Opozita gjatë vitit 2025 nga potenciali politik te dështimi strategjik
Shkruan: Ibrahim Gashi
Viti 2025 e gjeti opozitën parlamentare përballë një paradoksi politik: dispononte instrumente formale, numra potencialë dhe hapësirë kushtetuese për veprim, por prodhoi pak ose aspak rezultat politik. Në këtë kontekst, tri pyetje kyçe kërkojnë përgjigje serioze nga forumet vendimmarrëse, të të tri partive politike opozitare sepse pa to nuk mund të ketë as reflektim real, as ripozicionim strategjik.
Së pari, çfarë prodhoi bojkoti i mbi 50 seancave ndaj votës së kandidaturës së Albulena Haxhiut?
Në leximin tim ky bojkot nuk prodhoi as bllokim institucional të qëndrueshëm, as presion efektiv politik mbi shumicën. Përkundrazi, ai e normalizoi mungesën e opozitës nga arena ku zhvillohet beteja reale politike – Kuvendi. Bojkoti u perceptua më shumë si tërheqje taktike sesa si rezistencë parimore, duke i dhënë shumicës komoditet institucional dhe duke e lënë opozitën pa narrativë bindëse para opinionit publik.
Së dyti, çfarë prodhoi vota pro kandidaturës së Dimal Bashës?
Në optikën e secilit qytetar që mendon politikisht në mënyrë racionale kjo votë ekspozoi mungesën e koherencës strategjike të opozitës. Pas një bojkoti të zgjatur, kalimi në votim selektiv krijoi konfuzion politik dhe dobësoi mesazhin opozitar. Në vend që të shërbente si manovër e menduar mirë për të fituar terren institucional apo moral, ajo u perceptua si lëshim i pakoordinuar, që i dha shumicës legjitimitet shtesë dhe e zhveshi opozitën nga pretendimi për qëndrueshmëri parimore.
Së treti, çfarë prodhoi mosarritja – madje as përpjekja – për të formuar një qeveri opozitare, kur votat matematikisht ekzistonin?
Ky është ndoshta gabimi më i rëndë strategjik. Opozita dështoi të shndërrojë potencialin numerik në iniciativë politike. Edhe nëse një qeveri e tillë do të kishte qenë jetëshkurtër, vetë përpjekja do të kishte krijuar momentum politik, do ta zhvendoste barrën e përgjegjësisë dhe do ta afirmonte opozitën si alternativë pushteti. Mungesa e kësaj përpjekjeje sinjalizoi hezitim, frikë nga përgjegjësia dhe mungesë vullneti për të qeverisur.
Në përfundim, pa përgjigje të qarta dhe të sinqerta ndaj këtyre tri pyetjeve, çdo thirrje për “reflektim” mbetet retorikë boshe. Reflektimi nuk mund të shërbejë si mekanizëm face-saving, por vetëm si proces i thellë rishikimi strategjik. Përndryshe, opozita rrezikon që dështimi i vitit 2025 të mos mbetet episod, por model i përsëritur i sjelljes politike.



