Pa e ditur askush, Kadare bëhet ambasadori i parë i madh i çështjes së Kosovës

26 shkurt 12:16

KADARE DHE KOSOVA (4)

Bedri Islami

Kur Teuta Hadri u arrestua për herë të parë dhe milicët serbë vajtën në shtëpinë e saj, mes të tjerave, atë e akuzuan edhe se në shtëpinë e saj kishin gjetur librat e Kadaresë botuar në Tiranë. Është në akuzën e saj zyrtare dhe e pyesin gjatë për të. Një inkuzicion i pamatshëm për librat e një shkrimtari, i cili edhe pse një vit më parë është botuar zyrtarisht në Prishtinë dhe vetë autori ka pasur takime në institucionet e Krahinës, përsëri vazhdon të mbetet i rrezikshëm.
Dëshmitë në librin e Teuta Hadrit do të jenë tronditëse. Shpeshherë, kur lexoja librin e saj, më vërvitej në kujtesë personazhi kadarean Shpend Brezftohti, studenti që synoi të shkrinte krushqit e ngrirë, pastaj toka e lagësht, më saktë nëntoka dhe dherat mbi shtatin e tij, ku hëna, sado e bardhë të ishte, nuk arrinte dot; pastaj ajo rrëkezë e nëndheshme, që ia shtrinte një pjesë të flokëve përpara, në drejtim të rrjedhës së vet, sikur dora e nënës ia përkëdhelte dhe ia krihte vazhdimisht, ndërsa rrëzë maleve të Sharrit, aty ku dëbora e paktë e fundprillit mbi shkëmbinjtë dukej vërtet si krushqit e ngrirë. Teuta Hadri do t’i përjetonte nga afër skenat e krimit që nga mbyllja e syve të grave, fëmijëve dhe burrave të familjes Jashari, deri te të afërmit e saj.
Do të ishte një nga gratë intelektuale, poete njëkohësisht, mjeke e shquar, që do të dënohej edhe për adhurimin e saj ndaj një poeti të shquar të kombit.
Kadare në Kosovë nuk është trajtuar kurrë veçse si një shkrimtar i madh. Mbi të gjitha ai është parë, ashtu si ishte, një atdhetar i madh.
Pak vite më vonë Kadare do të shkruajë përsëri për një ngjarje reale, vrasjen e poetit militant Jusuf Gërvalla, i cili në mesnatën e 17 janarit 1982 do të vritej nga shërbimi sekret serb, së bashku me mikun e tij, gazetarin Kadri Zeka dhe të vëllanë, Bardhoshin.
Romani, me titullin më të mirë të mundshëm që do t’i përshtatej Jusuf Gërvallës “Baladë për J. G.” Është, në fakt, vazhdim i denoncimit të krimit që ka ndodhur në Kosovë.
Jusuf Gërvalla ishte poet, gazetar, muzikant, një ndër njerëzit më shpirthapur dhe botëformues, prania jetësore e të cilit po bëhej përherë e më e rrezikshme. Për të gjitha shtetet totalitare një shkrimtar i madh është edhe një i rrezikshëm i madh.
Stendal ka shkruar se “meriton të hidhet në letër vetëm ajo që është interesante dhe pasi historia e ka thënë fjalën e saj”.
Mirëpo, ndodh edhe ndryshe. Jo gjithnjë dhe jo nga të gjithë. Ndodh që shkrimtarët e mëdhenj gjejnë forcën për të skalitur atë pjesë historie që mund të jetë e denjë si e tillë. Bëhen pararendës të saj. Përçues. Lajmës. Skalitës, më në fund.
Mjeshtrit e vërtetë nuk kanë nevojë që historia të ngurtësohet përfundimisht, pra kur ajo të jetë e ftohtë, e pandryshueshme dhe solide. Ata, me subkoshiencën e tyre, nganjëherë verbuese, risjellin atë që është më qëndruese në jetën e një kombi: njerëzoren, të vyeshmen, si është në këtë roman portreti i Jusuf Gërvallës, ku shpirti ka dalë mbi uniformat, flamujt e egërsisë, ngërçet e vdekjes, shtrëngimin e dhëmbëve, çmendurinë e përgjithshme. Ai është njerëzor deri në çastin e fundit, i vetëdijshëm se çfarë ka ndodhur me të dhe, në një mënyrë a në një tjetër, mund të quhej edhe ai Shpend Brezftohti, ripërsëritje, i rivrarë, përsëri në një kohë të ngrirë, jo vetëm se është mesi i janarit; për më tepër në një dhe të huaj, ku do të rrijë shumë e shumë vite, deri në rikthimin e tij në Kosovë.
