Paditë e Serbisë nuk mund të më zmbrapsin në betejën për drejtësi

15 shtator 2020 | 09:00

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa, e ka quajtur politike padinë e ngritur ndaj tij nga Gjykata e Vranjës për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar më 28 nëntor të vitit të kaluar.

Ai ka deklaruar se paditë e tilla nuk do ta zmbrapsin në betejën për drejtësi.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka treguar arsyet pse i është ngritur kjo padi. “Padia e ngritur nga Gjykata e Vranjës është e motivuar politikisht. Ajo bazohet nën pretendimin e shkeljes së nenit 41 të Ligjit për shfaqjen dhe përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Serbisë, që parasheh dënim nga 50 000 deri në 500 000 dinarë. Kot e kanë. Edhe mund të më dënojnë, por nuk mund të më zmbrapsin nga beteja për drejtësi”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka bërë me dije se shqiptarët e kanë të garantuar të drejtën e përdorimit të simboleve kombëtare me Kushtetutën e Serbisë. “Rikujtoj se Kushtetuta e Republikës së Serbisë, kapitulli ‘E drejta për t’i ruajtur tiparet e veçanta’, përkatësisht Neni 79,thekson se ‘Pjesëtarët e pakicave kombëtare kanë të drejtë të: shprehin, ruajnë, kultivojnë, zhvillojnë dhe shprehin publikisht veçoritë kombëtare, etnike, kulturore dhe fetare;  për përdorimin e simboleve të tyre në vendet publike; ta përdorin gjuhën dhe shkrimin e tyre…’. Pra, e drejta e përdorimit të simboleve kombëtare për minoritetet jo vetëm se është e drejtë e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare, por edhe me frymën dhe germat e Kushtetutës së Serbisë”, ka deklaruar ai.

Mustafa i ka ftuar institucionet e Serbisë që të çlirohen nga politikat shtypëse duke e ndryshuar ligjin për përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve nacionale. “Në vend se t’i shtypë shqiptarët në emër të shtetit ligjor, Serbia ta respektojëKushtetutën dhe ta fillojë demokratizimin e saj duke u shkëputur nga politikat diskriminuese ndaj minoriteteve. Të çlirohet nga politikat shtypëse duke e ndryshuar ligjin për përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve nacionale, për ta përputhur me Kushtetutën e vet dhe standardet demokratike”, ka thënë ai.

Mustafa ka përshëndetur marrëveshjen e Uashingtonit e cila është arritur më 4 shtator në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Ne e mirëpresim posaçërisht pikën e 6 të kësaj marrëveshje, ku nënvizohet: ‘Të dyja palët do t’i njohin diplomat dhe certifikatat profesionale të njëra-tjetrës’, si dhe pikën tjetër ku flitet për refugjatët dhe të zhvendosurit”, ka deklaruar Mustafa.

“Epoka e re”: Z. Mustafa, para disa ditësh ju jeni paditur nga një gjykatë për ngritjen e flamurit kombëtar vitin e kaluar. Ciliështë komenti juaj për këtë padi?

Mustafa: Kjo ftesë shfaqet pas shmangies së ballafaqimit të ministrit Mbrojtjes Republikës së Serbisë, Aleksandër Vulin, me padinë e ngritur nga unë, për përdorim të gjuhës nënçmuese, fyese, gjuhës së urrejtjes, gjuhës kriminalizuese dhe denigruese kundrejt shqiptarëve. Sado që do të besosh në paanësinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, duket e çuditshme se si po përputhen këto dy raste, së paku në kuptimin kalendarik. Padia e ngritur nga Gjykata e Vranjës është e motivuar politikisht. Ajo bazohet nën pretendimin e shkeljes së nenit 41 të Ligjit për shfaqjen dhe përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Serbisë, që parasheh dënim nga 50 000 deri në 500 000 dinarë. Kot e kanë. Edhe mund të më dënojnë, por nuk mund të më zmbrapsin nga beteja për drejtësi. Rikujtoj se Kushtetuta e Republikës së Serbisë, kapitulli ‘E drejta për të ruajtur tiparet e veçanta’, përkatësisht Neni 79,thekson se ‘Pjesëtarët e pakicave kombëtare kanë të drejtë ta: shprehin, ruajnë, kultivojnë, zhvillojnë dhe shprehin publikisht veçoritë kombëtare, etnike, kulturore dhe fetare;  për përdorimin e simboleve të tyre në vendet publike;  ta përdorin gjuhën dhe shkrimin e tyre…’ Pra, e drejta e përdorimit të simboleve kombëtare për minoritetet jo vetëm se është e drejtë e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare, por edhe me frymën dhe germat e Kushtetutës së Serbisë. Në vend se t’i shtypë shqiptarët në emër të shtetit ligjor, Serbia ta respektojë Kushtetutën e vetdhe ta fillojë demokratizimin e saj duke u shkëputur nga politikat diskriminuese ndaj minoriteteve. Të çlirohet nga politikat shtypëse duke e ndryshuar ligjin për përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve nacionale, për ta përputhur me Kushtetutën e vet dhe standardet demokratike.

“Epoka e re”: Çfarë do të thotë për shqiptarët e kësaj ane një padi e tillë? Paraqet mesazh frikësues?

Mustafa: Përdorimi i  simboleve kombëtare nga shqiptarët në Serbi është e drejtë e tyre njerëzore, kombëtare dhe ekzistenciale. Siç i përdorin ligjshëm simbolet e tyre kombëtare minoritetet e tjera në rajon, edhe shqiptarët në Serbi do t’i përdorin simbolet e tyre kombëtare. Nga kjo e drejtë nuk do të mund të na privojë asnjë regjim. Nuk ka mundur as regjimi i Millosheviqit, nuk do të mundet as ky. Serbia nuk mund ta përzgjedhë flamurin e shtetasve të vet shqiptarë. Atë e përzgjedhin vetë shqiptarët! Ky ligj është flamur i shtypjes. Ky flamur është ligj i barazisë. Prandaj ligji do të ndryshojë, jo flamuri.

“Epoka e re”: Ka pasur edhe raste tjera ku qytetarët shqiptarë janë akuzuar për flamurin kombëtar. A kanë të drejtë shqiptarët ta përdorin flamurin e tyre në Serbi?

Mustafa: Intervenimet nga autoritetet policore në shtëpi private për ta ndalur flamurin kombëtar shqiptar kanë qenë të shumta. Jo pak shqiptarë të Luginës nuk mund të jetojnë në vendlindje për shkak të ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar. Shumë të tjerë janë përballur me procese gjyqësore si sot unë e që dëshmon diskriminimin dhe shtypjen e shtetit ndaj diversitetit, të ndryshmes, asaj që nuk është serbe. Ky rast dhe raste të tjera të regjistruara të abuzimit me përdorimin e autoritetit gjyqësore/policore, flasin për karakterin demokratik të vet shtetit, një shteti ku nuk ka të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, në shpërputhje edhe me konventat për të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve, të nënshkruara nga vetë ai.

“Epoka e re”: Kosova dhe Serbia po vazhdojnë dialogun për normalizim të marrëdhënieve, ndërkohë nuk dihet nëse do të diskutohet për çështjen e shqiptarëve të Luginës. A do të duhej që pjesë e këtij procesi të bëhen të drejtat e shqiptarëve tëLuginës?

Mustafa: Janë shtuar zërat se në dialogun Kosovë Serbi nuk duhet biseduar për çështjet përtej kufijve të tanishëm të Republikës së Kosovës. Kjo qasje që ka për synim të ndërhyhet vetëm në çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën, përjashton mundësinë të ndërhyhet në çështjet që kanë të bëjnë me Serbinë, pra edhe me Luginën e Preshevës. Sigurisht se janë palët e përfshira në dialog që i përcaktojnë përkufizimet, kornizën, parimet dhe kriteret e dialogut. Por, nëse duam dialog midis të barabartëve dhe paqe të qëndrueshme, atëherë kjo nënkupton se çfarëdo teme eventuale që mund të jetë subjekt negociatash (kufijtë e jashtëm, rendi kushtetues, rregullimi ibrendshëm administrativo-territorial, burimet natyrore dhe asetet ekonomike, të drejtat e minoriteteve, krimet e luftës dhe zbardhja e fatit të të pagjeturve etj.) duhet të trajtohet për të dy vendet të cilat janë palë në dialog.

“Epoka e re”: Cili është qëndrimi juaj për marrëveshjen e Uashingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Mustafa: Inkurajuese dhe e mirëseardhur marrëveshja e arritur në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Ne e mirëpresim posaçërisht pikën 6 të kësaj marrëveshje, ku nënvizohet: ‘Të dyja palët do t’i njohin diplomat dhe certifikatat profesionale të njëra-tjetrës’, si dhe pikën tjetër ku flitet për refugjatët dhe të zhvendosurit. E para nënkupton njohjen e diplomave të Kosovës në Serbi, një problem jetik për shumë shqiptarë të Luginës së Preshevës të cilët kanë diplomuar në Kosovë. E dyta ka të bëjë me rregullimin e statusit juridik meqë shqiptarët e Karadakut të Preshevës, Malësisë së Bujanocit dhe të Medvegjës janë dëbuar e tashmë janë duke u përballur me pasivizimin e vendbanimeve që nënkupton ‘spastrimin e heshtur etnik’. Shpreh gatishmërinë për të kontribuar në implementimin e këtyre çështjeve, tashmë të pajtuar midis palëve nën garancitë e presidentit të ShBA-, Donald Trump.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Numri dy i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur rreth zhvillimeve…