Palimpsesti i poetikës në shpirtin pergamenë

07 dhjetor 2020 | 10:00

Përsiatje

(Rreth librit poetik “Burri i netëve të mia”, i autores Neviana Shehi, botuar nga Shtëpia Botuese “Armagedoni”, Prishtinë, 2020)

Shkruan: Avni Halimi

Palimpsesti është formë e shkrimit në pergamenë. Por, kur kjo pergamenë na del të jetë shpirti, atëherë kemi të bëjmë me një krijesë poetike të falur nga Perëndia apo me vetë Perëndinë që përkujdeset për esencën e të bukurës, estetikës, për rrjedhën lum të poetikës që burimin mund ta ketë vetëm në shpirtin e paqtë, të qetë, fisnik. Ky shpirt kurrë nuk trazohet, trazohet vetëm ai lum i ngjyrave, i dritës, i ritmeve, i eliksirit të jetës që përthyhet brigjeve parajsore ku Perëndia nga sytë e vet i falë kthjelltësi bukurisë. Kush e shëmton bukurinë e ka lënduar Perëndinë! Kjo është frika e një krijuesi të mirëfilltë, e një krijuese poetike.

Nën ankthin e kësaj frike, burojnë qetë shqetësimet poetike të njërës prej poeteshave më të mira të letërsisë bashkëkohore shqiptare, Neviana Shehi, e cila, si çame e pathyeshme, krijon dhe vepron në tokën e arbëreshëve që kanë thurur kurorën e poezisë shqiptare.

Që në fillim duhet thënë se poetesha Neviana Shehi, deri më tani ka botuar tri përmbledhje poetike:“Vjeshtë fatesh” (2018), “Përtej valëve” (2020) dhe “Burri i netëve të mia” (2020). Në të tri këta libra vërehet aftësia mahnitëse e saj për të organizuar poezi të veçanta, duke i radhitur në formën që i duhet kozmosit poetik të një libri, dhe jo duke i hedhur të çrregullta brenda kopertinave të tij. Pra, kemi të bëjmë me një mjeshtër të rrallë të ruajtjes së vazhdimësisë narrative refleksive në kuadër të një libri poetik, duke e përcjellë vetëm një mesazh: poetika është afinitet Perëndie, prandaj është një sistem i ngritur mbi labirintet nëpër të cilët duhet të kalohet deri te fjala e bukur që në vete fsheh një rrëfim, një ngjarje, një histori ose një fiksion që mëton ta shterojë reflektimin deri në pikën e vet të fundit.

1. Bukuria e fjalës në kornizën e shpirtit

Libri “Burri i netëve të mia” të Neviana Shehit, sendërtohet mbi gjashtë kapituj: Geisha e fjalës së bukur, Kujtim deri në amshim, Krisja e qiejve mbi mallin, Frika e hijeve, Ngjyrat e heshtjes dhe Kopshte ëndrrash. Pas gjashtë ditëve punë në krijimin e botës, Zoti i dha vetes një ditë pushim! Tevona, sërish punë!

Që nga titulli i librit, që nga titujt e cikleve, por edhe që nga materia përmbajtjesore e shumicës absolute të poezive, del në pah se autorja me mjeshtri të stërholluar i qaset origjinalitetit dhe përpunimit të traditës, duke realizuar një poetikë postmoderne kaq fine dhe të paparë në krijimet bashkëkohore poetike shqiptare. E ngjeshur me një kulturë të gjerë, me të cilën poetesha u përball nëpër shtete të ndryshme të Perëndimit, e pajisur me njohuri të thella mbi të kaluarën e vet si dhe e regjur nga malli për ta shijuar dhe kultivuar origjinalitetin e artit të kodifikuar kombëtarisht, poetesha Shehi na ofron modelin e poezisë postmoderne shqiptare. Postmodernizmi kërkon që t’i kthehemi të kaluarës dhe ta vjelim me mjete moderne. Filozofi italian Umberto Eko këtë fenomen kulturor e quan “rivizitë traditës”!

