Organizimi i shtetit shqiptar për pritjen e refugjatëve nga Kosova

29 nëntor 2022 | 09:24

Prof. asoc. dr. Ardit Bido

Lëvizja e popullsisë shqiptare e Kosovës filloi në mënyrë të organizuar duke filluar nga marsi i vitit 1999 për shkak të shumë faktorëve e që më kryesorët ishin dhuna dhe represioni serb. Shumë familje kishin lëvizur më herët nga Kosova dhe u ishin drejtuar vendeve të Bashkimit Evropian të cilat u organizuan në pritjen e refugjatëve të luftës duke ngritur kampe dhe duke krijuar infrastrukturën e nevojshme.

Pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës u vendos në territorin e shtetit amë, në Shqipëri. Ashtu siç e përmendëm më lart, lëvizja e popu­llsisë kishte filluar që në vitin 1998, ku shikoheshin lëvizjet e para dhe për këtë shteti shqiptar kishte filluar të merrte masa për t’u përgatitur për një valë të madhe refugjatësh. Gjithashtu, gjatë periudhës prill-gusht të vitit 1998 Kuvendi i Shqipërisë kishte miratuar edhe dy rezoluta për çështjen e Kosovës.

Shqipëria, sado e gjendur në kushte shumë të vështira ekonomike, pasi sapo kishte dalë nga viti i mbrapshtë 1997, dhe po përpiqej t’i sanonte të gjithë pasojat që ky vit solli, paralelisht filloi dhe përpjekjet që të siguronte të ardhura dhe vende se ku do të mund t’i strehonte refugjatët e luftës. Kështu, në tetor të vitit 1998, duke parë zhvillimet e ngjarjeve në Kosovë, dhunën dhe represionin ushtarako-policor serb, përveç fondeve të planifi­kuara nga buxheti i shtetit, Shqipëria u përpoq të siguronte të ardhura, ndihma, medikamente edhe nga donatorët e huaj për ta përballuar këtë krizë humanitare. Këto ishin çështje shumë urgjente për t’u zgjidhur pasi ende nuk ishin strehuar të gjithë personat që gjendeshin në Shqipëri për shkak të shumë vështirësive. Qeveria e Republikës Federale Gjermane ishte nga të parat që ndihmoi Shqipërinë. Në këtë situatë ajo miratoi një ndihmë prej rreth 5 mln DM të cilat do të përdoreshin për rregullimin e godinave për t’i sistemuar personat e ardhur nga Kosova. Duke qenë se këto fonde nuk ishin të planifikuara, atëherë autoritetet gjermane miratuan përdorimin e fondit për ndërtimin e ujësjellësit të Korçës i cili ishte finan­cuar po nga ata dhe pranuan se ky fond do të ishte i vlefshëm për vitin 1999.

Situata emergjente në lidhje me lëvizjen e refugjatëve u bë nga marsi i vitit 1999 ku pati një vërshim të njerëzve drejt kufirit me Shqipërinë, aty ku sigurisht kufiri ishte i hapur dhe grupe të ngritur nga qeveria me mbësh­tetje të UNCHR-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare ishin në pritje të tyre. Çështja filloi të bëhej më serioze nga gjysma e dytë e marsit, pasi pati një vrull të madh refugjatësh në kufi dhe Kukësi, qyteti i parë pritës, ishte jashtë kapaciteteve të tij për ta përballuar këtë situatë. Megjithëse qeveria shqiptare kishte bërë disa përgatitje për të përballuar valë të mëdha refugjatësh, ajo çka po dukej se do të vinte në ditët e fundit të marsit ishte përtej kapaciteteve. UNHCR kishte asistuar në çdo lëvizje të qeverisë për sistemimin dhe përgatitjen e terrenit për strehimin e refugjatëve. Në bazë të situatës emergjente të krijuar, qeveria shqiptare ishte në mbledhje të vazhdueshme në çdo periudhë të ditës për ta zgjidhur sa më shpejt këtë emergjencë. Në mbledhjet e qeverisë të datave 25-27 mars u diskutua shumë në lidhje me kapacitetet që kishte vendi dhe se ku do të strehoheshin refu­gjatët, gjendjen e furrave të bukës dhe se sa bukë mund të prodhonin, gjen­djen e grurit në depot e rezervave të shtetit dhe se si mund të transportohej në zonat ku kishte më shumë nevojë, problemin e transportit të refugjatëve etj.

Gjendja filloi të ishte serioze ku brenda ditës arritën në kufi rreth 10 mijë refugjatë dhe numri i tyre shtohej nga ora në orë. Kjo alarmoi të gjithë komisionet e ngritura për përballimin e situatës së emergjencës pasi numri sa vinte dhe rritej dhe zona të tëra nga Rahaveci, Suhareka dhe Prizreni ishin nisur drejt kufirit. UNHCR, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, mori angazhim për ngritjen e kampeve dhe çadrave jashtë Kukësit, pasi ky i fundit ishte tejmbushur. Qeveria shqiptare kishte përcaktuar disa terrene se ku mund të vendoseshin refugjatët duke specifikuar ato me mundësinë më të madhe të akomodimit si Mamurrasin (ku do të krijohej një qytezë) dhe Kepin e Rodonit të cilin e kishte propozuar UNHCR. Gjithashtu, u morën në konsideratë edhe qytetet e tjera të cilat kishin kapacitete për të strehuar dhe për të përgatitur terren për strehimin e shumë personave të tjerë. Fieri dhe Elbasani ishin qytetet të cilat mund të strehonin përtej numrit 2 000, për më tepër në mbledhjen e qeverisë u diskutua edhe për zonat të cilat kishin mundësi të akomodonin sadopak edhe 100 apo 200 refugjatë. Më 1 prill 1999 u vendos për krijimin e një kampingu në Durrës, në zonën e Spitallës, me një sipërfaqe prej 40.6 ha, sipërfaqe kjo që ishte përcaktuar për banorët të cilët ishin përmbytur nga Liqeni i Fierzës.

Për shkak të këtyre vështirësive u shpall gjendja e jashtëzakonshme në prefekturat: Kukës, Shkodër, Lezhë dhe Dibër, por në mbledhjen e qeverisë u diskutua dhe mbeti e hapur mundësia për ta shpallur këtë gjendje dhe në pjesë të tjera të vendit që do të ndikoheshin nga kriza e refugjatëve.

Si rezultat i rritjes së vazhdueshme të numrit të refugjatëve që vinin duke u shumëfishuar nga momenti në moment, qeveria, me anë të një VKM-je, i akordoi 500 tonë grurë nga rezervat e shtetit prefekturës së Kukësit pa pagesë dhe me shpenzimet e transportit të mbuluara nga Drejtoria e Për­gjithshme e Rezervave të Shtetit. Gjithashtu, në fillim të prillit u vunë në dispozicion po nga Rezervat e Shtetit rreth 120 tonë miell dhe mbi 1 000 tonë grurë. Këto të fundit ishin të gatshme për t’u transportuar në çdo moment drejt Kukësit.

Problemet e transportit ishin po kaq të rëndësishme sa edhe akomodimi apo ushqimi i refugjatëve të ardhur. Për këtë arsye, me urdhër të kryemi­nistrit, me datë 30.03.1999 u përcaktua mënyra e lëvizjes së refugjatëve dhe mënyra e transportit. Do të angazhoheshin të gjithë personat e mini­strive të cilët mund të përdornin një makinë dhe të gjithë autobusët apo mjetet private të cilat mund të transportonin udhëtarë ku shpenzimet e naftës dhe të rrugës do të merreshin nga buxheti i shtetit. Kjo ishte një lëvizje e shpejtë deri në momentin e ardhjes së mjeteve të transportit nga Italia të cilat do të ishin një frymëmarrje për qeverinë në këto momente kritike.

