Oda Sllovene e Bizneseve në Kosovë: Urgjentisht të krijohen institucione funksionale

25 maj 2025 | 12:21

Oda Sllovene e Bizneseve në Kosovë ka bërë thirrje të fuqishme për krijimin urgjent të institucioneve funksionale në vend, duke theksuar se pa stabilitet institucional, ambienti për zhvillim ekonomik dhe investime mbetet i pasigurt.
Në një komunikatë për medie, Oda nënvizon se mungesa e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura po ndikon negativisht në besimin e investitorëve të huaj dhe në ecurinë e bizneseve ekzistuese

“Vonesa në konstituimin e Kuvendit, ka prodhuar pasiguri, ngërç dhe një klimë dëshpëruese për qytetarët dhe investitorët.
Oda Sllovene e Bizneseve në Kosovë, është e shqetësuar me gjendjen e krijuar në vend si pasojë e mosformimit të institucioneve, e cila po afekton vendin në të gjjtha aspektet”, kështu është thënë në komunikatën për medie të kësaj ode.

Sipas kësaj komunikate, në një periudhë kur bota përballet me sfida të mëdha – nga inflacioni global te krizat energjetike, nga luftërat tregtare te zhvendosjet gjeopolitike, Kosova nuk po arrin ta shfrytëzojë potencialin e vet minimal për stabilitet dhe zhvillim.

“Përkundrazi, jemi dëshmitarë të një vetëbllokimi institucional, ku mungesa e konstituimit të Kuvendit, pazaret politike për poste dhe mungesa e një vizioni të përbashkët kanë prodhuar pasiguri, ngërç dhe një klimë dëshpëruese për qytetarët dhe investitorët. Bizneset janë të braktisura. Disa prej më të mëdhave në vend janë hedhur në tregun e lirë të energjisë elektrike pa asnjë politikë mbrojtëse, duke u ballafaquar me çmime të pamundura për t’u përballuar. Kjo e godet rëndë industrinë, punësimin dhe qëndrueshmërinë e brendshme ekonomike.
Rinia po largohet në mënyrë alarmante. Jo vetëm për paga më të mira, por për shkak të mungesës së perspektivës, vizionit dhe lidershipit. Ky është emigrim nga dëshpërimi”, është thënë në komunikatë, duke u shtuar se në arsim, shëndetësi dhe bujqësi nuk ka reforma. Në drejtësi nuk ka siguri. Në administratë nuk ka motivim. Dhe mbi të gjitha – në politikë nuk ka përgjegjësi.

Rikujtojmë se Oda Sllovene të Bizneseve në Kosovë, para disa ditësh ishte pjesëmarrëse në një konferencë ndërkombëtare me përfaqësues nga të gjitha kontinentet – liderë biznesi, investitorë, ekspertë të sektorëve strategjikë që ndajnë një vizion të përbashkët për një botë me burime të sigurta, të qëndrueshme dhe bashkëpunuese.
“Kosova mungonte. Askush nga institucionet tona – as qendrore, as lokale – nuk ishte prezent. Në kohën kur na duhen më shumë se kurrë aleanca dhe prani ndërkombëtare, ne vetë-izolohemi në një rreth vicioz provincial dhe të frikshëm të mosveprimit”.

Nga këndvështrimi i Odës Sllovene të Bizneseve, e cila punon çdo ditë për ndërlidhje, investime dhe rritje ekonomike, i bëjmë thirrje publike të gjithë faktorëve vendimmarrës në Kosovë:
• Urgjentisht të krijojnë institucione funksionale.
• Të hartojnë politika mbrojtëse për industrinë dhe investimet.
• Të ndërtojnë rrugë reale bashkëpunimi me diasporën, komunitetin ndërkombëtar dhe partnerët strategjikë.
• Dhe mbi të gjitha – të vendosin qytetarin dhe ekonominë para politikës.
Nëse nuk veprojmë sot, nesër do të jetë vonë. Ne kemi vetëm një Kosovë – dhe nuk duhet ta lejojmë të fundoset nga papërgjegjësia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe lideri i BDI-së, Ali…