
“Pandemia do të marrë fund brenda një viti”
Shefi ekzekutiv i kompanisë farmaceutike “Moderna”, Stephane Bancel, ka thënë se mendon që pandemia Covid-19 mund të marrë fund brenda një viti, teksa ka shtuar se prodhimi i shtuar i vaksinave e mundëson furnizimin global.
Një gjë të tillë, Banceli e ka thënë gjatë intervistës dhënë të enjten për të përditshmen zvicerane “Neue Zuercher Zeitung”.
“Po që se e shikoni zgjerimin e kapaciteteve prodhuese në të gjithë industrinë gjatë këtyre gjashtë muajve të fundit, atëherë do ta kuptoni se numri i mjaftueshëm i dozave të vaksinave do të jetë në qasje të gjithëmbarshme deri në fund të vitit të ardhshëm, ashtu që çdokush në planet të mund të vaksinohet. Dozat përforcuese do të jenë gjithashtu të mundshme në shtrirjen e nevojshme”, ka cituar “Reuters” pretendimet e shefit të “Moderna”-s.
Ai madje ka theksuar se vaksinimi së shpejti do të jetë i qasshëm edhe për më të vegjlit.