PAFAJËSIA E VRARË

01 qershor 2025 | 09:51

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

Kujtojmë Fëmijët Martirë të Kosovës

Disa ditë më parë, Prof. Dr. Nusret Pllana – një nga zërat më të përkushtuar të luftës në Kosovë, zëri që kumbonte gjatë luftës në malet e Berishës duke bërë thirrje për një Kosovë të lirë e te pavarur– më telefonoi për të më njoftuar për akademinë përkujtimore, kushtuar fëmijëve të vrarë gjatë viteve 1981-1999.
Dhe, ai zë nuk ishte zë vetëm i një profesori apo miku, por ai është zë i një gjenerate që kërkonte përgjigje, që nuk pranonte harresën dhe që nuk do të pajtohet me padrejtësi. Ishte një thirrje që më ftoi jo vetëm të flas, por të dëshmoj – të dëshmoj se kujtimi i fëmijëve nuk është vetëm përkushtim moral, por një detyrë e përhershme ndaj së vërtetës, ndaj historisë dhe ndaj dinjitetit njerëzor
Në ato çaste, ndjeva një tronditje të thellë. Vetë përmendja e fëmijëve të vrarë më pushtoi me një ndjesi të rëndë, që shkon përtej reagimeve të zakonshme emocionale. Por pak nga pak, përmblodha veten dhe me një ton të përulur e pyeta profesorin se çfarë mund të bëja, si mund të kontribuoja në këtë akt nderimi dhe përkujtimi. Ai mu përgjigj shkurt, me një qartësi që buronte nga një përvojë e përndezur prej drejtësie të vonuar: “Duhet të mbash një fjalë.” Në zërin e tij ndihej pa mëdyshje një mllef i përmbajtur – jo për ftesën e bërë, por për neglizhencën kolektive dhe institucionale që është treguar ndër vite përballë krimeve të kryera mbi fëmijët tanë.
Edhe unë ndaja të njëjtin shqetësim dhe pakënaqësi që ai shprehu – një ndjesi e përbashkët përballë padrejtësisë së madhe dhe mungesës së veprimit që ka rënduar ndër vite mbi ndërgjegjen tonë kolektive. Megjithatë, në përpjekje për të thyer heshtjen që rëndonte në ajër, i thashë: “Me kohë, gjithçka do të rregullohet.” E thashë këtë jo sepse isha thellësisht e bindur në fuqinë shëruese të kohës, por sepse në atë moment kisha nevojë të krijoja një ndjenjë qetësimi – jo aq për të lehtësuar zemërimin e tij, por më shumë si një përpjekje për të qetësuar vetveten.
Në të vërtetë, ishte një mekanizëm mbrojtës psikologjik. Një mënyrë për të veshur me fjalë një shpresë që ndoshta edhe vetë e ndjeja të brishtë, por që më duhej ta artikuloja për të ruajtur një ekuilibër të brendshëm përballë peshës së rëndë morale që mbartte biseda jonë. Ishte një përpjekje për të besuar se drejtësia, sado e vonuar, do të arrijë, se e vërteta do të shfaqet me gjithë fuqinë e saj, dhe se krimet e heshtura nuk do të mbeten përgjithmonë në errësirë. Në thelb, ajo fjali ishte më shumë shprehje e një nevoje njerëzore për shpresë, sesa e një bindjeje racionale. Sepse kur përballesh me tragjedi që prekin zemrën e një kombi – siç është vrasja e fëmijëve – çdo përpjekje për qetësi është një luftë mes dëshirës për drejtësi dhe frikës nga harresa.
Është e vështirë të besohet se dikush, qoftë edhe në distancën kohore që na ndan nga ajo periudhë, ka mundur ta harrojë se në Kosovë ndodhi një luftë jashtë çdo përmase të zakonshëm – një luftë që nuk ishte thjesht përballje politike apo ushtarake, por një tronditje ekzistenciale, një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj vetë të drejtës për jetë, për identitet dhe për dinjitet njerëzor.
