
Osmani takohet me komandantin e Gardës Kombëtare të Iowas, diskutojnë për thellim të bashkëpunimit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim komandantin e Gardës Kombëtare të shtetit amerikan të Iowas, gjeneralmajor Stephen Osborn, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowas, si dhe për planet e ardhshme të thellimit të këtij partneriteti strategjik.
“Aleanca me ShBA-të në fushën e mbrojtjes, e fuqizon shtetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar presidentja Osmani.
Më tutje, presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje dhe vlerësim të lartë për mbështetjen e vazhdueshme që Garda e Iowas i ka dhënë FSK-së në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve operacionale, të cilat u demonstruan me sukses gjatë ushtrimit të përbashkët ndërkombëtar “Defender Europe 2025”.
Ajo ka veçuar faktin se këtë vit, në kuadër të këtij ushtrimi, Kosova pati nderin të mirëpresë Komandën Taktike të Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane, dhe se pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Iowas ishin pjesë aktive e forcës së përbashkët që veproi në territorin e Kosovës.
Në takim, presidentja Osmani, gjithashtu ka shprehur falënderim të sinqertë dhe vlerësim të thellë për mundësinë që iu dha një kontingjenti të FSK-së për të kryer stërvitje të përbashkëta në Qendrën e Trajnimit për Gatishmëri të Përbashkët në Louisiana, së bashku me pjesëtarët e Gardës së Iowas dhe forcave tjera aleate amerikane.