Paraburgimi i gjashtë shqiptarëve, një romi dhe një myslimani-boshnjak (10)

26 janar 2021 | 11:39

Aziz Kelmendi dhe enigma e vrasjeve pa luftë në kohë robërie 

Shkruan: Lulzim Sahiti

Pasi arritën të dalin të gjallë nga burgu të përvuajturit nga prangat e sistemit jugosllav janë munduar të dëshmojnë për ferrin e papërshkrueshëm, në të cilin kanë kaluar nëpër qelitë e përgjakura të burgut famëkeq të Nishit.

Rizah Xhakli: Më 7 shtator 1987 në Paraqin na mblodhën të gjithë ushtarëve shqiptarë. Pastaj, na futën në një autobus dhe na kanë dërguar në Nish. Atje na kanë shpërndarë nëpër kazerma të ndryshme. Mua më dërguan në një çetë, në Kazermën Ushtarake “Stefan Singjeliq” dhe sa herë që kishin nevojë për mua më ftonin te zyrat e oficerëve. Siç dihet mirëfilli, dita i ka 24 orë dhe mua mund të them lirisht prej datës 7 deri më 19 shtator 1987 më kanë marrë në pyetje 20 orë në ditë. Shpeshherë bukën ma sillnin në zyrë të tyre. Për këto dhjetë ditë nuk kam pasur asnjë maltretim fizik, por psikik kam pasur shumë. Aty afër ka qenë edhe burgu i vogël ushtarak, i cili ka pasur vetëm nëntë çeli. Një çeli ka qenë më e madhe, kurse tetë të tjera kanë qenë me nga një shtrat.

Më 19 shtator 1987 aty po i shoh disa oficerë të tjerë dhe policinë ushtarake. E mora me mend se do të më arrestojnë. Një oficer ma kumtoi arrestimin me zë të lartë duke më thënë: “Ngritu në këmbë, duart pas, kokën poshtë!” M’i lidhën duart, më shtynë dhe më futën në automjetin e tyre. Më kanë dërguar direkt te gjykatësi hetues, i cili ishte Marinko Radenkoviq, me gradë ushtarake kapiten i klasës së parë. Ka qenë pak para përfundimit të punës, diku rreth orës 16:00 dhe deri në ora 22:00 kam qenë te gjyqtari hetues. Më pyeste, por s’kisha çka t’i them. Më tha: “Kemi bërë masakër atje, e këtu nuk flet”. Kur më dërguan për herë të parë te gjykatësi hetues, më pyeti se a dua mbrojtës. Nuk desha të pranoj, i thashë se nuk më duhet, sepse nuk jam fajtor. Gjykatësi më caktoi për mbrojtës zyrtar majorin Spaso Stojkovski nga Garnizoni i Kumanovës, i cili asnjëherë nuk e ka çelë gojën për të më mbrojtur nga akuzat. Më vonë, në fund të hetimeve më lejuan të kam mbrojtës civil avokatin Isa Mustafa nga Gjilani. Kah ora 22:00 më futën në qeli. Prej hetimeve e deri në fund të dhjetorit në pyetje më ka marrë inspektori ushtarak nënkolonel Ante Kojungjiq (kroat) dhe një procesmbajtës ka qenë me të. Pas katër-pesë dite që më dërguan në qelin nr. 4, në Burgun Ushtarak të Nishit, erdhi koloneli Aleksandar Vasiljeviq, një njeri civil me një fytyrë shumë të rreptë që asokohe unë nuk e njihja. Në qeli kemi pasur të drejtë t’i pimë vetëm 7 cigare brenda ditës. Ai, fillimisht më dha një cigare “Kent” të gjatë. Duke biseduar, më dha edhe një tjetër cigare. Kështu rrjedha e bisedës me të shkonte shumë qetë e mirë. Ai bisedonte vazhdimisht por nuk e dija se kush ishte ky njeri. Insistonte që unë të bashkëpunoj, të pranoj veprën me qëllim që të dënohem më pak. Nëse nuk bashkëpunoj ekziston mundësia t’i marrë 20 vjet burg, ekziston mundësia për të më pushkatuar por nëse pendohesh e gjëra të tilla mund të kaloj më lehtë. Unë nuk kam çka pendohem, i thashë troç këtij njeriu të panjohur që më vonë mora vesh se kishte qenë shefi i Shërbimit Kundër-Zbulim (Kontra-Obaveshtajna Sluzhba-KOS).