Ky nuk ishte një okupim siç i njeh historia në format e saj të zakonshme, por një pushtim që shënoi vetveten me akte të barbarisë më të egër, që sfidonin çdo normë të së drejtës ndërkombëtare dhe çdo kufi të moralit njerëzor. Dhe në këtë kontekst, shfaqet pyetja që nuk kërkon shumë interpretim, si mund të quhen ndryshe ata që ngritën dorën mbi fëmijët? Si mund të përshkruhen ata që zgjodhën objektivat më të pambrojtur dhe më të pafajshëm si shënjestër të urrejtjes dhe egërsisë së tyre?
Në vetvete, akti i vrasjes së një fëmije nuk lë hapësirë për relativizim moral apo interpretim ideologjik. Ky është krimi absolut – një shkelje e thellë e vetë qenies njerëzore. Dhe ata që e kanë kryer një akt të tillë nuk mund të quhen ndryshe, as të trajtohen ndryshe, veçse si kriminelë në kuptimin më të plotë dhe më të rëndë të fjalës.
Kujtesa e kësaj lufte, pra, nuk është vetëm një kthim në të kaluarën, por një thirrje e vazhdueshme për të emërtuar saktë atë që ndodhi, për të mos lejuar që barbaria të relativizohet dhe që kriminelët të fshihen pas mjegullave të harresës apo të heshtjes politike. Sepse vetëm duke i dhënë të kaluarës emrin e duhur, mund t’i japim të ardhmes një mundësi për drejtësi dhe paqe të qëndrueshme.
“A vriten fëmijët, bre?!” – do të pyeste me dhembje dhe revoltë poeti, duke shkundur ndërgjegjen tonë me një pyetje që ngjan më shumë si klithmë, sesa si kërkesë për përgjigje. Është një pyetje që nuk kërkon shpjegim logjik, sepse vetë ideja e vrasjes së fëmijëve bie ndesh me çdo normë morale, me çdo përkufizim të njerëzores. Dhe megjithatë, përgjigjja që vjen nga terri i dokumenteve – shumë prej të cilëve janë zhdukur apo fshirë me qëllim – është tronditëse, e ftohtë dhe rrëqethëse në qartësinë e saj faktike.
Falë një pune të palodhur dhe me përkushtim të rrallë, Hanumshahe Ilazi dhe Nusret Pllana, dy zëra të ndërgjegjes historike dhe humane, kanë grumbulluar dhe sistemuar dëshmi të tmerrshme, të cilat dokumentojnë aktet barbare ndaj fëmijëve gjatë luftës në Kosovë. Ata nuk na ofrojnë gjithë tablonë – sepse e vërteta është shumë më e madhe dhe më e dhimbshme – por vetëm një pjesë të majës së ajsbergut, një fragment të asaj tragjedie që mbetet ende e pambyllur në faqet e historisë sonë të përgjakshme. Çdo fakt i dokumentuar është një akuzë e heshtur, por e pamëshirshme, ndaj një bote që për një çast zgjodhi të mos shohë.
“Kush i vret fëmijët, vallë?” – është pyetja që ngrihet natyrshëm nga çdo njeri që ende e ndien veten si qenie njerëzore. Jo thjesht për të dëgjuar një emër apo për të gjetur një fajtor, por për të kuptuar se deri ku mund të bjerë një shoqëri, një sistem, një pushtet që e lejon vetveten të ngrejë dorën mbi më të pafajshmit. Është një pyetje që e përshkon thellësisht çdo ndërgjegje, që ngjall revoltë, por edhe përgjegjësi- të kujtojmë, të dokumentojmë, të kërkojmë drejtësi dhe të mos lejojmë që historia të zhbëhet, të heshtet apo të mohohet.
Në këtë kuptim, puna e Ilazit dhe Pllanës nuk është thjesht akt dokumentimi – është një akt rezistence morale dhe intelektuale, që na fton të mos jetojmë të shurdhër ndaj së kaluarës dhe të mos ecim tutje pa i dhënë përgjigje asaj pyetjeje që vazhdon të jehojë me dhimbje: A vriten fëmijët, bre?!
Përgjigjja ndaj pyetjes se kush i vrau fëmijët nuk është as e largët, as e fshehur pas ndonjë misteri historik. Nuk është enigmatike, as e paarritshme për dijen apo kujtesën kolektive. Përkundrazi, është e pranishme, e dokumentuar, e thirrur me emër e mbiemër. Mjafton të shikojmë aty ku duhet, në librin e autorëve Hanëmshahe Ilazi dhe Nusret Pllana – “Fëmijët martirë të Kosovës 1981–1999”, një vepër që nuk është vetëm një akt shkencor apo dokumentues, por një ndërgjegjësim i thellë njerëzor dhe një klithmë nga thellësia e tragjedisë sonë kombëtare.
