Paga minimale, përgjegjësi ligjore e qeverisë

14 shtator 2021 | 13:40

Shkruan: Sakip Imeri

Paga minimale është paga më e ulët e lejuar, rëndom e rregulluar përmes ligjeve shtetërore, për orë, dite apo për muaj, të cilën si kompensim duhet t’iu japin punëdhënësit të punësuarve, në saje të marrëdhënies së punës.
Përpos përkufizimit të pagës, Ligji i punës i obligon qeveritë që të përcaktojnë edhe pagën minimale si mbrojtje ligjore për kompensim të detyrueshëm të të punësuarve. Qeveria e Kosovës përcakton pagën minimale, sipas propozimit të Këshilli Ekonomiko-Social, në fund të çdo viti kalendarik. Më pak përjashtime, të gjitha qeveritë e shteteve e bëjnë këtë në baza vjetore, ose mujore varësisht nga kërkesat ligjore, në nivel kombëtar ose sipas industrive, regjioneve, profesioneve, etj.
Kjo, pra duhet të trajtohet si obligim ligjor i qeverisë, i përcaktuar në mënyrë taksative nga Ligji i punës, duke i bërë hisenik në këtë vendim edhe përfaqësuesit e punëtorëve dhe punëdhënësve, përmes Këshillit Ekonomik Social (KES). Që të mos vije të ndonjë vendim jo i drejtë dhe popullist, janë përcaktuar edhe faktorët që duhet të merren për bazë për këtë vendim, të injoruar në vazhdimësi. Meqenëse, përcaktimi i nivelit të pagës minimale është përgjegjësi ligjore e qeverisë, kjo nuk duhet të trajtohet vetëm gjatë fushatave zgjedhore, kur duhet të joshen kategori ta caktuara për anime politike dhe “vjelje sezonale” të të mirave që nuk i kanë vjel të tjerët.

Faktorët që duhet vlerësuar për vendosjen e pagës minimale

Gjatë përcaktimit të pagës minimale duhet të merren parasysh faktorët, si kostoja e shpenzimeve jetësore, shkalla e papunësisë, gjendja e përgjithshme në tregun e punës si dhe shkalla e konkurrencës dhe produktivitetit në vend. Paga minimale mund të përcaktohet me marrëveshje në nivel kombëtar, në nivel dege dhe në nivel të ndërmarrjes, në bazë të orëve të punës, për periudhën njëvjeçare, dhe duhet të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Bazuar në këtë përkufizim nuk gjendet asnjë arsye për ndarjen e pagës në bazë të moshës, sepse paga është kompensimi për punën që bënë i punësuari.

Efekti i mundshëm i pagës minimale

Synimet e pagës minimale janë të përdoret si mjet për të rritur mirëqenien e të punësuarve dhe uljen e nivelit të varfërisë dhe rrjedhimisht, për të zvogëluar diferencat mes shtresave shoqërore në kuptimin e shpërndarjes së të ardhurave.
Ngritja e pagës minimale ul numrin e vendeve të punës, është një konstatim për të cilin pajtohen ekonomistët (e kjo është gjë relativisht e rrallë). Nga politika e pagës minimale, goditen më së shumti punëtorët e niveleve të ulëta, dhe sidomos të rinjtë, apo ata që sapo fillojnë punën. Ekonomisti Milton Friedman, fitues i çmimit Nobel për ekonomi, kishte theksuar, “ligji i pagës minimale më së miri përshkruhet si një ligj që thotë se punëdhënësit duhet të diskriminojnë punëtorët me aftësi të ulëta.”
Paga minimale mendohet se është e nevojshme pasi që tregu i punës nuk është plotësisht konkurrues, andaj vendosja e saj shihet si mjet i nevojshëm për të mbrojtur punëtorët nga eksploatimi. Ky rezultat është i vlefshëm deri në pikën ku paga minimale mbërrin nivelin e pagës që do ta vendoste tregu konkurrues. Mbi pagën qe vendos tregu konkurrues, vendosja e një page minimale do të zvogëlonte numrin e të punësuarve. Në rastet kur bizneset paguajnë paga që janë më të ulëta se ato të vendosura nga një treg konkurrues, paga minimale rrit numrin e të punësuarve dhe ndikon ne ngritjen e produktivitetit te punës, zvogëlon lëvizjet e punëtoreve, dhe për punëdhënësit reduktohen kostot e rekrutimit dhe trajnimeve te punëtorëve të rinj.
Nëse do të kishte treg të përkryer, paga minimale nuk do të ishte opsion. Ky mund të jetë rasti me vendet skandinave të cilët nuk kanë fare page minimale statutore: Danimarka, Finlanda, Suedia, Norvegjia, Islanda.

Ngritja e pagës minimale, dëshirë apo domosdoshmëri

Meqenëse vendosja e pagës minimale, është përgjegjësi ligjore e qeverisë, çështje e rëndësishme është vlerësimi se sa duhet të rritet ajo? Vlerësohet nga shumë studime se një pagë minimale në një nivel më të lartë se 60% e pagës mesatare, shkakton efekte serioze negative në aspektin e rritjes së çmimeve dhe shkurtimet e vendeve të punës. Aktualisht në Kosovë, paga minimale 170 euro, e moshës mbi 35 vite është në nivelin sa 36,50% e pagës mesatare prej 466 euro në muaj në vitin 2020, publikuar nga ASK-ja. Ndërsa paga 130 euro është sa 27,90% e pagës mesatare. Po të merrej niveli 60% i pagës mesatare, atëherë paga minimale në Kosovë duhet të ishte 280 euro. Ndoshta kjo do të ishte edhe një shpresë për shumë të punësuar që aktualisht janë me nivelin e pagës 130, përkatësisht 170 euro.

Tabela me të dhënat e pagës mesatare dhe minimale shpërfaq diferencat mes tyre në shtetet e rajonit.

No description available.

Paga mesatare në Kosovë

Publikimi për “Nivelin e Pagave në Kosovë” të Agjencisë se Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2020, përmban të dhëna për pagën mesatare bruto dhe neto, sipas sektorëve dhe aktiviteteve ekonomike në sektorin publik (administrata), ndërmarrjet publike dhe sektorin privat në Kosovë.
Krahasuar me vitin 2019, pagat mesatare bruto kanë pësuar rënie prej 11 eurosh në vitin 2020, nga 477 euro sa ishin në vitin 2019 në 466 euro në vitin 2020. Ndërsa rënia të paga neto është më e madhe, për 14 euro, nga 430 në vitin 2019 në 416 euro në vitin 2020.
Paga mesatare e përgjithshme dhe ajo për sektorin privat e vitit 2020 ka referencë krahasuese vitin 2019, ndërsa për sektorët publikë (administrata) dhe ndërmarrjet publike, për krahasim është marrë viti 2012.

Tabela 2. Paga mesatare në Kosovë

No description available.

Paga mesatare në sektorin privat, në vitin 2020 ka pësuar një rënie prej 30 përkatësisht 31 euro në krahasim me vitin 2019.
Paga mesatare bruto në sektorin publik, në vitin 2020 në krahasim me vitin 2012, është rritur për 217 euro, ose 53.3%, ndërsa paga mesatare neto ka një rritje prej 186 eurosh, ose 50.8%. Ndërsa paga mesatare bruto në sektorin e ndërmarrjeve publike ka një rritje prej 208 eurosh ose 37.1%, përkatësisht paga mesatare ka një rritje prej 178 eurosh, ose 35.5%.
Shikuar nga prizmi i të drejtave të punëtorëve, standardet në sektorin publik dhe privat nuk janë në përputhshmëri me standardet dhe konventat ndërkombëtare. Në sektorin privat, krahasuar me sektorin publik, situata e punëtorëve është e rëndë. Vlerësohet se rreth 30% nga ta janë pjesë e ekonomisë joformale dhe janë të dëmtuar nga shmangiet fiskale. Shumica e të punësuarve në sektorin joformal punojnë pa kontrata pune, me orare të zgjatura të punës, pa të drejtë për pushim ditor, pushim javor ose vjetor, pa kompensim për punë jashtë orarit, pa sigurim në punë, pa pajisje mbrojtëse dhe pa të drejta fondamentale të cilat rrjedhin nga instrumentet legale kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kostoja e zbatimit të pagës minimale

