Pa UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare Kosova kthehet në një parcelë të gjithkujt (5)

13 korrik 2020 | 11:23

Shkruan: Kudusi Lama

Millosheviqi ndërmori të gjitha monstruozitetet por, pa sukses, u përballë me Jasharët e Mëdhenj, me Prekazin, me Gllogjanin, me Drenicën, me Dukagjinin, me Llapin e Gollakun, me Nerodimen, me Sharrin, me Pashtrikun, me Rugovën, me Anamoravën e Anadrininë etj. Megjithatë, përsëri iu dha leje në verën e vitit 1998, përsëri në tetor, në dhjetor, edhe në janar 1999, përsëri në shkurt… E nuk pati më kohë se djemtë e UÇK-së nuk u mposhtën, ata do të ishin çdo ditë më të fortë. Detyrimisht iu mbarua uji Millosheviqit. Ai tashmë nuk kishte asnjë mundësi për t’u përballur me UÇK-në. Në betejë hyri bota moderne, por tashmë jo kundër UÇK-së, por kundër Millosheviqit. Kam besuar se për të vendosur drejtësi, por po krijoj idenë se ajo ndërhyrje ishte për ta shpëtuar Serbinë tashmë pa Millosheviqin, që ishte konsumuar për politikën ndërkombëtare. A mund të jetë kjo e vërtetë?

Por çfarë ndodhi më tej? Në fillim UÇK-ja u vlerësua me nota shumë të larta, si forcë tokësore e NATO-s, që duke bashkëpunuar me të, NATO-ja edhe nëse do të kishte nevojë për forca tokësore, nuk do të ishte nevoja sepse do të shfrytëzohej UÇK-ja që ishte në terren e që i plotësonte të gjitha kriteret. Më e shumta që mund të bëhet për këtë, do të duhej të armatosej me disa armë moderne. Kush ka dëshirë të marrë informacion më të gjerë për këtë, le t’u referohet librave të presidentit Bill Klinton “Jeta ime”, sekretares së shtetit Medlein Ollbrajt “Zonja sekretare”, komandantit të NATO-s gjeneralit Uesli Clatk “Të bësh luftë moderne” etj. Në të gjitha është e thënë gjithçka qartë.
Por lufta mbaroi dhe në plan të parë doli çmilitarizimi i UÇK-së, si kusht për mirëkuptim në rrugën e bërjes së Kosovës së pavarur. U pranua me besim, por më duket se paska qenë me hile. Pas çmilitarizimit të UÇK-së, doli se TMK-ja si trashëgimtare e saj nuk duhet të ketë armë, por duhet të jetë si një force logjistike. U pranua edhe kjo si mirëkuptim. Por ja që u kërkua të kalohej në Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe këto duhet të ishin shumetnike. Por realisht cili është roli i NATO-s sot në Kosovë? Ajo e përfaqësuar nga KFOR-i, pretendon të jetë këshilluese për Forcat e Sigurisë së Kosovës, por nuk e njeh pavarësinë e Kosovës e, për rrjedhojë, nuk e njeh shtetin e Kosovës. Kjo forcë konstruktive në vitin 1999, nuk di si mund të qëndrojë akoma me mendësinë e vitit 1999. Si duhet ta kuptoj këtë? A nuk duhet ta kuptoj si një hile për shqiptarët dhe për Kosovën në veçanti? Për mua kjo forcë do të duhej të kishte përgatitur deri tani forcat e Armatosura të Kosovës që do të jenë nesër luftarake e do të bëhen anëtare të NATO-s. Deri tani nuk është punuar fare për t’i përgatitur forcat ushtarake të Kosovës me standardet e nënreparteve ose reparteve të NATO-s, sepse nesër ajo forcë do të jetë ushtria që do të jetë garantë e sigurisë dhe krenarisë së Kosovës. Ky është një tregues i qartë i faktit se këtu po qëndrohet hiq e mos këput siç i themi ne shqiptarët. Mirëpo me hiq e mos këput nuk ndërtohet jeta kombëtare e shtetërore, pasi ne do të jemi këtu jetë pas jete deri në fund.