Këto dokumente, në thelb, është vetë tmerri i faktuar. Në këto dokumente nuk flitet në mënyrë abstrakte për dhunën, por na jep dëshmi të prekshme, të dhimbshme, të përgjakshme – histori reale të fëmijëve të vrarë, të emrave të fshirë nga regjistrat e jetës, por të gdhendur përjetësisht në kujtesën e nënave dhe të historisë. Çdo faqe e tyre është një akt akuze, jo vetëm ndaj kryerësve të krimeve, por edhe ndaj harresës dhe indiferencës. Në ato dokumente nuk gjejmë vetëm të dhëna, por edhe britmat e nënave, lotët e padukshëm që bëhen mallkime dhe thirrje për drejtësi, që ngjiten në qiell dhe s’harrohen dot kurrë.
Por këto të dhëna nuk janë vetëm një kujtim i së keqes. Ato janë, po aq të fuqishëm, një mjet mobilizimi moral dhe qytetar. Lexuesi nuk del prej tij i pandryshuar. Ndien revoltë, ndien nevojën për të reaguar, për të folur, për të vepruar – për të mos e pranuar më kurrë një realitet ku jeta e një fëmije mund të fshihet pa pasojë. Këto të dhëna na mësojnë se rezistenca ndaj së keqes fillon me kujtesën, për të mos e harruar atë që ndodhi. Dhe kjo nuk është thjesht një porosi për Kosovën, por një mesazh universal, harresa është dritarja nga hyn krimi sërish.
Prandaj, dokumentimi i krimit – është akt moral, politik dhe historik. Një ftesë për të kujtuar, për të mësuar, për të mos harruar – dhe mbi të gjitha, për të mos lejuar që tragjedia të përsëritet më kurrë, as këtu, dhe askund në botë.
“Kush i vrau fëmijët, kush?!” – është pyetja që do të shfaqej natyrshëm në shpirtin e çdo njeriu me ndërgjegje. Është një pyetje që nuk kërkon domosdoshmërisht një përgjigje faktike, sepse emrat e kryerësve dihen; ajo është më tepër një thirrje e brendshme morale, një akt shpërthimi i arsyes përballë absurditetit më të madh që njeh ekzistenca njerëzore- vrasjen e fëmijëve.
Dhe nuk është aspak për t’u çuditur nëse kjo pyetje ngjiz një tjetër ndjesi të rëndë- urrejtjen. Sepse ata – vrasësit – na detyruan ta mësojmë këtë ndjenjë. Jo si një zgjedhje të lirë, por si një përgjigje mbrojtëse, një instinkt njerëzor përballë shkatërrimit të së shenjtës. Nëse urrejtja është zakonisht ndjenjë që paragjykohet moralisht, në këtë rast ajo bëhet refuzim i së keqes absolute. Ata nuk vranë vetëm trupa të vegjël, ata vranë besimin tonë në njeriun.
Ironia më therëse dhe më e dhimbshme është se këta kryes të krimit quhen “njerëz”. Përdorimi i fjalës “njeri” për ta është një përmbysje e kuptimit të saj të vërtetë. Sepse njeriu nënkupton ndjeshmëri, përgjegjësi, ndërgjegje, mbrojtje të jetës – jo mohimin brutal të saj. A janë vërtet njerëz ata që vrasin fëmijë? A meriton këtë përkufizim universal dikush që shndërron pafajësinë në shënjestër?
Në këtë dilemë qëndron thelbi i tragjedisë sonë, jo vetëm vdekja e fëmijëve, por edhe vdekja e kuptimit të njerëzores. Vrasësit jo vetëm që morën jetë, por detyruan një popull të tërë të përballet me errësirën më të thellë të natyrës njerëzore, me humbjen e besimit se humanizmi mund të triumfojë përballë egërsisë.
