
“Paradite japin leje, pasdite vijnë me polici” – Përparim Rama publikon dokumentin që tregon se sheshi “Xhorxh Bush” nuk është zonë e mbrojtur
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë një tjetër reagim lidhur me ndërprerjen e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”.
Rama ka publikuar një shkresë që ua kishte dërguar Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, ku thuhej se hapësira ku po zhvilloheshin punët nuk është pjesë e zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës, shkruan Reporteri.net.
“Ju njoftojmë se, pas vizitës në terren ekipi nga QRTK Prishtinës, me datë 28.04.2025, në sheshin “Xhorxh Bush” ka vërejtur ku sot po zhvilloheshin punët ndërtimore nuk është pjesë e zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës”, thuhet në shkresën e publikuar.
Rama ka thënë se pavarësisht kësaj shkrese, sot u kanë shkuar me Polici për t’ua ndërprerë punimet.
“Paradite na dërgojnë shkresë zyrtare ku thuhet se NUK jemi duke punuar në zonën mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës! Pasdite vijnë me polici për të na ndërprerë punimet, me arsyetimin se JEMI duke punuar në zonën mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës! Ja sa seriozë, kompetentë dhe të pavarur janë!”, ka shkruar Rama.