
Osmani u prit në takim nga kryeministri i Malajzisë, diskutuan për mundësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në në Malajzi, u prit sot me nderime të larta shtetërore nga kryeministri Anwar bin Ibrahim, në Kompleksin qeveritar “Perdana Putra” në Putrajaya.
Në këtë takim, presidentja Osmani falënderoi kryeministrin Anwar për mbështetjen e palëkundur që Malajzia i ka dhënë Republikës së Kosovës, duke theksuar se Malajzia ishte ndër shtetet e para në botë që e njohu pavarësinë e Kosovës më 2008.
“Kryeministrin Anwar, Presidentja Osmani e falënderoi edhe për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, duke theksuar se ky vendim do të hapë mundësi të reja për forcimin e lidhjeve ndërmjet qytetarëve të të dy shteteve, por edhe në bashkëpunimin në sfera të interesit të përbashkët”, bëhet e ditur në njoftim.
Tutje, theksohet se presidentja Osmani vlerësoi kontributin e Malajzisë në periudhat kyçe të shtetndërtimit të Kosovës që nga paslufta e deri më sot, ndaj falënderoi kryeministrin Anwar për vazhdimin e mbështetjes për forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Në shenjë mirënjohjeje për njohjen dhe kontributin nga shteti i Malajzisë për pavarësinë e Kosovës, procesin e shtetndërtimit dhe përkushtimin e tij për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, presidentja Osmani e dekoroi kryeministrin Anwar Ibrahim me Urdhrin e Pavarësisë”, vijon komunikata.
Presidenca shton tutje se gjatë takimit u diskutuan mundësitë për bashkëpunim në sferën e ekonomisë, tregtisë, inovacionit, turizmit, dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.
“Në këtë kontekst presidentja Osmani shtroi nevojën e mbajtjes së një forumi ekonomik Kosovë – Malajzi. Presidentja Osmani e ftoi kryeministrin Anwar për një vizitë zyrtare në Kosovë, si dëshmi e vullnetit të përbashkët për ta avancuar më tej këtë partneritet”.