Kështu, pyetja “Kush i vrau fëmijët?” nuk është thjesht një apel për drejtësi, ajo është pikënisja e një reflektimi të thellë filozofik e moral mbi kufijtë e njerëzores, mbi atë që ndodh kur njeriu braktis vlerat dhe shndërrohet në instrument të shkatërrimit. Dhe për këtë, nuk mjafton vetëm të kujtojmë – duhet të mos harrojmë kurrë, e duhet të mbrojmë me çdo kusht thelbin e njerëzores nga çdo akt që synon ta fshijë.
Le të ndalemi për një çast. Le të heshtim përballë dhimbjes dhe të mendojmë me zemër e me mendje, përtej fjalëve të zakonshme dhe përtej retorikës publike. Sepse të gjithë ne – në një mënyrë a në një tjetër – jemi nënat, baballarët, vëllezërit e motrat e tyre. Jemi ata që ndajmë një lidhje të pashpjegueshme me ato jetë të brishta që nuk janë më mes nesh. Jemi prindër pa fëmijë, familjarë pa përqafime, zemra që rrahin me boshllëk – sepse nuk i kemi më puthjet e tyre të ëmbla, buzëqeshjet e tyre ndriçuese, thirrjet e tyre të befasishme, kërkesat naive që dikur na lodhnin dhe sot do t’i paguanim me gjithçka për t’i dëgjuar vetëm edhe një herë të vetme.
Nuk kthehen më nga shkolla me çanta në supe, nuk trokasin më në dyert tona, nuk na kërkojnë më ndihmë, lodra apo përqafime. Tani, na mbetet vetëm kujtimi i tyre, i mbështjellë me dhembje të thellë, i lidhur me çdo copë kujtese që mbartim si mallkim e bekim njëkohësisht. E ai kujtim, ky testament i pafajësisë së vrarë, do të na ndjekë jo vetëm për vite, por për dekada – për breza të tërë, duke u shndërruar në një dhembje kronike, migrenoze, që shfaqet sa herë ecim nëpër trotuaret e historisë, në përpjekjen për të kuptuar, për të shpjeguar, për të kujtuar.
Sepse ajo që kërkojmë nuk është shumë – është pak, por është thelbësore, është një akt vëmendjeje, një përulje sublime ndaj atyre që nuk patën rast të jetojnë jetën. Kërkojmë që gjeneratat që do të vijnë të mos e harrojnë këtë plagë, të mos e relativizojnë, të mos e mbulojnë me harresë. Kërkojmë që në memorien e kombit të mbetet gjithmonë vend për kujtimin e tyre, për të vërtetën e dhimbshme, për ndjeshmërinë që e bën një shoqëri të drejtë.
Sepse, në fund të fundit, kërkojmë vetëm atë që është njerëzore: dinjitet për kujtimin, dhe drejtësi për jetët e ndërprera. Dhe këtë, nuk mund ta ofrojë asnjë heshtje, por vetëm një përkushtim i vazhdueshëm ndaj kujtesës dhe ndërgjegjes kolektive.
Dhe sot, kjo akademi e përbashkët është shumë më tepër sesa një takim formal – është një akt përkujtimi, një përulje e thellë shpirtërore përpara kujtimit të më të dashurve tanë, fëmijëve tanë të pafajshëm, që një kohë mizore, një kohë njerke dhe e pashpirt, na i rrëmbeu padrejtësisht nga duart dhe nga jeta.
Ata nuk u larguan sepse kishin gabuar. Ata nuk u shënjestruan për ndonjë faj të bërë, as për ndonjë krim të imagjinuar. Ata ishin thjesht fëmijë – mishërimi i pafajësisë, drita e syve tanë dhe gëzimi më i pastër i përditshmërisë sonë. Pikërisht për këtë arsye humbja e tyre është edhe më e rëndë, më therëse, më e pashpjegueshme në logjikën njerëzore.
Të kujtojmë se, vetëm gjatë luftës në Kosovë, ndërmjet viteve 1998–1999, u vranë 1.392 fëmijë, dhe kështu kjo ishte një nga tragjeditë më të rënda të njerëzimit në fundin e shekullit XX. Sipas të dhënave të dokumentuara nga hulumtuesit: zonja Ilazi e zotëri Pllana, dhe organizata të besueshme për të drejtat e njeriut, në Kosovë po ashtu gjatë viteve 1981-1997, ishin vrarë edhe 40 fëmijë. Këta nuk ishin vetëm numra në statistika të ftohta – ishin jetë në lulëzim, ëndrra të saponisura, emra që duhet të kishin qenë të shkruar në ditarë shkolle e jo në përmendore të dhimbjes.
Rrethanat e vrasjeve ishin nga më të tmerrshmet. Fëmijët u masakruan në mënyrë sistematike në sulme të planifikuara, u vranë gjatë përpjekjeve për të shpëtuar nga dhuna, apo thjesht sepse ndodheshin në vendin e gabuar në një moment kur edhe vetë jeta kishte humbur vlerën për pushtuesin. Një prej episodeve më rrëqethëse të kësaj tragjedie ndodhi më 17 prill 1999, në Poklek, ku 24 fëmijë nën moshën 15 vjeç u ekzekutuan në mënyrë çnjerëzore. Ky rast është vetëm një nga shumë shembuj të mizorisë së ushtruar ndaj më të pafajshmëve – dëshmi e asaj që ndodhi në shkallë të gjerë dhe me një brutalitet të ftohtë.
Këto të dhëna, të përmbledhura në shifra, nuk duhen trajtuar si thjesht pasqyrim statistikash. Ato janë monumente të heshtura dhimbjeje, pasqyrime të plagëve të thella në ndërgjegjen kolektive të kombit tonë dhe të njerëzimit mbarë. Çdo fëmijë i vrarë është një kujtim i gjallë se sa e brishtë është paqja dhe sa lehtë mund të shndërrohet njeriu në armik të jetës.
Për këtë arsye, dokumentimi, përkujtimi dhe ruajtja e këtyre dëshmive është një detyrë jo vetëm morale, por edhe historike dhe edukative. Ne kemi për detyrë të ruajmë këtë kujtesë – jo për të ushqyer ndjenja hakmarrjeje, por për të siguruar që e kaluara të mos harrohet, që drejtësia të kërkohet, dhe që krime të tilla të mos përsëriten kurrë më – as në Kosovë, as në ndonjë cep tjetër të botës. Vetëm përmes kujtesës aktive dhe ndërgjegjësimit të brezave të rinj mund të ndërtojmë një të ardhme të ndritur, që nuk e harron të kaluarën, por mëson prej saj për të mos e përsëritur.
Kjo kohë që u soll si njerkë, e karakterizuar nga padrejtësi, urrejtje dhe mungesë e çdo ndjeshmërie njerëzore, i ktheu në viktima fëmijët që duhet të kishin qenë të mbrojturit më të shenjtë të çdo shoqërie. E megjithatë, jemi këtu sot për të mos lejuar që kjo dhimbje të shuhet në heshtje, për të ruajtur të gjallë kujtimin e tyre, dhe për të kërkuar drejtësi, kujtim të dinjitetshëm dhe shërim të përbashkët për një plagë që nuk mbyllet lehtë.
Ky përkujtim është edhe një thirrje morale: të mos harrojmë, të mos heshtim, dhe të mos ndalemi kurrë së ndërtuari një botë ku fëmijët, çdo fëmijë, të jetojnë të sigurt, të lirë dhe të lumtur – ashtu siç fëmijët tanë meritonin të jetonin.
Në faqen më të errët të historisë sonë kolektive, ngrihet një pyetje e dhembshme, një pyetje që s’e gjen dot përgjigjen as në logjikë, as në drejtësi, as në ndërgjegjen njerëzore: Pse vallë i vranë fëmijët? Ç ‘faj kishin ata që jeta e tyre të ndalej aq mizorisht, aq pakuptim? Ata nuk mbanin armë, nuk përçonin urrejtje, nuk përfaqësonin kërcënim. Ishin thjesht fëmijë – me duar të vogla që përqafonin, me sy që kërkonin dritën, dhe me buzëqeshje që ndriçonin çdo skaj të botës ku shkelte prania e tyre e pafajshme.
Po kush është ai që ngre dorën mbi një fëmijë? Kush i këputi këto lule që ende nuk kishin çelur, që ishin në prag të jetës, në prag të ëndrrave? Si ndodh që dikush mund të vrasë fëmijë – ata që janë mishërimi i jetës, i shpresës, i ardhmërisë?