Prandaj pretendojmë se nuk është mirë të shkojmë me mendimin “le të kalojë edhe dita e sotme”. Unë kam pretendime, pasi jam i gatshëm të bëj sakrifica për ndershmërinë. Por jo sakrifica duke lëshuar pozicionin e arritjeve kombëtare.
Pikërisht këto janë hapat që duke i hedhur një nga një, Serbia arriti deri aty, sa pa bërë asnjë kërkim faljeje për krimet që ka kryer, po na akuzon se ne jemi kriminelët që paskemi bërë krime mbi serbët. Prokurorët specialë ndërkombëtarë për krimet në ish-Jugosllavi, ngritur me vendim të OKB-së, mbështetur në dëshmitë e Serbisë dhe agjentëve të saj, na arrestuan mjaft prej djemve të luftës si kriminelë lufte, na i dënuan pa asnjë fakt e mjaft prej tyre fituan pafajësinë.
Dhe tani akuza ndaj UÇK-së për krime lufte hyri edhe në politikë. I zgjedhuri i Evropës për t’i bërë akuzat në interes të Serbisë ishte një zviceran që kishte qenë përkrahës i flaktë i Serbisë dhe kundërshtar i egër i luftës çlirimtare të Kosovës. Ky akuzues politik tashmë nuk do të bënte akuza për vrasje, por për kanibalizëm. Ai do ta akuzonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në tërësi dhe udhëheqësit e saj në veçanti, se kur ishin në vijat e frontit, nuk e kishin mendjen se si do të mund të arrinin të fitonin mbi pushtuesin serb, por se si mund të siguronin ndonjë serb të shëndetshëm që të mund t’i merrnin organet për t’i shitur diku. Nuk e di nëse njerëzit normalë do ta konsiderojnë një ndjesi të tillë si të mundshme në këto situata, kur në Kosovë ishin jo pak, por mbi 72 mijë ushtarë e policë, me detyrë të asgjësonin shqiptarët. Po kështu edhe 63 mijë serbë civilë të armatosur, mbi 8 mijë paramilitarë, mbi 5 mijë kriminelë e disa qindra agjentë të UDB-së, të cilët çdo ditë luftonin me forcat e UÇK-së dhe vrisnin e masakronin qytetarë të paarmatosur dhe sot secili prej tyre është dekoruar mbi tri herë nga Beogradi, pikërisht pse ka vrarë e masakruar shqiptarë në shtëpitë e tyre. Këto forca kishin në dispozicion edhe disa qindra tanke, disa dhjetëra helikopterë luftarakë, disa dhjetëra aeroplanë gjuajtës-bombardues, disa qindra gryka zjarri artilerie të kalibrit të madh, qindra raketa kundërtanke me një përdorim dhe disa dhjetëra raketa që shpërndanin secila në një sipërfaqe 1 hektar, 298 granata të cilat shpërthenin rreth një metër mbi sipërfaqen e tokës etj. Dhe mbi këto, krimet i kanë bërë luftëtarët e UÇK-së, që kanë pasur vetëm armë krahu dhe kanë qëndruar përballë këtij arsenali serb.
Sidoqoftë, duhet të vlerësojmë se tashmë kemi një akuzë dhe përballë saj duhet të jemi aktivë për të sqaruar gjithçka e për të bërë që opinioni të kuptojë se janë këto akuza një abuzim, apo janë të vërteta.

Vetëm në asnjë mënyrë nuk duhet ta ngatërrojmë luftën që është e shenjtë, me pretendimet që mund të kemi për qeveritarët e sotëm. Unë do të kërkoja prej të gjithëve që të distancohen nga këto kombinime. Pasi duket se është organizuar mirë aktiviteti antishqiptar, për ta krijuar idenë se këto që na qeverisin sot, ishin kriminelë para se ta merrnin pushtetin në Kosovën e çliruar. Ashtu sikurse po punohet që duke sjellë pengesa në qeverisje e në rritjen e mirëqenies së qytetarëve kërkohet që qytetarët ta krijojnë mendimin se ishin më mirë nën Millosheviqin se sa sot që janë të lirë. Këtë mesazh po tentojnë ta japin edhe serbët, ashtu edhe segmente të ndryshme evropiane, e shumë mbështetës e mbrojtës së interesave serbe, duke krijuar pamje nga më të pakuptueshmet për portretin e shqiptarëve. Dhe kjo duke përdorur atë “përkëdheljen” për shqiptarët, duke thënë “ne i duam shqiptarët, ne duam thjesht luftëtarët e UÇK-së t’i kriminalizojmë, sepse nuk mund të bëjmë çfarë duam në Kosovë, në qoftë se do t’i kemi ata nëpër këmbë”. Këtë duhet ta kuptojnë qytetarët e Kosovës, intelektualët dhe politikanët. Të mos bien në kurthin e përkëdheljeve të atyre që duan ta përbaltin UÇK-në dhe luftën e saj. Duhet ditur se pa UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare Kosova kthehet në një parcelë të gjithkujt, ndoshta edhe serbe. Por askush nuk duhet të mashtrohet prej atyre që kanë dëshirë të ndodhë kjo. Kosova përjetësisht do të jetë e lirë dhe me histori të shenjtëruar mbështetur mbi luftën e të gjithë brezave, përfshirë edhe luftën finale, Luftën Çlirimtare dhe Ushtrinë që e barti atë luftë. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot…