Opinioni publik dhe të vërtetat e realitetit

04 korrik 2025 | 08:17

Nga: Gëzim Tushi

Nuk ka fushë të jetës aktuale shoqërore, politike, ekonomike, fetare, kulturore për të cilën të mos jenë të interesuar masa gjithnjë në rritje të njerëzve, që kanë sensin e bashkëpërgjegjësisë qytetare. Në qoftë se duam të jemi të sinqertë me veten dhe shoqërinë tonë, duhet të mësohemi që ca gjëra t’i themi hapur duke e zhveshur thelbin e dukurisë së opinionit publik nga ambalazhet sociologjizante të së kaluarës. Kjo është një nga sfidat e shoqërisë moderne, e cila vlerësohet si shumë delikate, sepse ka të bëjë me mënyrën dhe ligjet se si formohet, ndikon dhe funksionon opinioni publik.

Me gjithë ndryshimet që kanë ndodhur në ridimensionimin demokratik dhe strukturimin social të opinionit publik, rrallë ndodh në shoqërinë tonë që ai të shfaqet gjithnjë koherent dhe në struktura sociale kompakte. Edhe ata që pretendojnë të jenë influencues apo ndikues në formatimin e opinionit publik, sikurse janë gazetarët, sociologët, opinionistët apo analistët e shumtë, duket se ata më shumë janë të udhëhequr nga motive pragmatiste dhe synime ekzibicioniste, që më shumë se mund të ndikojnë në formimin apo reformimin e opinionit publik, për çështje të caktuara të politikës dhe jetës sociale, më shumë synojnë efektet e jashtme, dëshirën frenetike për t’u dukur dhe parë nga publiku. Më shumë se orientojnë drejtpeshimin e opinionit publik, si mjet për të gjetur forcën sociale, ekuilibrin e brendshëm dialektik, kthehen në faktorë të instrumentalizimit të tij.

Shumë i dobët, periferik e shpesh inekzistent është edhe ndikimi jo konsistent, shpesh i hallakatur, pse jo edhe i çoroditur i figurave më omnipotente të studiuesve, sociologëve, dijetarëve të shkencave sociale e humane, që studimet që bëjnë, analizat që realizojnë për tiparet dhe veçoritë e jetës sociale e sjelljes shoqërore të opinionit publik, duhet të gjejnë forma që ato t’i kthehen publikut, të bëhen prone, pjesë integrale e procesit të strukturimit të opinionit publik. Një mision ky ose i realizuar dobët dhe pa përgjegjësi, ose i anashkaluar e nënvleftësuar. Që në kohën e vet, filozofi Gustav Husserl, themelues i fenomenologjisë mendonte për rolin e intelektualëve, opinionistëve, sociologëve që i konsideronte “funksionarë të popullit”, të cilët duhet t’i kthehen popullit, orientimit të publikut dhe formësimit të duhur të opinionit publik. Një nga patologjitë evidente të opinionit publik në shoqërinë tonë – kalimi nga reagimet instiktive, herë kaotike e herë si turmë sociale – është shfaqja e rëndë e indiferentizmit dhe konformizmit, si patologji me peshë, virus social tipik për opinionin tonë publik.

Opinioni publik nuk mund të krijohet, të strukturohet nëse njerëzit nuk janë qytetarë aktivë, nëse ata shfaqen individualist, të zhveshur nga përgjegjësitë sociale, duke qenë apatikë e indiferentë përballë asaj që ndodh në jetën politike, kulturore e sociale. Apo, akoma më keq, duke u pajtuar dhe justifikuar si opinion gjithçka që ndodh në jetën e shoqërisë shqiptare. Doemos, në këtë deformim patologjik të opinionit publik, është jo pa efekt ekzistenca paralele e njeriut indiferent që manipulohet, nga njëra anë, por edhe zgjerimi i mjeteve dhe formave të manipulimit, shtimi i “manipulatorëve publikë” të opinionit. Efektet e medias tradicionale klasike (shtypi, radio, televizioni) nga njëra anë, dhe mediat moderne digjitale, përmes mjeteve të komunikimit të tyre, ushtrojnë efekt pozitiv apo negativ mbi perceptimin e gjërave nga qytetarët dhe rrjedhimisht edhe në formimin e opinionit publik. Televizioni akoma “… ka një lloj monopoli faktik në formimin e trurit të një pjese shumë të madhe të popullatës, i cili “në mënyrë paradoksale mund të fshehë duke treguar, d.m.th. duke treguar tjetër gjë nga ajo që duhet të tregonte”. (Pierre Bourdieu, “Mbi televizionin”, f. 22-23).

