Osmani në PE zotohet për mbrojtjen e të drejtave të serbëve që jetojnë në Kosovë

14 qershor 2023 | 12:17

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se integrimet euroatlantike janë synimet e vetme për Kosovën.

“Kosova është Evropë, të jesh kosovar do të thotë të jesh evropian”, ka thënë Osmani në një seancë plenare para Parlamentit Evropian (PE).

Ajo ka thënë se Kosova është vendi më pro-evropian në Ballkanin Perëndimor.

“Ekzistenca e shtetit tonë dëshmon çfarë mund të bëjnë demokracitë kur bëhen bashkë, kur i dalin ballë pushtuesit, kur mbështesin ata që luftojnë për drejtësi dhe barazi, dhe kur ju bashkoheni kundër tiranisë, diktaturës dhe gjenocidit”, ka thënë Osmani.

Duke folur për të drejtat që ofron Kosova për secilin qytetar, Osmani u ka bërë thirrje të gjithë serbëve që jetojnë në Kosovë që të shfrytëzojnë të drejtat që i parasheh Kushtetuta e këtij vendi .

“Republika e Kosovës është shtëpia juaj dhe do të bëjmë gjithçka që të ju të jeni të përfshirë dhe të dëgjoheni”, ka thënë Osmani.

Në nisje të seancës, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka thënë se BE-ja është e vetëdijshme për ndikimin që mund të kenë tensionet e fundit në veri të Kosovës në rajon, prandaj e ka përmendur nevojën urgjente për ulje të tensioneve.

Ajo, po ashtu, ka thënë se Kosova vetëm përfiton nga BE-ja, kur ndërmerr masa për ulje të tensioneve.

Vizita e presidentes Osmani ishte caktuar para më shumë se një muaj dhe zhvillohet në një situatë kur raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian janë në një fazë të vështirë.

Bashkimi Evropian e konsideron Kosovën përgjegjëse për nxitjen e tensioneve në pjesën veriore të vendit dhe për mospërfillje të kërkesave për ndërmarrjen e hapave për uljen e këtyre tensioneve.

Si pasojë, kabineti i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrel, ka përgatitur dhe i ka ndarë me shtetet anëtare disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Parlamenti Evropian e ka mbështetur Kosovën prej kur ajo kishte shpallur pavarësinë.

Parlamenti në disa rezoluta kishte bërë ftesë që 5 vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka komentuar anulimin e mbledhjes…