
Pacolli pritet në Vatikan nga Papa Françesku
Ati i Shenjtë Papa Françesku, ka pritur sot zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacollin me bashkëshorten e tij Mashen, në një audiencë në Vatikan.
Pacolli përmes një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se ishte nder dhe privilegj ta përfaqësojë shtetin e Kosovës në takim me Papa Françeskun.
“Gjatë diskutimeve të përzemërta, ne evokuam marrëdhëniet e mira tradicionale dhe kontributin e Selisë së Shenjtë në Kosovë gjatë historisë sonë të trazuar dhe përballë sfidave të tanishme socio-ekonomike. Unë shpreha në emër të popullit të Kosovës vlerësimin për mbështetjen e Papa Françeskut ndaj Kosovës. Ne diskutuam për rëndësinë e vazhdimit të angazhimit tradicional midis Kosovës dhe Selisë së Shenjtë. Papa Françesku shprehu afërsinë e tij me tërë popullatën e Kosovës dhe lutjet e tij për paqe tolerancë dhe harmoni multietnike dhe fetare ndërmjet popujve. Ne jemi të bekuar me miqtë tanë dhe jemi shumë të nderuar për vëmendjen që Papa Françesku i jep Kosovës dhe qytetarëve tanë”, ka shkruar Pacolli.
/Epoka e re /