
OVL-UÇK pas aktgjykimit të Apelit për Shalën: Prisnim lirimin, ky vendim e thellon bindjen se kjo gjykatë ka karakter politik
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Speciales për Pjetër Shalën. Kjo organizatë është shprehur thellësisht e pakënaqur me vendimin e Apelit të Gjykatës për uljen e dënimit të ish-komandantit të UÇK-së, Pjetër Shala nga 18 në 15 vjet burgim.
OVLUÇK-ja ka theksuar se “edhe pse dënimi është ulur, ne kemi pritur me bindje të plotë një vendim lirues, sepse besojmë në pafajësinë e bashkëluftëtarëve tanë, dhe në luftën tonë të drejtë për çlirim”.
“Ky aktgjykim, në vend që të përmbyllë padrejtësinë, veçse e thellon bindjen tonë se kjo gjykatë ka karakter politik dhe nuk e trajton drejtësinë mbi baza të barabarta e të paanshme”, është thënë në reagimin e kësaj organizate.
OVLUÇK-ja ka vlerësuar se “UÇK-ja nuk ka nevojë të mbrohet nga e vërteta”, se “e vërteta historike është në anën tonë” dhe se “bashkëluftëtarët tanë nuk do t’i nëpërkëmbë askush me procese të motivuara politikisht”. “Liria nuk gjykohet, ajo respektohet!”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.