Aktualisht në Kosovë, edhe pse që nga viti 2011 zbatohet një vendim për pagën minimale, edhe pse jo shumë praktik, bazuar në një kufi moshe 35 vite, për efektet e tij në ekonomi nuk është prezantuar ndonjë analizë specifike. Shikuar në aspektin e kontributit në punë do të dukej sikur punëtorët e moshës nen 35 vite, janë më të papërgatitur, të patrajnuar dhe japin më pak kontribut në punë, për të cilët është përcaktuar paga minimale 130 euro, ndërsa për ata mbi moshën 35, paga është 170 euro, për arsyet e kundërta. Kjo edhe fuqizon konstatimin se paga minimale ul numrin e vendeve të punës. Pastaj kjo nuk është lidh fare me pragun e tatuarjes së tyre. Ligji për tatimin e të ardhurave personale, nuk ka ndonjë lidhje me pagën minimale, edhe pse gjatë debateve dhe komenteve për tatimet, përmendet pragu 80 euro i pagave që nuk i nënshtrohet tatimit. Për diferencën në mes 80 dhe 130 përkatësisht 170 euro të pagës minimale është paguar norma 4% pas zbritjes 5% të kontributeve pensionale nga paga bruto. Këtë vlere të kontributit pensional, punëdhënësi e shfrytëzon si shpenzim të zbritshëm për tatimin në fitim.
Ndërsa tatimi zbritet nga paga e punëtorit, gjë që për të njëjtën vlerë do të zvogëlohet paga neto. Për të vetpunësuarit, në baza tremujore paguhen kontributet pensionale në vlerën e 1/3 se tatimit për tremujor. Pavarësisht se sa është 1/3 e tatimit për qarkullimin tremujor, për të cilin qarkullim do të llogaritet tatimi 3% për prodhuesit, tregtarët, etj. përkatësisht 9%, për profesionistët që ofrojnë shërbime, që të duket një barazi në mes të punësuarve dhe të vetpunësuarve, për Kontribute Pensionale ka një formulë që është zbatuar përmes formave të përgatitura nga Administrata Tatimore, një kalkulim që bazohet në pagën minimale.
Për kontribute pensionale, të vetpunësuarit nen moshën 35 vite do të paguajnë 39 euro ndërsa ata mbi 35 vjet të do të paguajnë 51 euro, në çdo tremujor. Pagesa 10% e kontributit pensional është obligim i detyrueshëm (130 x 10% x 3muaj = 39 euro dhe 170 x 10% x 3 muaj =51 euro) që për pagat e të punësuarit duhet të ndalet në burim 5% nga punëtori dhe 5% paguan punëdhënësi. Një gjë është e sigurt, kjo forme e pagesës së detyrueshme ka rritur investimet e të vetpunësuarve në fondet e kursimeve pensionale për moshën e pleqërisë, që në të kundërtën nuk do të ndodhte.
Ndryshimi i nivelit të tatuarjes së pagës bruto kishte me qenë një mundësi pozitive me ndikim në pagën minimale. Barazimi i pragut të lirimit tatimor me nivelin e pagës minimale, do të ishte një fuqizim i të punësuarve me efekt direkt në të ardhurat neto. Ndërsa tek bizneset do të kishim tendencën e kundërt për shkak të ngritjes së kostos së tyre në biznes. Efekti i ngritjes së pagës minimale do të përcillej me rezistencën e punëdhënësve për formalizim, shkurtimin e vendeve te punës, lëvizjen e të punësuarve nga një biznes në tjetrin, etj.
Nëse rritja e pagës minimale nuk përcillet me ndryshimin e pragut të tatuarjes, sikur ka ndodhur me dy vendimet e mëhershme, efekti në formalizim të të punësuarve do të jetë i dyshimtë, kjo shton koston e tatimpaguesve, shton hisen e tyre për kontributet pansionale. Efektet pozitive do të ishin në ngritjen e buxhetit nga tatimi në paga edhe pse nga vlera e kontributeve pensionale, ulet baza për të ardhurat e tatueshme, dhe tek të punësuarit në mënyrë direkte duke ngritur të ardhurën neto dhe investimet për moshën e pleqërisë.
Vlerësimet tek bizneset janë të thjeshta, ata që hezitojnë të formalizohen, ngritin dilemat se a ia vlen ta kesh të punësuarin në listë të pagave, sa duhet të paguaj, a rrezikohen nga monitorimi dhe vlerësimi eventual nga Administrata Tatimore dhe institucionet e tjera. Shpesh vendimet janë të interesit afatshkurtër, nuk kanë qenë nxitëse për formalizimin vullnetar të të punësuarve dhe përfshirjen e tyre në listën e pagave. Këtu roli i institucioneve duhet të jetë i fuqishëm, të shtohet komunikimi me tatimpagues, të kryhen vizita edukative dhe të njoftohen për obligimet ligjore si dhe masat ndëshkuese për mosrespektim të tyre.

