OPOZITA NË VDEKJE KLINIKE!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Përfunduan zgjedhjet klienteliste: Zgjedhjet e 28 dhjetorit (data e kurdisur nga padroni Kurthi dhe rrogëtarja Osmani) përfunduan ashtu si e planifikuan në ekipin e Kurthit, LV-ja doli e para, kurse tri partitë opozitare humbën 9 deputetë. Nëse kemi parasysh se infrastruktura shtetërore, oligarkët e Kurthit dhe forcat informale ishin angazhuar në anën e regjimit, plus 300-400 milionë që Kurthi i ndau ekskluzivisht për blerje të votave, kjo fitore ishte si “fitorja e Pirros”. Vetëm në ambasada dhe qendra konzulare u pa se n’masë është kriminalizuar Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë pasi u shndërruan në pika të LV-së duke votuar mbi 90 për qind. Përqindje e denjë për regjimet totalitariste. Por ky i fundit çfarë na qenka? “Demokraci autokrate”! Mërgata (një pjesë e saj) e manipuluar dhe e korruptuar nga Kurthi e deligjitimoi votën e banorëve të përhershëm të Kosovës duke e përmbysur rezultatin që është në kundërshtim të plotë me zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike.
I dhanë goditje të madhe Kosovës dhe u kthyen në vendet ku nuk kanë probleme që i kemi ne, nuk i bartin pasojat e votës së tyre klienteliste. Nuk përballen, ende pa u certifikuar rezultatet e kurdisura, me fatura të ujit 50 për qind më të larta dhe së shpejti me fatura të rrymës kush e di sa më të larta ndërkaq që rrogat dhe pensionet janë së paku 8 herë më të ulëta se në vendet ku jetojnë. Nuk përballen me reduktime t³ë mëdha të furnizimit me rrymë, ujë dhe nuk mbulohen nga plehrat. Shumica e artikujve të domosdoshëm në Kosovë janë me çmime më të larta se në shtetet ku jetojnë. Ata nuk përballen atje me analfabetizmin që po përhapet në Kosovë , nuk vdesin për një ilaç apo intervenim mjekësorë. Të ne baballarët dhe familjarët e pushtetit anipse kur nuk kanë bërë asgjë për këtë vend kurse shumë për Serbinë marrin para jashtë rendit dhe sa të duan, mjekohen në qendra mondane shëndetësore, bëjnë ndërhyrje estetike për ta kompensuar atë që nuk ua ka dhënë natyra kurse të merituarit, ish të burgosurit politikë dhe ushtarë të UÇK-së, si Gani Koci nuk kanë kujdes institucional as për një vdekje të dinjitetshme!
Po opozita, keni dëgjuar për të: Nëse luftoni për mbijetesë, mos u bëni fare pjesë e garës, cucni aty në mjerimin dhe pafuqinë tuaj. E tillë ishte dhe është opozita në Kosovë. Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 nuk pati guxim dhe nuk ndërmori asnjë veprim opozitar ndonëse vendi gufonte prej skandaleve qeveritare dhe institucionale. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë asnjëherë opozita nuk ka pasur më shumë mundësi ta deklasojë pozitën se tani. Ndodhi e kundërta, një pozitë e zhytur deri në fyt në punë të këqija, antishtet dhe antikombëtare të gjitha këto i zbrazi në xhirollogarinë politike të opozitës. Bllokimin institucional me mashat Avni Dehari, Lenka Haxhiu, Nenad Rashiq dhe Glauk Konjufca, Kurthi i materializoi duke i përkthyer në vota pasi e fajësoi opozitën, klinikisht thuaja të vdekur. Opozita vullnetarisht u shtri në arkmortin kur iu nënshtrua shantazhit të Kurthit dhe Imelda Markosit të Kosovës, Vjosa Osmani që zgjedhjet të mbahen më 28 dhjetor 2025. Gozhdimi në arkmort filloi me pranimin e rezultatit të zgjedhjeve nga ana e opozitës të cilat nuk ishin as të lira, as të drejta e më së paku demokratike. Për shkak të vënies së resurseve institucionale, shtetërore dhe materiale në shërbim të një partie, u krijuan kushte të pabarabarta midis subjekteve garuese ku fituesi ishte i paracaktuar.
Albin Kurthi duke futur në lojë 300-400 milionë në javën e fundit para zgjedhjeve i futi në lojë së paku 650.000 votues (studentë, pensionistë, shërbyes civilë, familjeve që kanë fëmijë, etj). Nuk mbahet në mend të ketë ndodhur më parë një korrupsion elektoral aq i strukturuar dhe i pasktupullt se në këto zgjedhje. Prandaj nuk duhet të pranohen këto zgjedhje. Gabimin e fundit që mund ta bëjë opozita e që përfundimisht do ta dërgonte në varreza të subjekteve politike pa mundësi ringjalljeje edhe përmes reanimacionit më të përparuar është bërja e kuorumit edhe për një mandat presidencial për Imelda Markosin e Kosovës me emër konspirativ, Vjosa Osmani. Askush nuk e ka dëmtuar më shumë opozitën e sidomos LDK-në se rrogëtarja e Kurthit, Vjosa Osmani duke vepruar si aktiviste e LV-së dhe duke përçarë skenën politike dhe jo vetën politike se kjo hije e zezë e Kurthit.
Prandaj, bërja eventuale e kuorumit për këtë përçarëse do të ishte fatale për opozitën dhe vdekjeprurëse për LDK-në. Imelda Markos alias Vojsa Osmani kërkoi edhe një mandat për të vazhduar punët e mira … për të dhe familjen e saj. Për Kosovën asgjë të mirë nuk ka bërë përveç zhagitjes pas Kurthit. Opozita nuk duhet të pranojë asnjë kandidat konsensual që propozohet nga Kurthi sepse konsensualiteti për Kurthin nënkupton nënshtrim 100 për qind ndaj Kurthit. Raporti 57 deputetë të pozitës ndaj 43 të opozitës duket i madh mirëpo nëse opozita organizohet si duhet nuk do ta lë pozitën as frymë të marrë nëse nuk punon si dhe sa duhet. Opozita duhet të bëjë opozitarizëm në Kuvend, duke kundërshtuar shpërdorim të ligjeve në Gjykatën Kushtetuese dhe varësisht nga zhvillimi i ngjarjeve edhe duke protestuar në rrugë. Opozita ose duhet të sillet si opozitë ose pashmangshëm do të përfundojë në recycle been – shportë të mbeturinave. Opozita ka deputetë shumë më të zotë në aspektin profesional se pozita, deputetë që kanë të kaluar kombëtare dhe politike si dhe integritet moral. Pozita ka agimbahtira, dimalbasha, hekuranmurata, korin e pevaçicave tallava dhe pevaçicave të Arkanit, haxhiqamila dhe të ngjashëm. Pozita i ka mbytë të burgosurit politikë, e ka vra UÇK-në , i ka shpërfillur vlerat kombëtare.
Shiheni listën e LV-së, ata që kanë një të kaluar kombëtare e që janë bërë bashkë me udbashët e shumtë në LV, ose nuk e kanë kaluar fare pragun për deputetë, ose janë bira e fundit e kavallit si puna e Saliut. E patë se si i shantazhoi Vojsa Osmani deputetët e opozitës? Se, nëse nuk e votojnë do të përballen me të në zgjedhje thuaja se e ka partinë me 400.000 anëtarë! Pastaj ai Peci që u bë kryetar me vota të vjedhura në Mitrovicë. Merreni me mend pec e aq ulët kërcënon dhe shantazhon, po të ishte më i madh se peci, ku do të përfundonte ky servil i Kurthit dhe Shvarcit. Të gjithë e kanë të qartë se LV-ja është vet dhe vetëm Kurthi. Ai është baba i LV-së, ndërsa Dejona është majka e LV-së. Pa Kurthin LV-ja do të shndërrohej në jetimore sepse majka Dejona do t’ia mbathte për Greqi apo Serbi, bashkë me Mimoza Kusarin. Mimoza e përzemërt me Radoiçiqin dhe Simiqin në telefon kundër UÇK-së dhe veteranëve të luftës. Mimoza e përzemërt me këtë inxhen nga Serbia në Solloturn të Zvicrës. Bashkë me Fifin e LV-së, Lutën e LDK-së dhe Bernardin e PDK-së duke u çmallur me “kriminelët” e Serbisë që një muaj më parë në Banjskë e vranë policin Afrim Bunjaku. Nuk kanë pritur as të pamet të përfundojnë, merreni me mend. Besnik Rrenc Bislimi u nxor nga situata si miza e kalit kur ndërron ambient. Albin Kurthi po blenë kohë me luftën e Ukrainës duke ikur nga zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit që serbëve të Kosovës iu garanton autonomi politike dhe territoriale duke e shndërruar Kosovën në federatë (a)simetrike. Me kontributin antikombëtar të projugosllavit Surroi dhe mercenarit Weller.
Nuk ka përgjegjësi për arrivistët: Nuk e di se çka duhet të ndodhë që për shkak të dështimit, të dështuarit të dorëhiqen. Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Luginë , dorëheqja shkaku i dështimit është e paimagjinueshme . Kërkohet përkrahja nga të hurit e të konopit vetëm të mbesin aty ku janë. Hyhet në aleanca të paimagjinueshme vetëm të ruhet një territor i karriges të përmasave të prapanicës të personit të dështuar. Deri më tani vetëm një lider ka ofruar argumente bindëse pse nuk dorëhiqet. Ai është Ali Ahmeti. Nëse Ali Ahmeti do të dorëhiqej, Ismet Sylejmani do të mbetej pa punë! E si mos të bindem!!!!!



