
Objektet bërthamore të Iranit, tërësisht të shkatërruara
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se objektet bërthamore të Iranit janë “plotësisht dhe tërësisht të shkatërruara”.
Ai i cilësoi sulmet amerikane si një “sukses ushtarak spektakolar”, pa dhënë shumë detaje rreth vetë sulmit.
“Irani, ngacmuesi i Lindjes së Mesme, tani duhet të zgjedhë paqen”, theksoi ai. “Nëse nuk e bën, sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha dhe shumë më të lehta për t’u realizuar”.
Ai shtoi: “Do të ketë ose paqe, ose një tragjedi për Iranin, shumë më të madhe sesa ajo që kemi parë gjatë tetë ditëve të fundit. Mos harroni, ka ende shumë objektiva të tjerë”.
Deklarata e tij vjen pasi SHBA ka goditur tri vendet kryesore në programin bërthamor të Iranit.
Ato përfshijnë Isfahanin, vendndodhjen e një baze të rëndësishme kërkimore, si dhe objektet e pasurimit të uraniumit në Natanz dhe Fordow.
Ndërkohë një reagim ka ardhur dhe nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Në një postim në platformën X, ai tha se vendimi “guximtar” i Trump për të goditur tre objektet bërthamore “do ta ndryshojë historinë”.
“Amerika ka bërë atë që asnjë vend tjetër në botë nuk mund të bënte”, ka thënë Netanyahu.
“Historia do të regjistrojë se Presidenti Trump veproi për të ndaluar regjimin më të rrezikshëm në botë të pajisej me armët më të rrezikshme”.