Niveli i pagave minimale në vendet e Ballkanit Perëndimor

Nga të dhënat e publikuara, Kosova ka pagën minimale me të ulët në rajon dhe për dallim nga të tjerët, ka dy nivele të ndryshme, me një ndarje sipas moshës 35 vite, 130 dhe 170 euro. Maqedonia e Veriut ka 282 euro, Shqipëria 213 euro, Mali i Zi 331 euro, Serbia 343 euro dhe Bosnje Hercegovina me 205,30 euro. Diferencat ne mes të pagës mesatare dhe minimale gjithashtu janë një indikator se Kosova nuk ka lëvizur në drejtim të harmonizimit të saj. Nga të dhënat e publikuara për nivelin e pagës mesatare, shumica e shteteve kanë një diferencë të vogël të këtyre dy indikatorëve. Ndërsa, Kosova është nder vendet që pagën mesatar e ka më shumë se dyfishi i pagës minimale, 477 euro për vitin 2019 dhe 466 për vitin 2020.
Në Kosovë, përkundër kërkesës ligjore që paga minimale të vlerësohet çdo vit, kjo ka ndodhur vetëm dy herë gjatë këtyre 20 viteve. Në vitin 2005 është përcaktuar paga minimale në vlerë 120 euro dhe herën e dytë në vitin 2011, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës Nr. 04/33 i datës 17 gusht 2011 për pagën minimale për vitin 2011. Sipas këtij vendimi paga minimale është përcaktuar në dy nivele, me një kufi moshe, 130 euro për të punësuarit deri në 35 vite dhe 170 euro për të punësuarit mbi moshën 35 vjet.

Çfarë prezantojnë statistikat ndërkombëtare?

Baza e të dhënave të pagave minimale WageIndicator përmban normat e pagës minimale për 196 vendet e botës, 16 shtete nuk kanë pagë minimale statutore, dhe 77 kanë një normë kombëtare të pagës minimale. Këto janë vendet pa pagë minimale: Danimarka, Finlanda, Suedia, Norvegjia, Islanda, Italia, Sudani i Jugut, Zimbabve, Réunion, Singapori, Brunei, Xhibuti, Somalia, Tonga, Tuvalu, Koreja e Veriut.
Ndërsa 71 të tjerë kanë midis 2 dhe 100 pagave të ndryshme minimale. Trembëdhjetë vende (Bangladeshi, Brazili, Kina, Ekuadori, Fixhi, India, Indonezia, Meksika, Pakistani, Panamaja, Afrika e Jugut, SriLanka, SHBA) specifikojnë Tarifat e Pagave Minimale për më shumë se njëqind kategori të ndryshme të punëtorëve. India arrin deri në mbi 10,000 paga minimale të ndryshme, të cilat përcaktohen nga shteti, rajonet brenda shteteve, industritë, profesionet dhe nivelet e aftësive.
Në total, Baza e të dhënave të pagave minimale WageIndicator përmban 21.010 tarifa të ndryshme, sipas te dhënave te datës 1 dhjetor 2020. Këto te dhëna përditësohen në baza mujore.
Meqenëse Kosova nuk është anëtare e OKB-së, nuk figuron në këtë faqe. Të dhënat janë në formatin unik, kryesisht për ore dhe muaj, pastaj sipas industrive e profesioneve, varësisht nga dispozitat ligjore të shteteve që ofrojnë këto të dhëna.

(Autori është drejtor i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ia ka dhuruar kancelares gjermane,…