Osmani: Me armatosjen nga Kina dhe Rusia, Serbia po tregon se nuk do paqe

14 prill 2022 | 16:31

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, po vazhdon me mendësinë e ish-presidentit të Jugosllavisë, Slobodan Millosheviq.

Duke komentuar deklaratat e Vuçiqit, i cili ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, presidentja e Kosovës tha se nuk befasohet nga “gjuha e ministrit të Millosheviqit”.

“Aleksandër Vuçiq ka qenë ministër i propagandës gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, të shkaktuara nga ish-shefat e tij dhe për fat të keq edhe tani edhe në vitin 2022 po e dëshmon logjikën e njëjtë të shekullit të kaluar. Akoma nuk e ka dënuar asnjë nga krimet e regjimit të Millosheviqit”.

“Përkundrazi, vazhdon të glorifikojë Millosheviqin dhe ta shfajësojë atë për krimet e kryera në Kosovë. Akoma nuk i ka vendosur para drejtësisë kryerësit e krimeve dhe masakrave të shumta, përfshirë gjenocidit ndaj popullatës së pafajshme civile në Republikën e Kosovës”,ka thënë Osmani gjatë një konference për media në Mitrovicë më 14 prill pasi u takua me kryetarin e këtij qyteti, Bedri Hamza.

Ndërsa duke folur për armatosjen e Serbisë nga Kina dhe Rusia, Osmani ka thënë se Beogradi nuk është “i interesuar për stabilitet dhe paqe” në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Armatimi i Serbisë nuk po ndodh vetëm tani. Tani ka marr përmasa edhe shqetësuese, por siç e dini, në raport me Rusinë dhe Kinën, ata janë duke e rritur armatimin e tyre, minimum në dhjetë vjetët e fundit dhe kjo tregon që Serbia nuk është e interesuar për paqe dhe stabilitet në rajonin tonë, por tregon se akoma dëshiron të shkaktojë destabilitet, edhe e ndikuar nga Rusia, satelit i së cilës Serbia është”, ka thënë Osmani.

Sipas presidentes së Kosovës, Serbia vetëm deklaron se është për rrugën evropiane, por sipas saj, ky shtet është në “rrugën e presidentit të Rusisë, Vladimir Putinit”

Në ditët e fundit, në Serbi arritën sisteme kundërajrore kineze, FK-3. Sisteme të tilla janë të ngjashme me sistemin rus S-300, apo atë amerikan, Patriot.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se blerja e sistemeve të tilla është “legjitime, plotësisht e rregullt dhe transparente”.

Si Brukseli, ashtu edhe Uashingtoni, kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin e tyre për blerjet e armëve nga ana e Serbisë në Rusi dhe Kinë, sepse Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, pritet të harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me bllokun evropian.

Po ashtu, Qeveria gjermane, pas lajmit të arritjen e armatimit nga Kina, i bëri thirrje Serbisë që të përshtatë politikën e jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Jashtëm i Irlandës Simon Coveney ndodhet sot në…