Për të shkruar një roman të tillë nuk është e mjaftueshme të jesh shkrimtar i madh, si është Kadare ndër më të mëdhenjtë. Të gjitha do të ishin të mangëta, të shprishura, do të ishte gjithçka si në ato çastet e qeta të historisë, kur ajo është ngurtësuar; e bukur, por pa atë ndjenjën e mirëbesimit, pjesë e një statuje me sy të ftohtë, nëse nuk ke në vete atë ndjenjën e veçantë të mirëkuptimit të aktit sublim të një njeriu–poet e luftëtar, që, edhe pse e di se erdhi çasti i ikjes, nuk do të lërë sherr pas vetes, nuk do të jetë pjesë e diferencimit, ndarjes, mërisë, egërsisë dhe, belbëzon si fjalët e fundit të një jete të urtësishme, se, në qoftë se dorasit janë shqiptarë, kurrë mos u zbulofshin. E vrasësi dihet, i dyfishtë, i kundërti i Teuta Shkrelit, mjekes kirurge që mjekon plagët e kujtdo. Një mjek praktikant serb, në fakt më shumë ushtar se njeri human, do të jetë pjesë e vrasjes së poetit. Pjesa e dytë e vrasjes së tij.
Më parë se në letër, Jusuf Gërvalla është në zemër, është simbioza e poetit, vëllai i tij, e ndoshta edhe fati i tij.
Duhet të jesh edhe guximtar për të thënë një të vërtetë nga e cila, mund të kthehesh në orakull i vetvetes.
Shpesh herë kam menduar se sa vite përmbahen në një të vetëm: vitin 1981.
Jo të gjithë e kuptuan menjëherë atë. Disa, edhe sot, ende nuk e kanë kuptuar se sa i madhërishëm ishte ai.
Kadare ishte ndër të parët që, jo vetëm e kuptoi, por edhe e rroku atë. Në fakt, të gjitha momentet madhore të historisë së Kosovës, pra vitet e shndërrimeve të saj, ai, jo vetëm i kuptoi, por me qetësinë shpirtërore të pazakontë, u bë pjesë e tyre, e shpesh herë pararendës. Nga secili krijim i tij që lidhet me këto periudha të veçanta, sidomos në trekëndëshin 1981 – 1989 – 1998, pra pranverën e madhe të vitit 1981, lëvizjet e mëdha për republikën dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, zbulohet një galeri personazhesh, përmes të cilëve mund të kuptohet realisht ajo që ka ndodhur në Kosovë, e jo vetëm aq, e fuqishme në hapësirën e krijuar, e pamatshme nga vizioni, afërsi njerëzore dhe njëkohësisht ndjesi përkushtimi – vetëm përmes tyre mund të konceptohet hapësira e Kadaresë e krijuar nga vetë ai dhe e përqafuar nga njerëzit.
Asnjë shkrimtar tjetër nuk ka qenë më i lidhur me Kosovën, se sa vetë ai; askush nuk është kuptuar më qartësisht dhe nuk është dashur, nganjëherë çmendurisht. Kjo vepër bëhet gjithnjë e më e pamatshme, sa herë që synojmë të depërtojmë në të, si në ato galeritë që të shpien drejt thelbit, dhe që, në këtë rast, është e pambarueshme.
Në Kosovë ai ishte gjithnjë i paprituri që pritej me ankth, në të gjitha kohërat. Ai ishte ngjarje. Ai mbetet ngjarje. Kjo nuk ka të bëjë me dëshirën njerëzore. Është ngurtësuar tani.
Ka pasur gjithnjë një moskuptim të madh mes çështjes së shqiptarëve në Kosovë dhe Perëndimit. Ka pasur pikëpyetje, hatërmbetje, mallkime, belbëzime, furtuna të ngritura e të përfunduara pa rënë asnjë pikë shi i bereqetshëm, përçarje, rendja drejt vendeve të lindjes, komunizëm; përsëri mallkime dhe vetmi, një vetmi e gjatë, e mbrapshtë dhe mizore. Perëndimi më shumë është shfaqur si fantazmë, Lindja komuniste si galaktikë diellzuese. Në fakt kishte qenë e kundërta.


