Osmani “nervozohet” me gazetarin që ia përmendi izolimin e Kosovës: Është konstatim që s`ka asnjë lidhje me realitetin

25 tetor 2025 | 16:40

Presidentes Vjosa Osmani duket se nuk i pëlqejnë shumë pyetjet rreth sanksioneve të BE-së dhe ShBA-së për Kosovën.

Gjatë një intervista për Deutsche Welle, Osmani është nervozuar me gazetarin që ia ka përmendur izolimin e Kosovës.

Ajo ka bërë me dije se konstatimet e gazetarit nuk qëndrojnë.

“Ky është jo vetëm një konstatim totalisht i gabuar, por është një konstatim që nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Dhe për dallim prej konstatimit tuaj që Kosova kinse qenka vend i izoluar, dhe që nuk keni fare argumente për një gjë të tillë, unë kam me mijëra argumente pse Kosova në këto pesë vite ka pasur dyert më të hapura sesa në çdo periudhë tjetër. Ma gjeni një periudhë tjetër ku Kosova është ftuar në secilin forum ndërkombëtar”, ka thënë ajo, duke shtuar se ajo ka bërë punë të mëdha.

“Unë si presidente dhe udhëheqëse e politikës së jashtme: nuk ka organizim ndërkombëtar ku nuk kam qenë e ftuar për t’i dhënë zë Kosovës dhe për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës, përfshirë edhe në samitin e NATO-s, ku Kosova kurrë në histori nuk ka qenë më parë e ftuar. Në qoftë se ke çdo derë hapur, në qoftë se ke besimin dhe përkushtimin e secilit lider shtetëror, nuk po flas tani për shtete si Rusia dhe armiqtë e Kosovës, po flas për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po flas për Gjermaninë, po flas për Francën, po flas për shtetet në kontinente të largëta, me të cilat asnjë president tjetër paraprak nuk ka ndërtuar marrëdhënie të afërta, dhe në qoftë se udhëheqësja e politikës së jashtme të Kosovës ka arritur që të jetë e pranishme deri në këtë masë, si mund të quhet Kosova shtet i izoluar?”, ka thënë ajo.

Ajo ka pretenduar se për pezullimin e planifikimit të dialogut strategjik nga ShBA-ja është dënuar Qeveria e jo ajo dhe populli i Kosovës.

“Sa i përket dialogut strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë thënë edhe në intervistë, që ndërprerja e planifikimit të dialogut strategjik nuk është kundër popullit të Kosovës, dhe njëkohësisht kanë treguar publikisht që do ta vazhdojnë bashkëpunimin me presidenten e Republikës së Kosovës dhe ne këtë partneritet po e vazhdojmë. Në fushën e mbrojtjes, si komandante supreme e Ushtrisë së Kosovës, jam siguruar që asnjë projekt në fushën e mbrojtjes mos të ndërpritet me Shtetet e Bashkuara dhe po e vazhdojmë në përmasa që nuk ka qenë më herët”, është shprehur Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy do të ketë dy oficerë policie…