Osmani e ‘harron’ konstatimin se po luhet ‘bixhoz me aleatët’: Gjithnjë ka pasur dhe do të ketë qeveri proamerikane
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me kongresistët amerikanë ka deklaruar se Kosova “gjithnjë ka pasur dhe gjithnjë do të ketë qeveri proamerikane”, duke theksuar se në vend “nuk ka pasur asnjëherë e as nuk do të ketë qeveri antiamerikane”.
Osmani ka thënë se bashkëpunimi me ShBA-në mbetet i ngushtë dhe thelbësor për sigurinë dhe integrimet euroatlantike të vendit, duke shtuar se koordinimi me Uashingtonin është i pazëvendësueshëm.
“Ata janë partnerë të pazëvendësueshëm për sigurinë tonë dhe ecjen tonë përpara në integrimet euroatlantike, prandaj është e rëndësishme që koordinimin ta kemi të plotë dhe bashkëpunimin e fuqishëm”, është shprehur Osmani.
Por, kjo qasje paraqet një dallim të dukshëm nga qëndrimet e saj në dhjetor të vitit të kaluar, kur presidentja pati lëshuar kritika të rënda lidhur me raportet e qeverisë Kurti me aleatët perëndimorë.
Në adresimin e saj vjetor para Kuvendit të Kosovës në dhjetor, Osmani kishte paralajmëruar se “vënia në rrezik e aleancave, luajtja bixhoz me to apo cënimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e republikës”.
Ajo kishte theksuar se nuk i kupton “talljet dhe sulmet ndaj aleatëve”, duke lënë të kuptohet se sjelljet e Qeverisë mund të dëmtonin marrëdhëniet strategjike të vendit me ShBA-në.
“Aleancat janë këtu për të na mbrojtur prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to, apo cenimi i tyre e cenon vetë mbrojtjen e republikës sonë. Shihni deklarimet e liderëve të superfuqive botërore. Do të shihni qindra deklarata fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleatët sepse nuk mund t’ia dalin të vetëm. Prandaj asnjëherë nuk e kam mirëkuptuar e kuptuar as talljet që bëhen në llogari të aleatëve e as sulmet ndaj tyre e as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet. As njëra as tjera nuk i bën nder Kosovës. Përkundrazi duhet shumë punë, shumë angazhim për mirëmbajtjen e aleancave bazuar në parime dhe vlera. Vetëm kjo rrugë mund t’i çojë interesat e Kosovës para”, kishte thënë Osmani në dhjetor të vitit të kaluar.
Sot, megjithatë, Osmani ka dalë me një ton më pajtues, duke theksuar se çdo qeveri e Kosovës vjen nga “populli më proamerikan në botë”, prandaj sipas saj, automatikisht është proamerikane.
“Në Kosovë ka pasur gjithnjë dhe do të ketë gjithnjë në të ardhmen qeveri proamerikane, që mund ta gjejë ndokush, për shkak se kemi popullin më proamerikan dhe secila qeveri e Kosovës që vjen, vjen po nga ky popull”, është shprehur Osmani.