Zemërimi me Perëndimin kishte qenë më shumë me pamundësinë për të ju afruar, e më tej, për ta kuptuar. Thënia e Naim Frashrit se “dielli lind andej nga perëndon”, nuk kishte qenë veçse poetike, por joshje, thirrje, brengë, mesazh dhe shpresë. Në shumë vite vetmi, kur kishte ardhur mundësia e hapjes, të ngutshëm si shpesh herë dhe inatçorë të krisur, te shqiptarët kishte pasur ndjellje të fatalizmit dhe pesimizmit.
Kadare, njohës i shkëlqyer i shpirtit të një populli që ishte ende i hutuar dhe rruga i kishte humbur disa herë në oborrin e shtëpisë së tij, do të përhapte idenë e saktë se, të jepesh pas fatalizmit është si të ngresh duart e të dorëzohesh. Fati i shqiptarëve në Kosovë nuk është aq i zymtë sa duan ta bëjnë disa. Ai bën thirrje njerëzve as të mos zemërohen, as të mos mallkojnë, madje të shajnë dhe të leçitin, si propozuan “kokat e nxehta”, apo një rrymë “moderne”, e cila, duke mohuar gjithçka mendonte se mund të afrohej dhe të bëhej më e besueshme.
Si mund të ngrihemi e të zemërohemi me Perëndimin, bën thirrje ai, si mundemi madje ta shajmë dhe ta mallkojmë? Evropa dhe ShBA janë synimi ynë, horizonti, shpresa jonë. “Ndryshe, drejt ç’yllnaje tjetër do të orientohemi”?
Kombi kishte dashur gjithnjë një përfaqësues të tij, ndoshta të pashpallur zyrtarisht, por të njohur si të tillë vetvetiu, i cili të kishte n vete aftësinë për të bartur një mision të tillë, të ishte i besuar, aureola rreth tij të ishte e natyrshme dhe fjala të kishte peshën e duhur.
Kadare bëhet, pa e ditur askush, ambasadori i parë i madh i çështjes së Kosovës. Ai është i njohur, shkrimtar i madh; natyra e tij e qetë, por edhe zemërimi tipik gjirokastrit e bëjnë më të vyerin në këtë fushëbetejë që sapo ka nisur.
Letër këmbimi i tij me personalitet më të mëdha botërore është thelbësisht për Kosovën, sidomos pas vitit 1991.
Në bindjen e tij është prioriteti i kombit çështja e Kosovës. Mirë a keq, Shqipëria londineze ka hyrë në një rrugëtim, duan apo nuk duan liderët, gjërat mund të zgjaten, por do të bëhen, ndërsa në Kosovë ky është momenti i fundit.
Ai i drejtohet Georg Bushit, presidentit francez Miteran, presidentit çek, shkrimtarit të njohur Havel, Papës së shenjtë Gjon Pali i Dytë, Presidentit Shirak, Ministrisë së Jashtme franceze, delegacionit shqiptar në Rambuje, takon statura të shquara të botës diplomatike, shfrytëzon të gjitha tribunat ku është i ftuar a i nderuar, pa reshtje, të flasë për Kosovën, të shkruajë; një cikël librash të shquar bëhen pjesë e jetës së përditshme njerëzore dhe fitojnë qytetarinë më shpejt nga sa janë përhapur dhe, ata, librat, janë plot dritë, ngazëllim, shpresë, brengë, përplasje, zemërim, vuajtje, shend, mallkim për kokëkrisjen shqiptare, dhe gjithçka, ose thujase gjithçka që vërvitet rreth fatit të Kosovës, atij i intereson furishëm. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke kujtuar 22 të vrarët nga regjimi komunist 70 vjet…