Neviana Shehi herë-herë del përtej kufijve të traditës etnike. Të kaluarën e trajton si fat kolektiv të mbarë njerëzimit, e trajton si vlerë të shfaqur nëpër formate e modele të ndryshme. Burri, si metaforë, në përmbledhjen e Shehit paraqet mirëqenien dhe sigurinë e shpirtit, ndërsa gruaja, vajza, portretizohet si mëshirë e muzave të artit për një familje, për një shoqëri, për mbarë njerëzimin që duhet të jetojë nën frymën argëtuese e plotë bukuri që falë ajo, qoftë si vajzë, qoftë si nënë. Po, thotë Neviana Sheu, “jam gejshe e fjalës së bukur”! Gejsha në kulturën e lashtë japoneze shpreh gruan e virtytshme, me vlera të larta e me shkathtësi të hyjnishme për të krijuar një harmoni në mes të ritmit dhe lëvizjes, gjithnjë në funksion të mrekullisë dhe të prehjes shpirtërore që gjendet vetëm në kopshtin e ëndrrave. Gejsha e fjalës së bukur në kopshtin e ëndrrave – dy tituj ciklesh (i pari dhe i fundit i këtij libri) që ngërthejnë esencën e artit poetik origjinal të kësaj poeteshe që pa dyshim, shumë shpejt, me krijimet e reja, do të dëshmojë se është emblemë e poezisë posmderne shqiptare.

Poezia e Neviana Shehit, në të ardhmen, pa fije dyshimi do të haset si burim i intertekstualitetit në poezinë bashkëkohore shqiptare. Megjithatë, mjeshtëria, shkathtësia, lehtësia e të “pikturuarit” të bukurisë, dhembjes, trishtimit, mallit, dashurisë, do të ngelin dhunti profetike të papërsëritshme të poetes.

2. Artikulimi i dashurisë si fill i gjenezës

Personazhi i poezive të saj është vetë ajo! Neviana Shehi nuk sajon të dytin apo të tretin dhe, përmes tyre t’i rrëfejë ngjarjet, përmes tyre të rrëfejë ngjarje që u kanë ndodhur atyre; guximin e vet intelektual, të një poeteshe të rebeluar artistikisht, nuk e kamuflon me ndjenjën e turpit, e as të frikës, nuk e fsheh pas moralit biblik dhe as pas kodeve kanunore, porse, thjesht, del dhe rrëfen sinqertë, pa atë hipokrizi të burrneshës, flet për dashurinë, për bukurinë e saj, për madhështinë e saj, për jetën që jetohet disa sekonda e që e falin ndjesitë dhe përjetimet e dashurisë. Dashuria e Neviana Sheit është e sinqertë, shpirtërisht eksploruese, deri në erotizëm, duke ia dhënë kësaj “loje” vlerën e humanes, peshën e të shenjtës. Poetesha Shehi dashurinë e paraqet si shtrat të erotizmit ku merr kuptim shpirti|

 Zjarri i parë ka lindur nga vështrimi/ Katër palë sy që vetë ndiznin dy trupa/ Më pas erdhi fërkimi i trupave/ Kamasutra është brenda gjithsecilit prej nesh/ Por më shumë është atje ku dëshirat e mia/ Kanë mbiemër flakësh/ (Germa e parë e fillesës)

Ose:

I dashur/ Unë kam dëgjuar për çuditë/ Që bën dashuria/ Por qëndrimi larg teje mëmëson

Të të krijoj prej ajri/ Ashtu siç krijoi njeriun e parë/ Nga balta Krijuesi/ (Trëndafil i përmalluar)

Vargje si këto, janë të shumta në poezitë e Neviana Shehit, të cilat shërbejnë si dëshmi estetike për vendosmërinë e poeteshës për të rendur pas të madhërishmes, përfshirë këtu edhe dashurinë, nuancat e së cilës ajo i kërkon si te burri, ashtu te fëmija, si te nëna, ashtu edhe te dheu, si në gjenet e veta ashtu edhe në qenien kombëtare.