Filluan të më rrahin çdo ditë. Një ditë, një polic i cili quhej Zdravko Blazheviq nga Zagrebi më mbylli në WC dhe më tha se do të më rrahë çdo ditë deri sa të pranoj. Një ditë po ai më nxori në shëtitje dhe në fund të çdo rrethi më godiste me shufër gome duke thënë: “Këtë e ke nga Begiqi, këtë e ke nga Simiqi…” dhe ashtu për secilin ushtar të vrarë merrja nga një goditje…

Me vizitonin shpesh disa oficerë të lartë… më mbanin “fjalime”, më kërcënonin më thonin se jam duke ia hapur vetës varrin. Deri sa më kanë marrë në pyetje inspektorët nuk kam pranuar asgjë (s’kisha çka të pranoja)… pastaj erdhi një gjykatës tjetër hetues majori Milorad Vukosav. Më mundonte, më detyronte të qëndroja gatitu me fytyrë nga dera, që të mos shikoja fotografinë e Titos… Më pyeti se kë e kam në familje, kur i thashë, ai ndërhyri më fjalët “E mjera nëna jote, dhe ajo do të qajë tërë jetën për ty sikur qajnë nënat e ushtarëve të vrarë”. Një ditë tha se do të më ballafaqojë me shokët dhe me pyeti se a dua të më sjellë dhe do të më thonë “Rizah, ti e ke bërë këtë dhe duhesh të pendohesh”. M’i dha deklaratat e shokëve me nënshkrimet e tyre, të cilët kishin folur për mua, por nuk besova, mendova se donte të më detyrojë t’i akuzoj edhe unë ata. Kërkova të më ballafaqojnë me Shefqet Paçarizin. Me shpien në dhomë tjetër, por në vend të Shefqetit ma ndezën televizorin me videorekorder ku paraqitet Shefqeti, foli duke më akuzuar. Pastaj u paraqitën fytyrat e Afrimit, Pajaziti… por pa zë… Gjykatësi hetues më tha se do të m’i sjellë nënat e ushtarëve të vrarë që të më shohin sa i vrazhdë jam, do t’iu them, ja ku është vrasësi i më të dashurve tuaj, do të lidhim që të dukesh vrasës i vërtet do të shohim çka do të thonë ata.

No description available.

Foto: Rizah Xhakli në pavijonin VII, në Burgun e Pozharevcit, gjatë vitit 1996. Ai nga burgu ishte liruar më 14 mars 2001 pasi kishte kaluar 13 vjet e pesë muaj e 25 ditë.

Për gjashtë muaj ditë, hetimet kanë qenë të rënda sepse kemi qenë në moshë të re. Maltretime fizike ka pasur shumë të këqija. Po çka është më rëndësi atje të gjitha ato të rrahura që i kam marrë mund të them që 90 për qind e të tyre i kam pasur nga gardianët dhe drejtori i burgut por jo nga hetuesit. Kur vinte drejtori i burgut, i cili quhej Stanko, për shembull nëse s’pranoja diçka çka nuk ka qenë, mirëpo u tregoja vetëm realitetin që s’kemi pas asgjë me rastin e Paraqinit dhe nuk jam bashkëpjesëmarrës i saj. Ata (gardianët) menjëherë reagonin duke i thënë drejtorit: “Çka u bë tash, nuk po flet ky!”. Ai në prezencën e tyre, jo me të rrah me shufër por me grushta, shpulla e shqelma qysh kanë dashur ata. Bile një herë e di, zyrat kanë qenë afër burgut hetues, i ndante vetëm një hapësirë në mes dy objekteve. Një herë më ka goditur me shqelm prapa. Më ka qëlluar me këmbë në testise. Nga dhimbja e madhe, aty jam rrëzuar dhe kam humbur vetëdijen. Ndërkohë e kam parë vetën në qelinë time duke më hedhur ujë. Atëherë erdha në veti. Kështu ka ndodhur disa herë. Mandej, gardianët sa herë është hapur dera e qelisë na kanë rrahur. Kur është dashur me na rrahur më shumë, na ka rrahur drejtori me disa gardianë ose oficerë që nuk i njihja e jo ky i imi që e njihja. Ata kërkonin që unë të pranoj se jam marrë vesh me Rizo Alibashiqin që Aziz Kelmendit t’i jepen dy karikator municion. Të pranoj që kur ka ardhur Azizi pak para orës 3:00, të 3 shtatorit, më ka thirrur mua të parin dhe unë i kam thirr të tjerët ushtarë shqiptarë. Pastaj gjojase kemi dalë nga Kazerma dhe e kemi pritur Azizi deri sa e ka kryer aksionin. Dhe, në fund kinse jemi përshëndetur me të edhe më pastaj jemi kthyer në kazermë. Këto kanë qenë ato më tepër që kanë insistuar dhe që kanë qenë akuzat më të rënda për mua që më janë bërë. Rizo Alibashiqi disa ditë nuk ka pranuar, mandej ka pohuar ashtu siç ka kërkuar gjyqtari hetues. Gjithashtu, Islam Mahmuti bënte çka i thonin ata. Thoshte po Riza më ka thirrë mua, kemi dalë kështu…, Shefqet Paçarizi e Pajazit Aliu nga dhuna kishin pranuar çka kërkonte gjykatësi hetuesi por unë nuk e pranoja. Më kumtonin nenin, me të cilin unë akuzohem. Ishte neni 122, me të cilin fillimisht jemi akuzuar “për bashkim dhe veprimtari armiqësore” mirëpo pas një muaji është ndërruar aktakuza, ku e bënë: “Ndihmë në vrasje nga ndjenjat armiqësore kundër Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë”. Me atë nenë minimumi i dënimit ishte 10 vjet, maksimumi pushkatim. Atë kohë, deri në vitin 1991 ka ekzistuar dënimi me vdekje. Pra, ata nuk na tregonin për një aline që kishte qenë, të cilën e kam kuptuar pasi më kanë dënuar, ku thoshte: “Nuk bëhet ekzekutimi me vdekje nëse i pandehuri në moshën kur e ka kryer veprën ka qenë nën moshën 23-vjeçare”. Mua personalisht dhe Abdylxhemil Alimanin, të cilët kemi qenë dy të akuzuarit e parë, na ka shpëtuar vetëm mosha e re sepse përndryshe edhe pse kemi qenë të pafajshëm dhe të paorganizuar për t’i ndihmuar Azizit, qysh na kanë dënuar edhe e kemi mbajtur burgun, ne do të ishim të pushkatuar por fatbardhësisht ata e kanë respektuar Kushtetutën e tyre.

Bënin trysni të madhe për të pranuar dokrra. Dikur kah fundi nuk më merrnin në pyetje, ndërruan taktikën filluan të mos vijnë shpesh por vinin çdo tri katër ditë ose pesë ditë. Me thënë të drejtën nisi të më kaploi një frikë sepse ekzistonte gjithmonë ai kërcënimi me vdekje. Tashmë isha lodhur në shpirt, erdhën njëherë dhe ju thash a dini çka krejt çka thoni ju unë kam për të nënshkruar veç le të përfundon kjo punë. Edhe krejt çka kanë pasur i kam nënshkruar të gjitha dhe pas një jave është caktuar data e fillimit të gjykimit tonë”.

Abdylxhemil Alimani: “Pastaj pësoi transferimi i të gjithë ushtarëve nga kazerma, me arsyetimin se ushtarët janë të traumatizuar. Mua më transferuan në kazermën e Zajeçarit. Atje qëndrova tri ditë gjatë të cilave vazhdimisht më merrnin në pyetje. Edhe aty nuk munda të vërej se bëhet fjalë për një akuzë që do të më ngarkohet mua. Nga aty, pa më komunikuar arsyet, më transferuan në kazermën e Nishit. Edhe atje filluan të më marrin në pyetje. Nga ora 5 e mëngjesit deri në ora 24. Edhe pas mesnate. Mirëpo tash, në pyetjet që më bënin, më ngarkonin se së bashku me ushtarë tjerë shqiptarë të Paraqinit i kemi ndihmuar Azizit në vrasjen e ushtarëve, se kemi bërë veprimtari armiqësore kundër RSFJ-së, nga neni 114 dhe 136. Ende pa na marrë në pyetje gjykatësi hetues, inspektorët e sigurimit na i kishin caktuar edhe nenet. Edhe pse isha i lirë, unë tërë kohën e kaloja në zyrat e inspektorëve ushtarakë të sigurimit. Kjo zgjati gati 20 ditë, kur më 19 shtator 1987, të njëjtit inspektor që më sollën nga Zajeçari në Nish, më dërguan në Gjyqin Ushtarak në Nish ku gjykatësi hetues, kapiten i klasës të parë Marinko Radenkoviq më kumtoi lajmin se prej ditës së sotme jam i privuar nga liria dhe ngarkohem për veprimtari armiqësore kundër RSFJ-së.

Gjërat rridhnin ashtu si dëshironin ata të cilët gjithçka e kishin përgatitur. Fillimisht, na akuzonin vetëm për veprimtari armiqësore kundër RSFJ-së, duke mos na e veshur “ndihmën” dhënë Aziz Kelmendit. Gjatë hetuesisë dhe gjatë angazhimit të inspektorëve ushtarakë të cilët bënin “punë të palodhshme”, pas katër muajve na ndërruan aktakuzën, duke na akuzuar për “vrasje nga gjendja armiqësore kundër RSFJ-së dhe “ndihmës në vrasje”.

Atëherë filluan hetimet edhe më të rrepta, me marrje më të shpeshta në pyetje. Edhe pse ishim nën hetuesi, ku gjykatësi hetues na merrte në pyetje, këtij i ndihmonin edhe inspektorët, të cilët edhe më tej na merrnin në pyetje dhe na detyronin që ta pranojnë aktakuzën e hartuar nga ata. Madje edhe një kapiten shqiptar që quhej Xhavit Teneqja nga ana e Kaçanikut, gjatë hetuesisë më ka maltretuar në formë psikike. Gardianët dhe inspektorët e sigurimit ushtarak kanë përdorur edhe dhunën, na kanë torturuar psikikisht, na kanë fyer moralisht që të na detyrojnë ta pranojmë veprën e tyre. Duke mos e ndier veten fajtor nuk pranova që të më caktohet mbrojtës, as civil e as ushtarak. Natën e Vitit të Ri (31 dhjetor 1987) më ka ardhur në qeli ish-kreu i Shërbimit Kundër-Zbulim të Ushtrisë Jugosllave, koloneli Aleksandar Vasiljeviq, i cili më tha: “Me veprimet e tuaja e ke rënduar vetën tënde. Po të kishe pranuar veprën do ta kishe shumë më lehtë!” Nuk kisha çka të pranoj sepse në natën kritike askujt nuk i kisha ndihmuar asgjë.

Gjatë kohës së marrjes në pyetje nga ana e gjykatësit hetues deklarova se nuk dëshiroj mbrojtës, mirëpo familja e shqetësuar me rastin tim, autorizon Sava Kocarev-in, avokat nga Shkupi. Por, atij nuk iu mundësua të takohet me mua dhe nuk i është mundësuar ta shqyrtojë mirë lëndën, me arsyetim se “Rasi i Paraqinit” është fshehtësi ushtarake. Pas refuzimit të ankesës së tij, mua më caktojnë një mbrojtës ushtarak, Argir Grebernakov i cili më tepër kryente punën e prokurorit se sa të mbrojtësit. Vetëm sa nuk më mundonte fizikisht.

Vetëm falë shtypjes së mjeteve të informacionit në gjuhën sllovene që gjykimi të jetë i hapur, kreu ushtarak një javë para fillimit, u detyrua që të lejojë të na mbrojnë avokatë civilë, të cilët për aq pak kohë nuk kanë mundur ta rishqyrtojnë gjithë lëndën voluminoze dhe me shumë dëshmitarë të ushtruar që të flasin kundër nesh. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim…