeve jozyrtare me struktura të nivelit të dytë të diplomacisë ndërkombëtare, ka qenë e bindur se fillimi i luftës në atë kohë do të kishte pasuar pasoja të tmerrshme për popullin e Kosovës jo vetëm se gjërat nuk ishin përgatitur por, mbi të gjitha, në atë kohë, ndihej mungesa e një politike të qartë të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian jo vetëm ndaj shtetit serb, por edhe ndaj Kosovës.

Udhëheqja politike e lëvizjes paqësore në atë kohë kishte nevojë të domosdoshme për njohje, sidomos përtej Atlantikut. Ajo ndiente nevojën e një përkrahje solide të lobit shqiptar në këtë vend dhe, përmes tyre, të figurave të njohura të politikës amerikane që do të lobonin për të.

Sikur në Kosovë, në vitet 1992-1993 do të ndizej lufta. Ajo do të kishte pasur një fund të përgjakshëm në jetët njerëzore dhe të mjerueshëm në fatin politik të Kosovës. Ajo mund dhe do të bëhej kurbani i vogël i një paqeje të madhe.

Tragjeditë e luftës në Bosnje i treguan Perëndimit se masakra të tilla nuk duheshin lejuar dhe, duke përfituar nga kjo situatë, kur gjërat po dilnin më hapur, duke dëshmuar një makineri vrastare serbe, ishte e qartë se Perëndimi nuk do të lejonte përsëritjen e tyre, ose do të duhej të hiqte përfundimisht dorë nga deviza e saj për liritë dhe të drejtat e njeriut.

Ishte koha kur vetë Perëndimi kërkonte një rrugë të mesme, mes Pavarësisë së Kosovës dhe Gjendjes nën pushtim, të cilat i cilësonte njëlloj të rrezikshme si vatra lufte, por që ende nuk e kishte gjetur as zgjidhjen e duhur dhe as bashkëbiseduesin e duhur në Beograd.

Millosheviqi kishte ardhur në pushtet duke tundur kartën e Kosovës, ai do të binte nga pushteti nëse kjo kartë i binte nga dora.

Precipitimi i ngjarjeve, kur në Kosovë ishin krijuar dy polet e politikës, lëvizja paqësore dhe lëvizja çlirimtare, që kishin njëlloj përkrahësit e tyre tek lobi shqiptar në Amerikë, do të bënte që shumë shpejt, qendra e gravitetit e politikës dhe e diplomacisë amerikane të zhvendosej në Prishtinë.

Fillimisht përmes Zyrës së Posaçme Amerikane në Prishtinë, si një njohje jo zyrtare e aspiratës së shqiptarëve për mëvetësi dhe si kapërcim në një fazë të re të përpjekjeve të lobit shqiptar në Amerikë. Do të ishte zyra e parë e këtij niveli, që më pas do të pasohej nga ndonjë zyrë tjetër, por që kishte përmbledhur gjithë ndikimin e politikës amerikane në këtë rajon që do të nxehej shumë shpejt.

Përciptasi disa veprimtari të diplomacisë amerikane në Kosovë në muajt e parë të vitit 1998:  Në janar 1998 do të shpallet iniciativa e Robert Gelbardit, të deleguarit special të ShBA-së për ish-Jugosllavi për refuzimin e gjendjes së status quosë në Kosovë dhe mospranimin e kërkesës së shqiptarëve për pavarësi,duke gjetur një zgjidhje të pranueshme.

Më 2 mars 1998 në Prishtinë do të jetë zoti Nick Hill, sekretari i parë në Ambasadën e ShBA-së në Beograd, njohës i mirë i gjendjes në Kosovë, i cili solli vlerësimin e Departamentit të Shtetit se “ lufta ka filluar dhe se duhet ndërmarrë diçka sa nuk është tepër vonë”. Ai do të sjellë idenë e krijimit të Grupit Negociator…

Më 6 mars 1998 do të bëhet takimi i veçantë i diplomatëve amerikanë, Gelbard dhe Hill, dhe ambasadorët e Grupit të Kontaktit me udhëheqjen politike pacifiste në Kosovë, duke kërkuar vendosjen e një ure lidhëse me forcat çlirimtare.

Të nesërmen, më 7 mars 1998, në Prishtinë do të venë urgjentisht ambasadori Richards Miles, shef i Misionit Amerikan në Beograd, Nick Hill, diplomat amerikan, i cili sjell lajmin se gjenerali Wesley Clarck, komandanti suprem i Paktit NATO, do të jetë një ditë më pas në Shkup.

Më datën 9 mars 1998 do të zhvillohet Mbledhja e Grupit të Kontaktit në Londër, e cila i kushtohet tërësisht Kosovës dhe mundësisë së eksplodimit të luftës atje.

Më 10 mars 1998, zoti Gelbard do të jetë në Zyrën Amerikane në Prishtinë për të afruar një zgjidhje në momentin e fundit dhe e kupton se, koncepti i tij i fillimit të janarit dhe shkurtit, për forcimin e pozitës së Rugovës, si shmangie e luftës në Kosovë, tani është i pavlefshëm. Gelbard, pas ngjarjeve në Prekaz, do të bëhet pasues i dorës së fortë si qasje ndaj Millosheviqit, si e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemit. Si duket, qasja e tij ishte e shpejtuar dhe nuk përkrahet, të paktën haptasi.

Më 10 mars 1998, me propozimin e të dërguarit amerikan, Grupi i Kontaktit do të vendosë që çështja e hapjes së negociatave për zgjidhjen e problemit të Kosovës, t’i besohet ish kryeministrit të Spanjës, Filip Gonzales.

Më 18 mars 1998 lind, si pasojë e propozimit amerikan, G-15, Grupi-15, me negociatorët shqiptarë dhe, në këtë takim formues, do të jetë i pranishëm edhe zoti Gelbard, i cili do të deklarojë në praninë e zotit Rugova se, ShBA ka përkrahjen e plotë të Britanisë dhe të Gjermanisë për të iniciuar procesin bashkërendues.

Është kjo hapja e parë e problemit në përmasa kaq të gjëra. Fillon e krijohet një hapësirë më e madhe ndërkombëtare për Kosovën. Më 18 mars 1998 diplomati amerikan Gelbard i sugjeron zotit Rugova se kush mund të ishte pjesëtar i Grupit Negociator dhe mes tyre edhe Adem Demaçin. Përpjekja e parë serioze për të lidhur asfaltin, simbolikisht Prishtinën, me malin, simbolikisht Prekazin.

Më 19 mars Zyra Amerikane në Prishtinë deklaron se përkrah dhe do të njohë zgjedhjet e planifikuara për datën 22 mars, si një mundësi për legjitimin e mëtejshëm të rolit të Rugovës.

Një vit më pas, zoti Gelbard do të tregonte se ai e kuptoi shumë shpejt se zoti Rugova mund të krahasohej me një bimë, krejtësisht pasive dhe se për këtë duhej rrethuar me njerëz të dorës së fortë.

Më 26 mars 1998, në mbledhjen e Grupit Negociator shqiptar, do të jenë të pranishëm edhe zotërinjtë Gelbard dhe Greenstock, drejtori Politik në Feriegn Office të Britanisë së Madhe..

Do të vazhdohej gjatë me ditë takimet dhe bisedat e diplomatëve të lartë amerikanë në Kosovë.

Në fare pak kohë Kosova do të bëhej qendra e vëmendjes e diplomacisë amerikane, jo vetëm në Ballkan, por shumë më gjerë.

Diplomatët e njohur, Gelbard, Hill dhe Holbrook, do të jenë të pranishëm në secilën javë në këtë rajon, që nga zyrat e selitë e partive politike legale, të rrugës paqësore për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe deri në llogoret ku përgatitej lufta.

I jashtëzakonshëm dhe shumë i rëndësishëm ka qenë roli i diplomatit Cris Hill, njeriu që bart mbi vete një përgjegjësi të jashtëzakonshme për mbivendosjen e urave të komunikimit mes dy shtabeve, njërit në Prishtinë dhe tjetrit në Drenicë dhe për shuarjen e çdo mundësie që lufta të eskalonte edhe brenda të njëjtit komb, shqiptarëve.

Zoti Hill, në mënyrë absolute, do të jetë diplomati më i lartë që u bë i pranishëm në të gjitha vatrat e luftës dhe luajti rol të jashtëzakonshëm në gjetjen e rrugëve efikase për të ecur më tej procesi i sendërtimit të projektit të një Kosove jo të pavarur de jure, por të pavarur faktikisht.

Në momentet më të vështira, kur mendohej se nuk do të gjendej një zgjidhje tjetër, zoti Hill do të jetë i pranishëm dhe, përmes njohjeve të shumta që kishte krijuar dhe besimit që kishte fituar, do të jetë njeriu i domosdoshëm, që, jo vetëm përfaqësonte politikën amerikane në një dimension të ri, por edhe përmbysjen e një raporti politik ballkanik, i vendosur dhunshëm, ose përmes pushtimit, ose përmes legjitimit të tij në Konferenca ndërkombëtare.

Merita e jashtëzakonshme e zotit Hill do të jetë në përqendrimin e mendimit politik të shtetit që përfaqësonte në dy anët e rrethit që ishte krijuar, duke shkuar drejt përkrahjes gjithnjë e më të hapur ndaj forcave çlirimtare, si një faktor tashmë jo vetëm ushtarak, por edhe politik, që, një ditë të ardhme, mund të kishte një të nesërme në politikën e Kosovës.

Figura e zotit Holbrook, si më madhorja e diplomacisë amerikane, do të jetë sinjifikative, e domosdoshme në çastet kritike dhe deleguese e mendimit të diplomacisë amerikane përmes një figure fuqiplotë.

Takimi i tij me përfaqësues të Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe vajtja e tij në Junik, mes njerëzve të UÇK-së, do të jetë sinjali më i fuqishëm që Perëndimi i dërgonte shtetit serb dhe makinerisë së tij vrasëse, se, kësaj here, ndeshja e tij nuk do të ishte me një formacion etnik shqiptarësh, por se, pas tyre, qëndron edhe forca politike, diplomatike e ushtarake e ShBA-së.

Roli i zotit Gelbard, si i dërguari fuqiplotë në fazën e parë të fillimit të luftës, mund të ndahet në dy momente; para 6 marsit 1998, kur ai mendonte se UÇK-ja, shumë shpejt mund të shpallej terroriste, çka mund t’i jepte dorë të lirë pushtetit të Millosheviqit për masakra të tjera dhe, pas 6 marsit 1998, kur ai vetë e definoi se lufta në Drenicë nuk ishte bërë kundër luftëtarëve që mund të shpalleshin terroristë, por edhe kundër fëmijëve të moshuarve, grave etj.

Qëndrimi i ri i tij, për një qasje ndryshe, në fillim do të ketë kundërshtime në Departamentin e Shtetit dhe roli i tij do të s’postohej gradualisht, por do të jetë sinjali i parë, i qartë dhe i fortë se tashmë, duam apo nuk duam, duhet të llogaritim edhe tek forcat çlirimtare.

Të gjithë këto që përmenda më lart nuk kishin ardhur në Kosovë duke mësuar atje për Kosovën. Ata kishin marrë me vete investime të mendimit politik dhe të diplomacisë së saj, por, mbi të gjitha, ata ishin “dërmuar” nga të dhënat, takimet, bisedat, informacionet dhe afrimet politike që u ishin bërë nga lobi shqiptar në Amerikë.

Ata ishin njohur dhe kishin takuar burra të shquar atdhetarë të fuqishëm, të cilët nuk kishin asnjë interes tjetër. veç përkushtimit të tyre kombëtar; ata ishin pjesë e bisedave pasionante dhe e afishimit të dokumenteve seriozë mbi të vërtetën e Kosovës, ndaj edhe ishin më të besuar se gjithë të tjerët.

Lobi shqiptar në Amerikë ishte paradhoma e diplomacisë amerikane ndaj Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi dhe, nga ai Lob, domosdo, kaloi një pjesë e mirë e konceptit të ri për Kosovën, çka solli edhe këtë realitet jashtëzakonisht të paimagjinueshëm, por tashmë të realizuar.

Liria, megjithëse jo e plotë, është në Kosovë.  Të plotë, tashmë, mund ta bëjnë vetë shqiptarët, duke mos harruar se, në këtë liri, është përpjekja titanike, e vazhdueshme dhe jetësore e shumë brezave, mes të cilëve janë edhe gjeneratat e pashoqe të lobit shqiptar në Amerikë, ndaj të cilëve, qeveria e Kosovës ka detyrimin e saj atdhetar të ngrejë Obeliskun e Mirënjohjes. (Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e njohur nga Kosova, Rita Ora, në Ditën Botërore…