Opinioni publik, shumë shpesh në Shqipëri, kalon në situata të çorientimit kaotik, pikërisht ngaqë faktorët e jashtëm ndikojnë në ndërtimin e deformuar të realiteteve të vërteta, të cilat padyshim kthehen në faktorë ndikues mbi formatimin e opinionit publik duke sjellë herë efekte mobilizuese e angazhuese, herë indiferencë e demobilitet social. Opinioni publik që të jetë aktiv, dinamik, i angazhuar e gjithëpërfshirës, nuk ka nevojë për shtimin e psikovampirëve që i thithin energjitë pozitive, që e skeletizojnë, madje e “verbojnë” përballë të vërtetave të realitetit. Për fat të keq, sipas mendimit tim, opinion publik në shoqërinë tonë është kaotik, madje ndonjëherë edhe i përçarë, pa kohezion e strukturë sociale të kompaktësuar në aspektin qytetar – pikërisht ngaqë nuk ka koherencë në parimet e përbashkëta të vizionit për problemet e jetës politike e sociale, të cilat shpesh shikohen të ndara nga realiteti i vërtetë. Ky është një nga faktorët e dikotomisë publike të opinionit, që ka krijuar “çarje” dhe difraksione, që në këto tri dekada e gjysmë janë kthyer në pengesë serioze për forcimin dhe homogjenizimin strukturor të opinionit publik për çështje kruciale apo kauza të përbashkëta të cilat kanë nevojë për strukturë reaguese kompakte e koherente. Kjo ka sjellë një lloj frakture sociale, e cila ndikon në mbylljen, indiferencën apo izolimin e forcës së opinionit publik.

Për fat të keq, ka kohë që është kthyer në pengesë shtesë fakti që mënyra si janë ndërtuar gjërat, si funksionojnë kanalet e komunikimit politik, social, kulturor, mediatik dhe pushteti i shoqërisë civile, kanë sjellë përshtatjen e njerëzve dhe marrjen e tyre me ngjarje e opsione sociale, pa subjekt me vlerë për strukturimin e shoqërisë të cilat janë kthyer në një rreth vicioz, në një mekanizëm social të “qarkullimit rrethues” që mban të mpirë ekzistencën, reagimin kompakt e adekuat të opinionit publik. Doemos kjo është e lidhur me një proces të fragmentimit strukturor të shoqërisë, e cila përmes prirjeve të theksuara liberale e individualiste, bashkë me “tekat” e tregut dhe luftës sociale për afirmim dhe rendiment të personalizuar, bën atë që mund ta quajmë “copëtim strukturor të opinionit publik”, sikurse metaforikisht thonë sociologët, me “peshq që janë në ujë dhe notojnë” dhe të tjerë që janë “jashtë ujit”. Këto janë situata të cilat, nëse shkojnë në skaj, kthehen në faktorë toksikë për paralizimin e veprimit të kompaktësuar të njerëzve dhe mendimit të tyre të unifikuar si opinion real dhe konstruktiv.

Unë mendoj se duhet përqendruar vëmendja, angazhimi politik, social, profesional, mediatik e intelektual në luftën e përbashkët për ta bërë opinionin publik sa më refraktar e të strukturuar nga pikëpamja sociale, duke e rregulluar këtë “fushë forcash” sociale me vlerë, duke krijuar lidhje e marrëdhënie të qëndrueshme midis njerëzve si qytetarë të kësaj shoqërie, duke konsoliduar një opinion publik strategjikisht të përbashkët. Edhe pse duket sikur koha po sjell jo vetëm “copëtim” të opinionit publik, por krahas dhe paralel me të bën shfaqjen e një forme të re të cilën politikani dhe politiologu i njohur Jasques Attali (Zhak Atali) e ka definuar me togfjalëshin “publik i personalizuar”. Kjo tendencë është e dukshme dhe ka faktorët e vet determinonte që duhen konsideruar si komponentë me peshë koherente në strukturimin e formave të shfaqjes së opinionit publik në ditët e sotme. Sepse, në kohën e sotme universalisht duket se “Njerëzit modernë … janë pasivisht në mëshirën e procesit anonim të të jetuarit. Të menduarit gjithashtu degradon në përllogaritje, pra thjesht funksionim cerebral”. (Bung-Chul Han, “Shoqëria e sfilitur”, f. 30).

Koha kërkon që opinion ynë publik të jetë më i involvuar, më tepër i angazhuar në problemet që shqetësojnë politikën, familjen, shkollën, shëndetësinë, gratë, fëmijët, të moshuarit, njerëzit e margjinalizuar etj. Jo vetëm formalisht, por edhe strukturalisht. Është kërkesë e kohës që opinioni publik të mos jetë inekzistent, por faktor me peshë ekzistencialisht publike – gjëra të cilat janë me influencë sociale, përtej apatisë apo veprimit të copëtuar, jo kompakt të opinionit publik kur ai është në pozita voajeriste, apo reagime në forma informale me konsiderata të përcipta, indinjata sociale patetike të paorientuara, qëndrime prej sehirxhiu moralizues e “lajkatues” sentimental që, siç shkruan Umberto Eco, janë “sjellje instiktive”. (U. Eco “Pape Satan Aleppe”, f. 144). Besoj se në këtë kohë të tranzicionit të gjatë, në ontologjinë dhe fenomenologjinë e opinionit publik kanë ndodhur gjëra me rëndësi sociale, të cilat duhet të bëhen objekt analize, vëzhgimi e studimi.

Kjo edhe për shkak të specifikave historike, turbulencave kulturore dhe veçoritë ontologjike të tipareve të njerëzve tanë. Ka ndodhur një proces i cili, sipas gjykimit tim, nga pikëpamja e efekteve sociale në strukturën e opinionit publik mund dhe duhet konsideruar si një lloj kapërcimi apokaliptik që duhet vlerësuar. Kjo është arsyeja pse jeta urbane e shoqërisë shqiptare nuk mund të mos jetë përballë me një opinion publik të transformuar, jo aq shumë i shfaqur me strukturë kompakte sa në të kaluarën, por në formatin divers dhe me prirje të vazhdueshme drejt formave të “publikut të personalizuar”. Këto janë realitete që duhen njohur dhe pranuar, si prirje, tendencë sociale, tronditje demokratike që shoqërisë tonë i vijnë organikisht prej imperativave të postmodernitetit. Por, nga ana tjetër, gjërat nuk duhet t’i semplifikojmë apo t’i çojmë në ekstremin e tyre duke zmadhuar efektet e jetës postmoderne në frakturimin e opinionit publik, lidhur me shfaqjet e krizës së vërtetë apo të imagjinuar qa ka kapur këtë institucion legjitim të shoqërisë.

Problemi është që çfarë mund dhe duhet të bëjmë që të rregullojmë ekzistencën, rolin aktiv të opinionit publik, funksionin civil e qytetërues, si kusht ekzistencialisht i pamohueshëm, madje i sociologjikisht i panegociueshëm, për ridimensionimin strukturor, forcimin instrumental të këtij “mjeti të artë”, konstruktiv e konsensual, si faktor kryesor për evolucionin social të jetës në shinat evropiane të qytetërimit: vetëdijen publike, e cila mund të bëhet një modus viventi spontan dhe organik, Që si kurrë më parë i nevojitet shoqërisë shqiptare, për të bërë efektiv, me rezultate sociale qytetëruese, një opinion publik jo apatik e indiferent, por dinamik e të mobilizuar. /Gazeta “Panorama”/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Edith Durham (pjesë nga vepra High Albania) Ishte një djalë…