OEAK: Duhet të punohet më shumë në sektorin bankar

06 dhjetor 2018 | 13:47

Pavarësisht faktit se zhvillimet dhe përmirësimet e bëra në sektorin bankar, kanë rezultuar gjatë viteve të fundit në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë, ende duhet të punohet më shumë për të fuqizuar këtë sektor në aspekt të mbështetjes së sektorit privat dhe implementimit të standardeve të reja në këtë drejtim. Kjo u tha sot në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se bankat nuk e luajnë vetëm rolin e kujdestarit të pasurive, por edhe të burimit të financimit. Zeka tutje ka deklaruar se bankat në Kosovë kanë luajtur rol të rëndësishëm në fuqizimin e sektorit privat dhe përshpejtimin e zhvillimin ekonomik të vendit, përmes financimit të prodhimit, tregtisë ndërtimit, e rrjedhimisht krijimit të vendeve të reja të punës.  “Sektori bankar luan rol të rëndësishëm në përmirësimin e qeverisjes korporative dhe ngritjes së cilësisë së raportimeve të kompanive”, u shpreh Zeka.

Ai përgëzoi edhe Bankën Qendrore të Kosovës për rolin e saj në mbikëqyrjen e sektorit bankar, dhe krijimin e një sistemi të shëndoshë financiar, që përbënë jo vetëm shtyllën më të rëndësishme të një ekonomie në zhvillim si rasti i Kosovës, por që ka pasqyruar vendin me tone pozitive nëpër dokumente të rëndësishme ndërkombëtare.

 

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka deklaruar se zhvillimi i hovshëm i sektorit bankar gjatë viteve të fundit i është atribuar suksesit të zhvillimit të mëtutjeshëm ekonomik në vend. Ai ka thënë se struktura e kreditimit është përmirësuar dukshëm ku rreth 50% kredi të lëshuara iu dedikohen ndërmarrjeve në sektorin e tregtisë, duke përmendur poashtu rënien e normave të interesit në pothuajse të gjithë sektorët. Mehmeti njoftoi të pranishmit se ndër prioritetet kryesore të Bankës Qendrore të Kosovës janë ruajtja e stabilitetit financiar në këtë sektor gjithashtu edhe zhvillimin e standardeve bashkëkohore përmes së cilave bankat në Kosovë do të mund t’i zhvillojnë operimet e tyre në përputhje me vendet e zhvilluara. Guvernatori Mehmeti shprehu gatishmërinë e BQK-së për t’u angazhuar në krijimin e kushteve dhe lehtësirave të cilat do të mundësojnë mbështetjen e duhur ndaj kësaj fushe, bizneseve, dhe zhvillimit ekonomik në përgjithësi.

Më tutje, të pranishmit adresuan specifika të ndryshme në lidhje me sektorin bankar të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e aktivitetit të tyre biznesor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, ka folur para ndeshjes me…