
Osmani pas takimit me ministret belge: Heqja e masave të BE-së duhet të ndodh sa më shpejtë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministren e Drejtësisë të Belgjikës, Annelies Verlinden dhe ministren e Azilit dhe Migrimit, Anneleen Van Bossuyt.
Në takim është diskutuar për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, sigurisë, sundimit të ligjit, si dhe për procesin e integrimit evropian dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj Kosovës dhe theksoi se Belgjika mbetet një nga partneret më të besueshme dhe më parimore të Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Në këtë kontekst, Osmani ka theksuar rëndësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës, duke nënvizuar se institucionet e vendit janë plotësisht të përkushtuara në zbatimin e reformave që forcojnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe llogaridhënien.
Ajo ka thënë se qytetarët e Kosovës janë ndër më proevropianët në kontinent dhe se heqja e masave të BE-së duhet të ndodh sa më shpejtë dhe se do të ishte një hap i drejtë për rimëkëmbjen e besimit dhe avancimin e agjendës evropiane të vendit.
Siç ka bërë me dije Presidenca, në këtë kontekst, në raport me rrugën e Kosovës për integrim në BE, Osmani ka shtruar nevojën që Belgjika ta marrë rolin udhëheqës për ta shtyrë përpara aplikimin e Kosovës në BE.
Poashtu është bërë me dije në takim, Osmani ka vënë në pah rezultatet e prekshme në fushën e sundimit të ligjit dhe drejtësisë, përfshirë luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që janë vlerësuar pozitivisht nga partnerët ndërkombëtarë.
Sipas presidentes, bashkëpunimi i ngushtë në mes Kosovës dhe Belgjikës në drejtësi, siguri dhe mbrojtje është model i partneritetit evropian që forcon paqen, stabilitetin dhe perspektivën e përbashkët.