OKB dërgon ekip në Kashmir pas raportimeve për sulme nga India

07 maj 2025 | 11:35

CNN ka raportuar se një ekip i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka mbërritur në Kashmirin e administruar nga Pakistani, vendin për të cilën raportohet se është goditur nga sulmet e Indisë.

Sipas gazetarit, në vendngjarje janë parë dy automjete të bardha të OKB-së, pikërisht aty ku Pakistani tha se ishte goditur edhe një xhami.

E ndërkohë që India ka pretenduar se në shënjestër të sulmeve të saj nuk ka pasur civil, Pakistani ka deklaruar të kundërtën duke thënë se nga sulmet e së mërkurës, janë dëmtuar civilë dhe kanë qenë në shënjestër xhamitë.

Rikujtojmë se mbrëmjen e kaluar Forcat e Armatosura të Indisë ndërmorën një seri të sulmeve ajrore ndaj nëntë lokacioneve në territorin e Pakistanit duke shkaktuar viktima e duke ngritur tensionet në rajon. Këto sulme vijnë pasi muajin e kaluar në rajonin e Kashmirit të administruar nga India u vranë 36 persona, vrasje për të cilat India ka fajësuar Pakistanin.

Megjithatë, sipas ministrit të Jashtëm të Indisë, Vikram Misri, sulmet kishin për qëllim çaktivizimin e infrastrukturës së grupeve terroriste në territorin pakistanez.

Nga ana tjetër autoritetet pakistaneze kanë pretenduar se kanë rrëzuar pesë avionë ushtarakë indianë dhe një dron. Një informacion ky ende i pakonfirmuar nga India.

Historik i shkurtër i konfliktit Indi-Pakistan

India dhe Pakistani, të dyja vende që posedojnë armë bërthamore kanë një histori të gjatë konflikti, veçanërisht për rajonin e kontestuar të Kashmirit. Dijmë se që nga pavarësia e tyre në vitin 1947 të dy palët kanë zhvilluar disa luftëra dhe më pas kanë krijuar një marrëdhënie të brishtë armëpushimi.

Incidenti i fundit ka ngritur shqetësime gjithandej globit, për mundësinë e përshkallëzimit të mëtejshëm ushtarak.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi mes Universitetit të Prishtinës dhe…