Pajisjet për filtrat e ujërave të zeza, barrë e rëndë për bizneset prodhuese

13 janar 2018 | 10:50

Blerja e impianteve për filtrimin e ujërave të zeza për fabrikat prodhuese në Kosovë po konsiderohet mjaft sfiduese për prodhuesit vendorë për faktin se këto pajisje kapin vlerën e 60 mijë euro nga më e thjeshta deri tek ajo më e avancuar prej 80 mijë eurosh deri në 140 mijë euro.

Ky vendim i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, sipas përfaqësuesve të kompanive prodhuese në Kosovë, është destimulues për ambientin e të bërit biznes dhe rrezikon largimin e afaristëve nga Kosova.

Burim Piraj nga kompania “Meka”, që merret me përpunimin e mishit, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se është mjaft sfidues kushtëzimi i kompanive prodhuese për pajisjen me filtra të ujërave të zeza. Sipas tij, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor me këtë kushtëzim është duke dëmtuar ambientin e të bërit biznes në Kosovë.

Ai ka theksuar se inspektorati është duke përdorur standarde të dyfishta. Piraj ka thënë se sektorit privat i kërkohet zbatim 100 për qind i direktivave dhe ligjeve, kurse për sektorin publik po i mbyllin sytë.

“Për ne është shumë sfiduese së pari qasja e inspektorëve të Ministrisë së Ambientit të cilët në mënyrë kategorike kërkojnë ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza. Nuk e di nëse ata janë të detyruar nga eprorët e tyre apo janë duke e bërë vetë atë punë pa kurrfarë vlerësimi, pra për të ditur se sa do të derdhnim ujëra të zeza dhe ku do të shkojnë ato. Neve na kërkohet të bëhemi elaborat të ndikimit në mjedis dhe me doemos edhe impiant”, ka thënë Piraj.

Ai ka shtuar se ta krahasosh Kosovën me BE-në në këtë fazë të zhvillimit dhe ta kërkosh zbatimin e standardeve të njëjta si në BE është gabim i madh.

“Me sa di unë, edhe sot e kësaj dite në BE ka tolerancë shumë të madhe ndaj disa ndotësve të ambientit ashtu që të mos e pengojnë punësimin e punëtorëve. Këtu në Kosovë po më duket se punësimi hiç nuk ka rëndësi për institucionet tona dhe ata apriori në mënyrë të verbër insistojnë në zbatim të plotë të ligjeve”, ka deklaruar Piraj, duke shtuar se nëse flasim për industrinë ushqimore, sidomos atë të qumështit dhe mishit, zbatimi i direktivave të tilla do t’u marrë profitin e një viti të tërë.

“Kjo do të reflektohet në ngecje të kompanive që të konkurrojnë në treg karshi importeve të mëdha që i ka vendi ynë. Po ashtu, kjo reflekton edhe në ngecje të punësimit, pasi kostoja për t’u pajisur me këto impiante sillet rreth 60 mijë euro. Shpeshherë kërkesat e inspektorëve janë të përzgjedhura. Të gjitha kompanitë u nënshtrohen kërkesave të tilla, shumë nga kompanitë do të duhet të marrin kredi, kurse shumë nga to që kanë kredi nuk do të jenë në gjendje t’i zbatojnë. Mendoj se nëse insistohet që të gjitha kompanitë t’i zbatojnë këto direktiva, atëherë do të vijë deri te mosmarrëveshjet dhe dënimet e panevojshme ndaj kompanive”, ka shtuar afaristi Piraj.

Sipas tij, kompanitë prodhuese në Kosovë nuk marrin pjesë as me 2 për qind në ndotje të totale të ambientit.

“Mendimi im është se kompanitë prodhuese në Kosovë nuk marrin pjesë as 2 për qind në ndotjen totale të ambientit, pasi qytetet janë ndotësit kryesorë”, është shprehur ai.

Visar Ramajli nga fabrika për prodhimin e produkteve të paketimit fleksibil “KIVO” ka thënë për gazetën “Epoka e re” se trajtimi apo filtrimi i ujërave të zeza është kompetencë komunale dhe nuk duhet të ngarkohen me këtë bizneset prodhuese.

“Secili prodhim i ka specifikat e veta sa i përket shfrytëzimit të resurseve të tjera, po ashtu edhe ambienti i ndotjes mund të lidhet me proceset prodhuese. Sa iu përket ujërave të zeza, ne i shfrytëzojmë kanalet e njëjta të infrastrukturës komunale dhe këto nuk janë të ndërlidhura me procesin e prodhimit. Në rastet kur prodhimi shkakton ndotje, atëherë ekzistojnë parametra në bazë të asaj se çfarë uji mund të lirohet nga fabrika. Trajtimi i ujërave të zeza është kompetencë komunale. Përderisa një kompani ka qasje ose kyçje në një lokacion komunal atëherë komuna duhet të merret me këtë çështje e jo kompanitë”, ka thënë Ramajli.

Edhe afaristi tjetër Sylë Konushevci nga “Bio Oil. Shpk” ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ngarkesa që kërkohet nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor për pajisjen me filtra për ujërat e zeza është kosto e lartë për kompanitë prodhuese.

Sipas tij, ky vendim po i destimulon bizneset vendore dhe të huaja si dhe është shkas për mundësinë e zhvendosjes së tyre nga Kosova. Konushevci ka pohuar se në minimum bizneset duhet të paguajnë për këto impiante deri në 60 mijë euro.

“Ky vendim do ta rrisë koston e çdo prodhimi për neve si prodhues. Pa marrë parasysh se këta duan ta bëjnë filtrimin e ajrit, ka shumë kompani që nuk e ndotin ajrin gjatë prodhimit të vet. Këta duhet t’i kenë vlerësimet se cila kompani e ndotë ajrin, pastaj të kushtëzohen për ta vënë filtrimin”, ka deklaruar ai.

Konushevci ka theksuar se në vendet e Bashkimit Evropian këto bëhen me anë të fondeve të këtij institucioni dhe nuk u kërkohet një gjë e tillë kompanive prodhuese.

“Ne s’mund të jemi të njëjtë me Bashkimin Evropian. Duhet të dihen se çfarë kushtesh kanë prodhuesit vendorë tek ne dhe tek ata. Të gjitha këto i financon Bashkimi Evropian për ta bërë filtrimin e tyre e jo të ngarkohen kompanitë me forca vetjake, duke e ditur se çfarë vështirësish kemi ne, duke filluar nga kamatat bankare etj. Minimumi i kostos është prej 60 mijë eurosh deri në 80 mijë euro, pra një filtrim më i thjeshtë, kurse filtrimet më të avancuara janë prej 80 mijë eurosh deri në 140 mijë euro. Nuk e di se ku i kanë bërë këto përllogaritje, pasi kjo ka mundësi t’i destimulojë bizneset”, është shprehur ai.

Gazeta “Epoka e re” më 4 janar i është drejtuar me disa pyetje rreth kësaj teme edhe Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor mirëpo, edhe pse është premtuar se do të përgjigjet rreth kësaj çështje, zyra për informim e kësaj ministrie nuk ka dërguar asnjë përgjigje.

(Albulena S. MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aeroportit Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP), “Adem Jashari” , gjatë periudhës…