Këto nuk janë vepra të njeriut të zakonshëm, por të atyre që janë të zbrazur nga ndjenja, të zhveshur nga empatia, të verbuar nga urrejtja. Ata nuk e kanë përjetuar dashurinë për një fëmijë, nuk e dinë ç’do të thotë të jesh prind, të shohësh një qenie të brishtë të rritet, të ëndërrojë, të ndërtojë botën e vet.
Fëmijët janë më shumë se vetëm pjesë e shoqërisë – ata janë zemra e saj, themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja. Janë krenaria jonë, pasqyrimi më i pastër i një kombi që jeton përtej vetes. Të vrasësh një fëmijë nuk është vetëm krim ndaj një jete të pafajshme, por plagosje e thellë e vetë njerëzimit, një dhunim i së ardhmes së një populli.
Ndaj, kjo pyetje mbetet një akuzë e përhershme ndaj atyre që morën jetën, por jo dritën e kujtimit. Sepse fëmijët tanë, edhe pse të vrarë, do të jetojnë në ndërgjegjen tonë si simbol i pafajësisë së zhdukur dhe i një shprese që nuk mund të vritet.
Sot, qëndrojmë së bashku në përulje dhe nderim, për të kujtuar ata që nuk janë më fizikisht mes nesh, por që jetojnë thellë në kujtesën tonë kolektive – për të bërë homazh për jetët e tyre të ndërprera në mënyrë të padrejtë dhe tragjike. Ky akt përkujtimi nuk është vetëm një detyrim moral, por edhe një shprehje e lidhjes sonë të përjetshme me ta, e dhimbjes që na bashkon dhe e kujtimit që na mban gjallë.
Duhet ta pranojmë me ndershmëri dhe guxim se kjo është plagë e hapur – plagë që nuk mbyllet me kalimin e kohës, as me fjalë ngushëlluese. Ajo është dhembja jonë më e madhe, humbja që ka përshkuar gjenezën e qenies sonë kolektive dhe që do të mbetet gjithmonë si dëshmi e një padrejtësie që kapërcen kufijtë e arsyes njerëzore.
Të kujtosh do të thotë të mos lejojmë që ata të harrohen. Të kujtosh do të thotë të ruash dinjitetin e tyre, të ngulësh këmbë për drejtësi, dhe të mbash gjallë idealin se një shoqëri që nuk harron viktimat e saj, është një shoqëri që refuzon të përsërisë tragjeditë e së kaluarës. Përmes kujtimit, dhimbja jonë individuale bëhet dhimbje e përbashkët, e cila, ndonëse nuk shërohet, shndërrohet në forcë për të ndërtuar një të ardhme më njerëzore, më të drejtë dhe më të ndjeshme ndaj jetës.
Shtrohet një pyetje thelbësore, me peshë etike dhe shoqërore: A mjafton vallë që ata të kujtohen vetëm në data të caktuara, në përvjetorë të organizuar me ceremoni dhe fjalime të përgatitura? A është përkujtimi formal dhe rituali vjetor i mjaftueshëm për të nderuar plotësisht jetët e humbura dhe dhimbjen që ato kanë lënë pas? Përgjigjja, natyrisht, është jo – dhe jo vetëm për arsye morale, por për shkak të nevojës së thellë për një ndërgjegjësim të vazhdueshëm, për një përfshirje të përditshme të kujtesës në vetë strukturën e shoqërisë sonë.
Përkujtimi nuk mund të jetë një akt i izoluar, një ritual që ndodh vetëm në një ditë të vetme në kalendar. Përkujtimi duhet të jetë një proces i përhershëm i vetëdijes kolektive, një prani që ndikon në mënyrën se si edukojmë brezat e rinj, si ndërtojmë institucionet tona, si i qasemi drejtësisë dhe si mbrojmë të drejtat e njeriut. Të kujtosh në mënyrë autentike do të thotë të veprosh, të reagosh, të punosh çdo ditë për një shoqëri ku tragjedi të tilla nuk përsëriten.
Përvjetorët kanë vlerë simbolike të rëndësishme – ato na rikujtojnë, na bashkojnë dhe na japin një hapësirë publike për reflektim. Por nëse kujtimi nuk shoqërohet me angazhim të përditshëm, me përfshirje në politikëbërje, në sistemin arsimor dhe në ndërtimin e një kulture kolektive të solidaritetit dhe drejtësisë, ai rrezikon të mbetet vetëm një formë e zbrazët simbolizmi.
Prandaj, përkujtimi i vërtetë i atyre që kemi humbur nuk është thjesht një akt kalendarik – ai është një thirrje e përhershme për përgjegjësi, për ndërtimin e një të ardhmeje që mban premtimin e një kujtese aktive dhe të një jete shoqërore që nderon të kaluarën përmes drejtësisë dhe ndryshimit.
Sërish na del përpara një pyetje që nuk guxon të lihet pa përgjigje: A duhet të bëjmë më shumë për ta? Pa asnjë mëdyshje, po. Përkujtesa dhe dhimbja nuk mjaftojnë në vetvete – ato duhet të shndërrohen në veprim, në angazhim konkret dhe të përhershëm për drejtësi dhe përballje me të vërtetën. Ky është një borxh moral që i kemi viktimave, por edhe vetes, si shoqëri që aspiron të jetë e drejtë, e ndershme dhe e përgjegjshme.
Angazhimi nuk duhet të mbetet vetëm në rrafshin simbolik apo emocional. Ai duhet të përfshijë çdo qytetar – nga më i riu te më i moshuari, nga individët te grupet, nga shoqatat e pavarura deri te institucionet shtetërore. Drejtësia nuk është privilegj, por e drejtë e patjetërsueshme, dhe është detyrë e përbashkët ta kërkojmë me këmbëngulje. Çdo institucion që vepron në Kosovë, qoftë publik apo privat, duhet të bëhet pjesë aktive e kësaj përpjekjeje. Vrasësit nuk mund të shëtisin të lirë, ndërsa kujtimet e viktimave mbesin të varrosura në heshtje; ata duhet të dalin para drejtësisë dhe të përballen me pasojat e veprave të tyre.
Derisa të vazhdojë kjo gjendje amullie, kjo heshtje institucionale dhe kjo neglizhencë shoqërore ndaj kërkesës për drejtësi, shpirtrat e fëmijëve nuk do të gjejnë paqe. Kujtesa e tyre do të mbetet si një zë i pandalshëm që kërkon përgjigje, një ndërgjegje që na fton të mos pranojmë harresën dhe indiferencën. Sepse drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar – dhe pa të, as paqja, as pajtimi nuk mund të jenë të vërteta. Vetëm atëherë kur drejtësia të vihet në vend, kujtimi i tyre do të marrë dimensionin e plotë të dinjitetit dhe respektit që meritojnë.
Ne i kujtuam dje, i kujtojmë sot dhe do t’i kujtojmë edhe nesër, në çdo ditë që vjen e shkon – sepse kujtimi i tyre është pjesë e ndërgjegjes sonë kolektive, një dimension i përhershëm i identitetit tonë historik dhe moral. Por kujtimi, sado i ndjerë e i thellë, nuk mjafton në vetvete. Engjëjt tanë – fëmijët, viktimat e pafajshme – nuk na kanë lënë vetëm kujtime, por edhe një amanet të shenjtë. Dhe çdo amanet kërkon përgjegjësi; kërkon përmbushje.
Borxhi ndaj tyre nuk është simbolik, është real dhe urgjent. Është një borxh që nuk mund të shlyhet me fjalë përkujtimore, as me lot të vonuar, por vetëm me veprim konkret dhe drejtësi të vënë në vend. Sot, ndryshe nga e kaluara e errët, ne kemi shtetin tonë – një realitet politik dhe juridik që bart kompetencën, përgjegjësinë dhe fuqinë për të vepruar. Tani është koha që ky shtet të tregojë pjekuri institucionale dhe ndjeshmëri humane, duke e shndërruar kujtimin në mekanizëm të drejtësisë dhe jo vetëm të dhimbjes.
Veprimi duhet të jetë i menjëhershëm dhe i matur, në përputhje me ligjin, por edhe me ndjeshmërinë që kërkon një plagë e thellë e shoqërisë sonë. Sepse edhe drejtësia e vonuar, sado që të përpiqet të sjellë një lloj ekuilibri moral, nuk do të ketë kurrë peshën e drejtësisë së vërtetë. Me çdo ditë që kalon pa veprim, ky borxh rritet, dhe amaneti bëhet më i rëndë.
Nëse duam që kujtimi i tyre të ketë kuptim të plotë, duhet që ai të jetë i lidhur pazgjidhshmërisht me përmbushjen e përgjegjësisë sonë institucionale dhe njerëzore. Vetëm kështu mund t’i bëjmë nder jo vetëm të shkuarës, por edhe të ardhmes që synojmë të ndërtojmë mbi themelet e drejtësisë, dinjitetit dhe të vërtetës.
Fëmijët tanë – të dashurit tanë më të çmuar – nuk ishin thjesht pjesë e jetës sonë, ata ishin vetë kuptimi i jetës, krenaria jonë më e madhe dhe dhurata më e pastër që na ishte falur nga Zoti. Ishin dritë në sytë tanë, shpresë për të ardhmen dhe gjurmë të dashurisë më të thellë që mund të njohë një qenie njerëzore. Sot, ata nuk janë më pranë nesh fizikisht – por mungesa e tyre nuk është mungesë e zakonshme, por plagë që përshkon thellë shpirtin e një populli të tërë.
Nga kjo foltore – nga ky vend që na jep zë e përgjegjësi – bëj thirrje që të mos qëndrojmë të heshtur. Është koha të ngremë zërin me forcë dhe vendosmëri, secili prej nesh, si individë dhe si kolektiv, për të kërkuar më shumë për ata që u flijuan pa faj. Nuk mjafton vetëm t’i kujtojmë me dhimbje; duhet të veprojmë me ndërgjegje dhe guxim, për t’u siguruar që ata që kryen krimet më çnjerëzore të mos mbeten të lirë, por të dalin përpara drejtësisë dhe të marrin dënimin që ua kërkon e drejta, ndërgjegjja dhe historia.
Fëmijët tanë meritojnë më shumë se lotët tanë – ata meritojnë paqen e përtejme, që mund të vijë vetëm kur drejtësia të vihet në vend. Sepse vetëm atëherë shpirtrat e tyre do të mund të prehen në qetësi të përjetshme, dhe ne do të mund të ecim përpara me ndjenjën se nuk i kemi tradhtuar kujtimin, sakrificën dhe pafajësinë e tyre të shenjtë. Të kërkosh drejtësi për ta nuk është vetëm një detyrë morale – është një borxh i shenjtë që duhet të na udhëheqë si komb.
Takimi i sotëm, i kushtuar “Fëmijëve Martirë të Kosovës 1981–1999”, nuk është thjesht një ngjarje përkujtimore. Ai përfaqëson një akt të thellë nderimi kombëtar dhe njerëzor, një përulje të sinqertë përpara kujtimit të atyre fëmijëve që, në kulmin e pafajësisë së tyre, u bënë viktimat më të pambrojtura të një dhune të egër dhe barbare. Jeta e tyre u ndërpre mizorisht jo për atë që ishin, por pikërisht për shkak të pafajësisë që përfaqësonin – e cila, në sytë e pushtuesit, ishte vetë simboli i qëndresës dhe i shpresës për një të ardhme të lirë.
Ky përkujtim duhet të mbetet një dëshmi e pashlyeshme në ndërgjegjen historike të kombit tonë, një kujtesë e gjallë e dhimbjes që kemi përjetuar dhe e padrejtësisë që është bërë. Por kjo kujtesë nuk duhet të shndërrohet në thirrje për hakmarrje – sepse forca morale e një kombi matet jo vetëm me aftësinë për të mbijetuar, por edhe me aftësinë për të mos u bërë i ngjashëm me kriminelin, për të ruajtur njerëzoren përkundër së keqes.
Pikërisht për këtë arsye, ky takim është më shumë sesa një përvjetor: është një betim i përhershëm që krime të tilla të mos përsëriten kurrë më – jo vetëm në trojet shqiptare, por në asnjë cep të botës ku fëmijët kanë të drejtën të jetojnë, të luajnë, të ëndërrojnë dhe të ndërtojnë pa frikë nga dhuna. Është një thirrje për paqe të drejtë, për drejtësi të plotë dhe për kujtesë aktive që e ndriçon rrugën përpara, pa harruar kurrë tragjeditë që na kanë formësuar si komb dhe si njerëz.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Ditën e Fëmijëve, drejtori i Zyrës për Qeverisje të…