Burri i netëve të poeteshës edhe trupin e ka si fletë libri (pa e cilësuar llojin e tij), i cili duhet të lexohet përjetë. Sepse, e para qe fjala, por edhe urdhri i parë qe Lexo, natyrisht, për ta kuptuar dashurinë, për ta përcjellë informacionin sot, e dikur, historinë, gjenezën, rrëfimin, gjenealogjinë, kozmosin e shpirtit me plotë yje që secili lutet në një kishë qielli/dhe ja pse nata bie në dashuri me ty.”

Shikuar në përgjithësi, poezia e librit “Burri i netëve të mia”është krijim me një strukturë që nuk ngritët vetvetiu, as nga lojërat me fjalë dhe as nga ndrydhja e mendimit poetik në mengele të hermetizmit; është një poezi që rrjedh e diktuar nga një fuqi e frymës profetike. Si e tillë ka një gravitet që e përthithë lexuesin, që nuk e lë ta braktisë, të ikë, që të detyron ta lexosh e rilexosh. Materia e saj e gatuar aq bukur, renditja e fjalëve nën kujdesin maksimal për ta ruajtur harmoninë e elementeve që përbëjnë të bukurën, për t’ia dhuruar gjithë hapësirën e nevojshme poetikës për ta kumtuar kohën e poezisë që po vjen. Me këtë strukturë dhe me këtë frymë të shenjtë të muzës së poezisë e cila, sipas të gjitha gjasave komunikon qartë e përditë me poeteshën Shehi, kjo poezi merr përmasat e modelit të poezisë refleksive si dhe esencën e ligjërimit eseistik mbi mjeshtërinë e përdorimit të shumëllojshmërisë së figurave stilistike.

Si ndërtohen shprehjet poetike, ku gjendet eliksiri i artit, si e merr forcën e të shenjtës metafora në një poezi – kjo mund të zbërthehet vetëm pasi të lexohet disa herë përmbledhja poetike “Burri i netëve të mia” i Neviana Shehit.

3. Kujtesa si thirrje e amshueshme për kthim kah vetvetja

Cikli i dytë “Kujtim deri në amshim” i këtij libri të Neviana Shehit, është një kapitull që“përligj” guximshëm tërë atë materie poetike të shtrirë në ciklin e parë, duke artikuluar edhe më guximshëm të vërtetën se, pa kujtesën, çdo gjë tjetër është e kotë, madje edhe dashuria ngjason në një leckë të pistë të hedhur në skaje të trotuarit të milimetrave të fundit të autostradës së jetës. Gjithçka që kalon një fraksion të sekondës, ngelë e kaluar. I takon kohës së shkuar! E shkuara mund të jetë e shëmtuar, e trishtë, rrëqethëse, e egër, e dhimbshme, por, e trajtuar artistikisht mund të dalë kryevepër! Këtë filozofi arti ka parasysh Neviana Shehi kur vendos që ta thërrasë kujtesën dhe, bashkë me të edhe të kaluarën dhe, të na bartë nëpër hapësirën e një bote ku do të na duket vetja si pulëbardhat në ëndrrën e saj, e cila, çdo mëngjes zgjohej e lumtur! Si një “nimfë” e rritur buzëdetit të Durrësit, Neviana Shehu nuk zgjedh formën për t’u bërë e lodhshme duke i kënduar vendlindjes në mënyra stereotipe. Ajo rrëfen mbi gjërat dramatike dhe më të bukura që i kanë ndodhur në këtë qytet e që kujtim fëmijërie i ruan në bebëzën e syve, tregon mbi magjinë e shenjtorëve për dashurinë, për sytë enigmë të peshqve, për përqafimin e papërshkrueshëm me valët e detit:

për detin që i mungojnë/ Barkat e mbushura me dhimbje/ Që bartin dashuri të plagosura

(Barkat e detit tim)

Një nga poezitë më të bukura dhe antologjike të letërsisë shqiptare, që gjendet e përfshirë në këtë cikël, është poezia “Kisha e vogël në gjoksin tim”. Përmes këtij krijimi poetik autorja i përcakton dimensionet e dhembjes, humanitetin e tjetrit që mishërohet me këtë dhembje që mund të jetë e përmasave të universit dhe të shkaktojë pikën e lotit sa globi. Flet për raportet e domosdoshme miqësore në çastin e sëmundjes, sepse, thotë autorja, njeriu mund të gjallojë edhe pa buzëqeshje por jo dhe pa miq. Është si një letër dedikuar mikeshës së sëmurë, apo edhe, si një qëndrim pranë shtratit ku dergjë i sëmuri e që lutet për të, ku rrëfehet trishtueshëm e besueshëm:

Kur sëmuresh ti/ Pulsi im zë e rreh vetëm për ty/ Dhe gjoksi shndërrohet menjëherë/ Në një kishë të vogël/ Ku mesha s’mbaron asnjëherë/ Mikesha ime/ (Kisha e vogël në gjoksin tim)

Është poezi për dhembjen! Siç u tha më sipër, autorja ka mjeshtërinë dhe fuqinë poetike që edhe dhembjen, edhe trishtimin, edhe mallin edhe ikjen, edhe vdekjen ta ngrejë në art. Sepse, vetëm krijimet artistike, vetëm arti, janë të destinuar të jetojë amshueshëm.

4. Malli si fat i vulosur kolektiv

Kujtesa gjithmonë provokon mall. Kujtojmë detin na merr malli për atdhe. Kujtojmë kukullën na merr malli për gjyshen, kujtojmë saksinë e luleve na merr malli për fqinjët, kujtojmë netët e trishta na merr malli për nënën, kujtojmë stinët e acarta na merr malli për babanë.

Poetesha e mërgatës, valixhet e udhëtimit i ka përplot me kujtesë dhe, çdo shfletim i saj ia ngacmon mallin deri në pëlcitje të lotit sa gjysma e globit. Malli i Neviana Shehit nuk është i personalizuar, ai mall merr përmasat e mallit kolektiv, si një shoqëri që, duke marrë botën në sy për një copë mirëqenie, lëmë pas shpine gjithçka që na jep forcë, mburrje e krenari. Malli na bëhet fat kolektiv duke e shtuar dashurinë për gjithçka. Malli në poezinë e poetes Shehi nuk është vetëm si shqetësim poetik për një entuziaste, por është një tipar që personifikon konfiguracione gjeografike të atdheut. Qielli copëtohet mbi mal, në poezinë e Shehit copëtohet mbi mall, sepse, ky mall ka peshën e të gjitha maleve të vendlindjes, të atdheut. Lidhshmëria e saj me atdheun, me vendlindjen, na del përmes elementeve fëmijërore, kukullave, lodrave, veshjeve të kukullave, na del përmes periudhës rinore, duke hedhur hapa guliveriane në bregdet, nëpër shkallët e shtëpisë, nëpër rrugicat e lagjes që rrethojnë botën:

Krisnin qiejt mbi mallin tim prej fëmije/ Ndërsa gjithë fëmijët e botës/ Ishin futur në lotin tim

(Dritarja e zogut të fëmijërisë sime)

Një shqetësim tjetër poetik i Neviana Shehut, përveç mallit me peshën e malit apo të puplës, është ikja naive prej mallit, duke u kapur lakmueshëm pas tipareve të lules. Përfytyrimi i qenies si lule që mund të shartohet, që mund të mbillet në çdo truall, që mund të ndryshojë ngjyrat, aromat, është një brengë edhe me e trishtë se sa humbja e kujtesës. Në përballje me këtë fenomen, Nevana Shehi na sjell një krijim të mrekullueshëm lirik me përmasa të epikës. Lulja, ajo e farës së vet, mund të mbillet gjithkund, në çdo dhe, në çdo saksi dhe, kjo, në gjuhën e njerëzve do të quhej integrim, por, kur shartohet, kur ndërron ngjyrë, kur ndërron aromë, kjo më quhet asimilim!

Unë s’di të them/ Si quhet kjo gjë në gjuhën e luleve/ Por në gjuhën e njerëzve/ Kjo quhet humbje identiteti (Ishin dy, vetë dy trëndafila)

Neviana Shehi në këtë libër poetik jep shenja të qarta se kemi të bëjmë me një “zot” të krijimit të botëve. Intencë e poeteshës del që është krijimi i botëve të veçanta në çdo njësi poetike të përfshira brenda kopertinave. Këto botë nuk janë fiktive, nuk janë të imagjinuara e të sjella nga përrallat fantastike, me plotë fantazma, kuçedra apo engjëj. Këto botë janë reale, plotë jetë, plotë frymë, plotë ngjarje, prandaj, në të gjitha ato botë e gjejmë personazhin e gjallë dhe konkret, vetë poeteshën. Pra, organizimi poetik na del si një ekspozitë pikturash në të cilat, në çdo njërën prej tyre, na del i njëjti subjekt poetik. Ky realizim artistik i veprës na e nxjerr në pah jo vetëm mjeshtërinë, por edhe dhuntinë e poeteshës për ta arritur shkallën më të lartë të realizimit tematik të veprës.

5. Hijet kthehen në tokë

Falë dhe pavarësisë së të menduarit si veçori psikologjike e hasur te gjenitë, autorja Neviana Shehi, radhitë një mori imazhesh që vijnë nga forca e brendshme krijuese e saj dhe jo nga receptorët përballë gjërave të njohura e të prodhuara më parë. Në këtë veprim poetesha është unikale, është princeshë e poeteshave kombëtare. Poezia e Shehit, pasi të lexohet, mund të të ngelë në mbamendje si një film, si një dramë e parë diku dhe dikur. Jo vetëm përmes imazheve që i gjen dendur në këtë poezi, por edhe përmes aktives që ndjehet në çdo poezi, që fillon me një shpërthim poetik, që zhvillimin e ngitë mbi një ritëm të pranueshëm për çdo shpirt dhe që e përfundon me një zgjidhje optimale, me një imazh që ka forcën magjike të të ngrijë në vend për çaste të tëra dhe të të bëjë të mendosh që mos je vetë pjesëmarrës nëpër ato ngjarje:

Si në det dhe dashuri/ Historitë dalin prej/ Njëra-tjetrës/ (Rëra e thinjur e detit)

Filogjeneza e shqetësimeve poetike te poetesha Shehi nuk manifestohet si problem madhor e katastrofal, si diçka që lë gjurmë e ta kallë frikën, por, thjesht, gjithkund na del si përpjekje për ta shpërfaqur atë shqetësim në tablloid të imazheve që marrin rolin e dekodifikmit të çdo enigme duke i dhënë asaj inpute poetike të shtresuara në formatin e çelësit të shpirtit. Aty ku hasim shqetësime të poeteshës, sakaq mrekullohemi me mjeshtërinë e saj për ta bërë dhembjen art, botën e trishtë poezi, frikën shpresë e besim:

S’po të kërkoj të tundësh kokën/ Por të më shohësh në sy/ Dhe kjo mund ta mbrojë/ Nga rënia e lirë/ Mbrëmjen time/ Varur në skajin më të errët/ Të syrit tënd/ (Rënia e lirë e mbrëmjes)

Në ciklet e fundit të këtij libri, Neviana Shehi poetikisht organizon kthimin në botën e vet, ku takohet me nënën, me gjyshen, me gjyshin, me Elenën, me klounin. Ky takim familjar nuk bëhet sa për shuarje të mallit, as për frymëzim për të realizuar njësi poetike brenda një përmbledhje me poezi. Nuk bëhet as sa për ta bërë prezantimin e thjeshtë familjar. Shqetësimi i Neviana Shehit është që ata t’i ngritë në përjetësi, t’ju japë format reale të skulpturave që shprehin imagjinatën kreative të krijuesit. Familjarët e poeteshës janë ata persona që e kanë brymosur poeteshën me dashuri për jetën, për njeriun, për detin, për diellin, për yjet, janë ata që ia kanë latuar mendimin dhe shpirtin me daltat e poetikës; janë vetë tradita e ngjitur shkallëve të historisë deri te froni ku rri ulur kjo poeteshë duke u betuar fuqishëm se –

Zonja e letrës dhe nëna e leximit të këtij libri

Do të ishte gjithmonë nëna ime

(Zonja e letrës)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me kërkesë të ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender…