Paparaci: I përgjuari nga AKI-ja me Fatmir Shehollin është shok i Xhelal Sveçlës

10 tetor 2025 | 20:32

I përgjuari nga AKI-ja bashkë me të dyshuarin për spiunazh, Fatmir Sheholli, është i afërt me ministrin në detyrë të punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, raporton Paparaci.

Paparaci ka siguruar fotografinë e Amir Rrutemoviq që është shkrepur teksa shihet përkrah Sveçlës dhe deputetit të Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj.

Amir Rrustemoviq që ishte pjesë e përgjimeve me të dyshuarin për spiunim te Serbia, Fatmir Sheholli ishte në tavolinë me Xhelal Sveçlën, i cili tre ditë më parë dha lajmin për arrestimin e Shehollit.

Rrustemoviq në këtë fotografi ishte edhe përkrah deputetit të Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj.

Burimet e medias kanë thënë se Rrustemoviq, i cili u përgjua nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës me Fatmir Shehollin është shok i Sveçlës, me të cilin është fotografuar duke pirë kafe në një restorant të tij në Reçan të Prizrenit.

Emri i Amir Rrustemoviq doli në dritë pas audio-incizimit në të cilin dëgjohet duke folur me të dyshuarin për spiunazh Fatmir Sheholli. Pjesë e këtij audio-incizimi është edhe deputetja Duda Balje.

Rrustemoviq në një deklaratë për Betimin për Drejtësi ka konfirmuar takimin me Shehollin dhe ka konfirmuar se në audioincizime ishte edhe Duda Balje.

Ai nuk ka treguar se për çfarë është biseduar në takim me Shehollin.

Lidhur me atë se kur është zhvilluar ky takim dhe çfarë është folur tjetër në këtë takim, Rrustemoviq thotë se është sekret.

“Këtu është sekret, sekret është vallah, sekret është. Pyetje për një milion euro”, ka thënë tutje ai.

Kur është pyetur se çfarë është biseduar në këtë takim, Rrustemoviq është shprehur se nuk mund të flasë, pasi sipas tij, ai është person i shtetit.

“Zonjë, jam njeri i shtetit, me shtetin jam 25 vjet, nuk muj unë ashtu me telefon s’jam unë dallaveraxhi ose dikush tjetër, jam edhe (nuk kuptohet) i organeve”, ka thënë ai, pa treguar se çfarë pozite mban kur thotë që është person i shtetit.

Tutje, kur pyetet për raportin me Duda Balje, ai sërish nuk tregon se çfarë raporti ka me deputeten.

“Për Dudën (hahaha). Oh kuku, çka me bo, s’ka shumë fjalë”, ka thënë ai.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e sigurisë, një muaj paraburgim për Fatmir Shehollin, të arrestuar për spiunazh.

Fatmir Sheholli u arrestua të enjten në mëngjes në një operacion të urdhëruar nga Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Sheholli dyshohet se ka mbledhur informacione për kinse pronat e uzurpuara të serbëve në Kosovë dhe të njëjtat informacione i ka përcjell te BIA përmes komunikimeve telefonike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha Zgjedhjet lokale të këtij viti nuk janë…