Osmani dekoron me medalje presidenciale shefin e EULEX-it

09 qershor 2023 | 16:21

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të premten në takim lamtumirë shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.

Në takimin, Osmani  ka diskutuar me Wigemarkun edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me EULEX-in për tejkalimin e këtyre sfidave.

Osmani ka vlerësuar kontributin e EULEX-it në promovimin e sundimit të ligjit dhe theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës për të arritur qëllimet e sigurisë dhe sundimit të ligjit në secilën pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit, presidentja Osmani, ka dekoruar shefin e EULEX-it me medaljen presidenciale për sundimin e ligjit. Ajo ka theksuar rëndësinë e partneritetit mes institucioneve të Kosovës dhe organizatave partnere ndërkombëtare që operojnë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

Presidentja Osmani ka falënderuar EULEX-in për bashkëpunimin e tyre me institucionet e Republikës së Kosovës në fuqizimin e sundimit të ligjit në kuadër të mandatit ekzistues për këshillim, mentorim dhe monitorim.

Dekorimi me medaljen presidenciale për sundim të ligjit paraqet vlerësimin dhe mirënjohjen e thellë të Republikës së Kosovës ndaj ambasadorit Wigemark dhe EULEX-it për përkrahjen dhe bashkëpunimin e tyre të palëkundur në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të sigurt në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në veri shteti…