Nevoja e shpërndarjes së refugjatëve dhe ushqimi i tyre ishin sfidat më të mëdha përpara të cilave qeveria shqiptare gjendej. Mund të themi se nga të dhënat e paraqitura në mbledhjet e qeverisë me datë 29 mars gjendeshin në qytetin e Kukësit rreth 66 mijë persona, një pjesë e të cilëve nuk kishin mundur të akomodoheshin. Pjesa më e madhe e furnizimeve ishte 2-3 ditore me produktet bazë, bukë, vaj, sapun, mish, konserva etj., shpërndarja e të cilave ishte një sfidë tjetër pasi gati të gjitha makinat në pronësi të shtetit ishin të përqendruara në shpërndarjen e refugjatëve në qytete të ndryshme të vendit sipas numrave që ato qytete mund të akomodonin. Në fillim të prillit numri i mjeteve të transportit sa vinte e rritej dhe brenda pak ditësh, arriti në 110 autobusë dhe mikrobusë brenda një dite të cilët transportonin vetëm njerëz në drejtim të prefekturave që ishin caktuar, nga ku merrnin shpërblimin e tollonave të naftës të cilët, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, plotësoheshin nëpërmjet blerjes së tyre në Albpetrol (bëhet fjalë për mjetet private). Përpos këtyre mjeteve u vunë në dispozicion për të transportuar refugjatët edhe kamionë, zetorë, vetura, furgonë dhe trena deri aty ku mund të arrinin nga zona e përqendruar e refugjatëve.

Strukturat e shëndetësisë, të paktën në zonën e Kukësit ku u shpall dhe gjendja e jashtëzakonshme, kanë qenë gjatë gjithë kohës në krye të detyrës duke dhënë ndihmesë shumë të madhe në këtë krizë humanitare. Personeli shëndetësor u përqendrua në verilindje të vendit pasi struktura vendase nuk mund ta përballonte fluksin dhe pati ndihmesë sigurisht edhe nga Organizata Ndërkombëtare si Kryqi i Kuq, Caritasi, Mjekët e Botës etj. E gjithë struktura shëndetësore në kujdesin e komisionit qeveritar për për­ballimin e kësaj krize arriti me sukses të shmangte një fatkeqësi të madhe si sëmundjet epidemike, gjë e cila ishte diskutuar që mund të ishte një problem dhe do të shkaktonte pasoja të jashtëzakonshme pasi shtetet fqinje menjëherë do t’i mbyllnin kufijtë.

Përveç kësaj, qeveria kishte marrë masa duke përcaktuar edhe mënyrën se si do të zhvillohej mësimi, duke përcaktuar numrin e nxënësve, numrin e klasave, mësimet bazë dhe ambientet se ku do të zhvillohej ky proces kaq i rëndësishëm. Gjithashtu, u krijuan struktura për t’i ndihmuar kryesisht gratë dhe fëmijët për t’i tejkaluar traumat që lufta apo situata aktuale i kishte sjellë. Kjo nismë ishte nga më pozitivet për përballimin e situatës dhe kuj­desin e shëndetit mendor dhe gjendjes psikologjike të njerëzve.

Me gjithë këto vështirësi, në raportin përfundimtar të UNHCR-së thuhet se Shqipëria e përballoi shumë mirë situatën me refugjatët e luftës në bazë të mundësive që vendi kishte. Këtu duhet theksuar edhe ndihma shumë e madhe e popullit shqiptar i cili strehoi në shtëpitë e veta familje të tëra nga Kosova. Duhet ta theksoj edhe ndihmën e vendeve aleate, ShBA-së, Gjermanisë, Italisë, Turqisë, Greqisë etj., që arritën të sillnin, në një kohë rekord, të ardhura, mallra, medikamente, mjete dhe ushqime për ta përba­lluar këtë krizë humanitare. Interesant është fakti që Japonia ka dhënë një ndihmë shumë të madhe për përballimin e pasojave të kësaj krize që Shqipëria po kalonte.

(Marrë nga libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, botuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kjo kumtesë është paraqitur në sesionin shkencor mbajtur në Prishtinë më 7 mars 2022, organizuar nga: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kumtesat e njëzet intelektualëve shqiptarë gazeta “Epoka e re”, përpos në portal, do t’i botojë për njëzet ditë me radhë edhe në formatin pdf. Librin mund ta gjeni në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të takohen për dy…