Opozita kritikon qeverinë për keqmenaxhim të pandemisë

11 gusht 2021 | 17:06

Rritja e rasteve të reja me Covid ka nxitur edhe kritikat e zyrtarëve opozitarë kundër qeverisë. Anëtari i kryesisë i PDK-së, Betim Gjoshi, ka bërë përgjegjës ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për keqmenaxhim të pandemisë. “Dje 562 raste, sot 888. Keqmenaxhimi me pandeminë po na çon në greminë. Nëse do të ishte kaq i interesuar dhe i shqetësuar për shëndetin e qytetarëve, Arben Vitia do t’i përkushtohej vetëm detyrës që ka marrë. Por, jo! Vitia po e lë shëndetin e qytetarëve buzë greminës dhe do t’u përkushtohet zgjedhjeve për Prishtinë. Asnjë doktor i vërtetë nuk do ta braktiste shëndetin e qytetarit”, ka shkruar ai në profilin e vet në “Facebook”.

Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar qeverinë Kurti se nuk po e menaxhon si duhet situatën me pandeminë. Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se qeveria thoshte se po menaxhohet pandemia në kohën kur virusi po shpërndahej më pak. “E thanë që e menaxhuan pandeminë kur numrat ranë e virusi shpërndahej më pak. Dje 562 raste të reja, sot 888 dhe, si për ironi, LV-ja lëshon informata se ka vendosur që në Prishtinë ta kandidojë Arben Vitinë, po pra ministrin e Shëndetësisë. Kaq brengoset kjo qeveri për qytetarët, i sheh si vota dhe asgjë më shumë”, ka shkruar Bajrami.

Për më pak se një muaj janë rritur për dhjetëra herë shifrat e rasteve aktive me Covid në Kosovë.
Nga 98 raste sa ishin më 17 korrik, shifra është ngritur në 3 489 të mërkurën e 11 gushtit. Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 111 644 pacientë me këtë virus. Prej këtyre, 2 274 kanë vdekur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka…