Opozita pret të dobësohet LV-ja, ndërsa vetë pret të forcohet

30 qershor 2025 | 08:28

Ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka folur për situatën politike në vend, teksa vendi ndodhet në ngërç institucional, me 38 dështime të konstituimit të Kuvendit.

Ai ka thënë se përgjegjësia bie mbi të gjithë deputetët e Kuvendit, por më shumë mbi kryetarët e partive, teksa ka theksuar se kryeministra s’mund të bëhen të gjithë, ndërsa që kryetari i kuvendit mund të shkarkohet nëse shkel rregulloren e kuvendit.

“E mira e së mirës do të duhej të jenë të arsyeshëm deputetët dhe partitë politike po ashtu, që kanë dallim sipas numrit dhe përgjegjësia për formimin ose jo të institucioneve të parlamentit është e të gjithë deputetëve. Së dyti, përgjegjësia kryesore bie mbi kryetarët e partive dhe kryesitë e partive. Tani ne të gjitha partitë kemi pasur një fushatë, me kandidatë për kryeministra, kryeministër s’mund të bëhen të gjithë kandidatët që kanë qenë, kryetar parlamenti duhet të jetë një dhe ai është i obliguar që ta zbatojë rregulloren e kuvendit në mënyrë strikte dhe nëse nuk e zbaton procedurat janë legjitime për të kërkuar shkarkimin e tij”, ka thënë ai.

Haliti ka theksuar se bllokada është tek emri i Albulena Haxhiut por që sipas tij nuk është problemi aty por se kush do ta bëjë qeverinë.

“Tani kemi një bllokadë për shkak të një emri, Albulena Haxhiu, që unë e them dhe vazhdoj ta them që nuk është problemi te kryetari i Kuvendit por se kush do të jetë kryeministër i Kosovës që do ta bëjë qeverinë. Kur është në pyetje tani edhe çështja e kryeministrit, jam i bindur që këtë përzgjedhje e kemi krejtësisht të gabueshme sepse ministrat e bëjnë njëherë betimin bashkë me kryeministrin dhe pastaj japin dorëheqje nga deputeti, që nuk është e drejtë dhe ministrat i shkarkon kryeministri kur të dojë dhe s’ka nevojë të marrë miratimin e kuvendit. Është një absurd demokratik që nuk e ka dikush. Sidoqoftë ne kështu e kemi dhe kjo situatë krijon njëfarë papërgjegjshmërie të kryeministrit ku për shkaqe interesash, padëgjueshmërisë apo ku e di për çfarë, mund ta shkarkojë ministrin pa pyetur fare”, ka theksuar ai për Gazeta Blic.

Ish-deputeti e sheh të pakuptimtë që LV deklaron se i ka votat për qeveri, por jo për Kuvend.

“Mendoj se ekziston një situatë e pakuptimtë. Ata thonë se i kemi votat për qeverinë por për parlamentin por opozita ka insistuar që të ndërrohet kandidati por i ka caktuar se kush do të duhej me qenë, gjë që nuk është normale sepse normale do të ishte nëse do të kishte garë për kandidatin për kryetar të kuvendit, një proces ku do të votoheshin 2-3 veta por me ligj, kandidatin e propozon partia më e madhe dhe jo opozita, partia më e madhe mund ta propozojë edhe një kandidat nga opozita, nuk prish punë, nëse votohet, por atyre ju takon, jo opozitës”, ka vlerësuar Haliti.

Ai thotë se është vështirë të dihet si do të shkojë situata, por që thotë se pazaret për qeveri janë më joshëse dhe se duket se dikush po kërkon kohë për qeverinë. Për këtë, ai thotë se duhet të votohet kryetari i kuvendit e të hapet procesi dhe më pas do të dihet nëse i kanë ose jo votat për formim të qeverisë.

“Është e vështirë për të thënë saktë se si do të shkojë punë dhe për ta deklaruar mendimin në këtë rast, por, pazaret politike për qeveri janë më joshëse për partitë politike, se sa për kryetar të Kuvendit. Ndoshta mos zgjedhja e kryetarit të kuvendit është një proces që dikush po kërkon kohë, po kërkon hapësirë kohore, për ta shtyrë dhe për t’u përgatitur për kandidatin për kryeministër apo për qeverinë e ardhshme. Nëse po them, nëse ndodh kështu, atëherë unë kisha thënë zgjedhne kryetarin dhe hapet procesi, nëse nuk votohet atëherë del që kandidati i VV-së për kryeministër ka mashtruar sepse nuk i ka votat dhe duhet kaluar kandidaturën te dikush tjetër apo te i njëjti, por nëse nuk zgjedhet brenda afatit kushtetues, duhet shkuar në zgjedhje të reja, kalon topi te presidentja”, ka deklaruar Haliti.

 

Por, kujt po i konvenon e gjithë kjo situatë? Sipas Haliti, të dyja palëve, derisa opozita pret që pozita të dobësohet, e kjo e fundit pret që të forcohet.

“Mendoj se të gjithëve po ju konvenon, edhe pozitës edhe opozitës. Opozita ndoshta po pret që të dobësohet VV-ja, që ka fituar shumicën e votave, ndërsa ata po presin që të forcohen. Unë mendoj se situata është e bllokuar dhe bllokadën e kanë në dorë lidershipi, qoftë të pozitës apo opozitës, sepse realisht organet partiake në partitë në Kosovë nganjëherë janë formale sa për të thënë”, ka përfunduar Xhavit Haliti, ish-deputet i PDK-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Drashkoviç, ka deklaruar se…